Limaj: Ma ofruan postin e ambasadorit në SHBA që të ikja nga Ministria dhe nga Kosova

0
203

Zëvendëskryeministri i Kosovës që është shpallur i pafajshëm nga gjykata për “Rastin MTPT” sa ishte ministër i Transportit dhe Post-telekomunikacionit, ka shpalosur në Zona e Debatit në Klan Kosova se si atij i ishte ofruar posti i ambasadorit në SHBA, vetëm e vetëm të largohet nga Ministria dhe të ikën nga Kosova.

“Por, ikjen dhe fshehjen e bëjnë njerëzit e ligë. Unë nuk iki nga vendi im dhe nga punët e mia”, ka thënë Fatmir Limaj “Ndërkombëtarët kanë pasur oferta për mua. Kam pasur ofertë të jem ambasador në SHBA për të hequr dorë nga Ministria”.

Limaj ka treguar se si ndërkombëtarët i thoshin se nuk bën të bëhet autostrada, pasi Serbia po ndjehet e kërcënuar nga bashkimi kombëtar.

“Unë e kam thënë se autostrada do të fillojë dhe do të përfundojë”, ka thënë ai. “Pastaj, për aeroportin një herë donin ta privatizonin, por kam thënë jo se s’mund ta privatizojmë një ndërmarrje rentabile. Më pas kanë shkuar të bëjnë projekt publiko-privat. Donin ta lëshonin për 35 vjet koncesion, por unë refuzova. Thash jo: vetëm për 20 vjet do ta lëshojmë. Tani është i vetmi aeroport në rajon që është i lëshuar për vetëm 20 vjet. Edhe pak vjet dhe i kthehet Kosovës”.

Sipas tij, po të mos kthehej në Partinë Demokratike të Kosovës, pas daljes i pafajshëm në akuzat e Tribunalit të Hagës, Hashim Thaçi nuk do të mund të bëhej kurrë kryeministër i vendit.

Duke folur për akuzat nga të cilat ai është liruar, ai tha se është bastisur në shtëpi pa urdhër gjykate.

“Kjo është shkelje fondamentale e të drejtave të njeriut. Kanë ardhur e më kanë bastisur, por kanë pasur kohë për t’i njoftuar mediat se ajo do të ndodhte. Ata kanë abuzuar rëndë me detyrën e tyre. Qëllimi i tyre ka qenë që të largohem unë nga skena”, thotë ai. “Kur e panë që nuk ka asgjë në Ministri, u futën në familje. Edhe tiketat e rrobave që djali i ka blerë janë të fotografuara. Bile, kanë shkuar edhe në Zvicër, me fjalë të dikujt, për të shikuar mos kam shtëpi atje. Dhe, janë turpëruar. Unë kam thënë që nëse gjendet që vetëm një cent e kam keqpërdorur, në shesh do ta pranoj. Por nuk ka të tillë, sepse kam punuar me shpirt e zemër për këtë gjë”.

“Kush mi kthen tetë vjet?”, ka qenë pyetja që e ka përsëritur disa herë Fatmir Limaj. “Unë ua fal të gjithëve, po ata vet si ndjehen?. Janë hapur dhe mbyllur televizione e gazeta gjatë kësaj periudhe, duke u marrë me rastin tim për këtë kohë”.

Limaj ka folur edhe për situatat familjar të cilat i ka përjetuar gjatë këtij tetë vjetori ballafaqim me drejtësinë në Kosovë.

“Babai ka qenë i paralizuar, nëna me kancer, ndërsa gruaja në atë kohë ende ka qenë në fazën e identifikimit të kancerit. Këto donin t’i shfrytëzonin ata njerëz të ligë, për ta bërë storien më të besueshme. Brenda një viti e gjysmë më vdiqën babai, nëna dhe gruaja”, thotë ai. /Klan Kosova/