Hoteli luksoz ku ka fjetur Obama dhe Trumpi, është burgu i të arrestuarve të kalibrit të lartë të Arabisë

Gjatë përpjekjeve për “pastrimin” e rrethit politik në Arabinë Saudite, me urdhër të princit Mohammed bin Salman, hoteli luksoz “Ritz Carlton” në Riad është shndërruar në “burg” për afër 200 politikanë të arrestuar dhe njerëzit e afërt me pushtetarët.

Një ekip i BBC-së ka pasur rastin të futet në “kafazin e artë” dhe të shohë se çfarë privilegjesh gëzojnë të “burgosurit” që janë zhvendosur në këtë objekt luksoz gjatë 4 nëntorit. Ky hotel posedon pishinë, restorante, palestër fitnesi dhe gjithçka brenda shndrit nga luksi, transmeton Telegrafi.

Kur erdhi momenti i “akomodimit” të tyre në hotel, mysafirët mbetën të habitur për faktin se si ndodh që një elitë e tillë të përfundojë aty.

Biznesmenë, milionerë, gra të sportistëve të pasur dhe shumë të tjerëve u është kërkuar që të paketohen dhe të mblidhen në korridorin e hotelit, nga ku janë zhvendosur në një hotel tjetër. Askush nuk e dinte përse. Pas disa orëve pritej që në këtë hotel të arrijnë princat e pasur saudë të cilët “janë në paraburgim” për shkak të korrupsionit. Më pas, recepsionisti filloi të mbushte disa formularë dhe t’i urdhërojë pastrueset që të pastrojnë dhomat më luksoze, me qëllim që në këto dhoma të “akomodohen” të burgosurit e kalibrit më të lartë në historinë e Arabisë Saudite.

Pasi që hoteli u zbraz, filluan të mbërrijnë autobusët me elitën e “poshtëruar” të shoqëruar nga policia. Ky rast konsiderohet si arrestimi më i madh në historinë e e këtij vendi, edhe pse ata gëzojnë privilegje edhe atëherë kur kryejnë vepra penale.

Më shumë se 40 sauditë të shquar, 11 princa që ishin drejtpërdrejt të lidhur me pushtetarët, si dhe 30 zyrtarë të lartë shtetëror e ish-ministra, janë mbyllur në “Ritz Carlton”, që konsiderohet si “qelia e tyre e burgut”.

Në një Mbretëri me disiplinë të rreptë, fyerja e një zyrtari të lartë apo edhe më keq, fyerja e ndonjë të afërmi të dinastisë sunduese, pason me dënime të tmerrshme. Meqenëse në Arabinë Saudite vazhdohet të qeveriset sipas rregullave fisnore, mbretëria udhëhiqet nga konsensusi i disa degëve të familjes mbretërore, anëtarët e të cilëve vijnë nga themeluesi i shtetit, Abdulaziz el Saudit. Për shembull, fyerja e një të afërmi të tyre apo burgosja nënkupton se ky veprim do të shkaktonte mosmarrëveshje të ashpra. Çdo fyerje do të mundte lehtësisht të krijonte thyerje të lidhjeve të mbajtura nga shoqëria fisnore saudite.

“Figurat e shquara të shoqërisë saudite luajnë rol të madh në sistem, përveç që sjellin fitime të mëdha. Për këtë arsye, princi Mohamed bin Salman nuk ka mundur t’i dërgojë në një qeli të burgut. Dhe, ai këtë e di shumë mirë. Për këtë arsye është munduar të gjejë një zgjedhje adekuate”, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë saudit.

Se situata nuk është edhe aq e keqe, e dëshmon më së miri edhe prania e rojeve në burgun më luksoz në botë. Ata janë të vendosur në sallën e madhe të banketit “Bolrum B”, që shtrihet në 1850 metra katrorë dhe mund të akomodojë deri në 1400 persona. Në dyshemenë e kësaj salle janë vendosur dyshekë në të cilët rojet mund të flenë. Brenda kësaj salle mund të shihen edhe pushkët moderne ushtarake, që ngjajnë shumë me pushkët amerikane të tipit M-4.

Princat dhe zyrtarët shtetërorë flenë në disa dhoma që ky hotel në total i ka plot 492. Ndërkaq, të pyetur nga gazetarët se çfarë është duke ndodhur, menaxhmenti i hotelit është përgjigjur duke thënë: “Kemi një rezervim të papritur nga ana e Qeverisë”.

Hoteli “Ritz Carlton” që gjendet në Riad është në pronë të qeverisë saudite, derisa me të menaxhon një kompani amerikane e hotelerisë e quajtur “Meriot”. Në këtë hotel kanë qëndruar Barack Obama dhe Donald Trump. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=eKzTvA2I7QU

Artikulli paraprakGjyqtari britanik është i gatshëm të dëshmojë për shkeljet e EULEX-it
Artikulli vijuesLimaj: Ma ofruan postin e ambasadorit në SHBA që të ikja nga Ministria dhe nga Kosova