Lista Serbe kushtëzon votimin për president

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq tha se nuk është e sigurt nëse Lista Serbe do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës, të premten, kur do të zgjidhet presidenti i vendit.

Ai ka deklaruar për agjencinë serbe “Beta” se Lista Serbe kërkon nga partnerët në koalicion PDK dhe LDK të nënshkruajnë një dokument me të cilin ata sigurohen se pas zgjedhjes së presidentit, kërkesat e Listës Serbe do të plotësohen.

Kryetari i Listës serbe, Slavko Simiq i tha agjencisë serbe “Beta” se Lista Serbe ka kërkesa, të cilat dalin nga marrëveshja e koalicionit me PDK-në dhe LDK-në, që lidhen me marrëveshjet e Brukselit, për sa i përket interesit të komunitetit serb të Kosovës, e që nuk janë plotësuar, transmeton RTK.

“Me partnerët tanë kemi pasur konsultime për sa i përket mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme, por nuk kemi pasur ndonjë qëndrim zyrtar. Ne nuk kemi dashur që mbledhja e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të mbahet të premten, para se ne të definojmë disa kërkesa tona që lidhen me zgjedhjen e problemit të bashkësisë serbe në Kosovës”, ka thënë Simiq.

Ai ka deklaruar se fjala është për kërkesa për zgjidhjen e problemeve, me të cilat serbët në Kosovë ballafaqohen që nga viti 1999 dhe që edhe më tej nuk janë realizuar.

“Nuk është mirë që të merren vendime pa u definuar qëllimet midis partnerëve në koalicion” ka thënë lideri i Listës Serbe.

“Ne kemi pasur disa konsultime me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike dhe ata na kanë dhëne fjalën se do të plotësojnë kërkesat tona. Por siç mund të shihet muajve dhe viteve të fundit, fjala e dhënë (besa) nga politikanët shqiptarë ka humbur kuptimin dhe nuk do të thotë asgjë… I kam lutur partnerët në koalicion që mos ta caktojnë seancën për të premten para se ne të merremi vesh dhe marrëveshjen e arritur për zgjedhjen e Presidenti ta bëjmë përmes një dokumenti valid, i cili do të garantonte se kërkesat tona në të ardhmen do të realizohen. Prandaj, ne jemi në pritje që partnerët tanë sa më parë të tregojnë pjekuri politike dhe të na thërrasin në një takim ku do të definohen kërkesat tona dhe ato të konfirmohen përmes një dokumentit të cilën do ta nënshkruajmë së bashku” ka nënvizuar shefi i Listës serbe, Simiq.

Nëse kjo nuk bëhet, nuk është e sigurt nëse Lista serbe do të votojë për presidentin dhe nëse do të marrë pjesë fare në seancën e thirrur për të premten, ku duhet të zgjidhet Presidenti i Kosovës, ka deklaruar lideri i Listës Serbe, Simiq.

Artikulli paraprakZgjedhja e Thaçit president mes protestës e festës
Artikulli vijuesNuk ndalen vrasjet: Ekzekutohet gjatë natës një 20-vjeçar