Deputetit Xhavit Haliti ia kalon për shpenzime në udhëtime zyrtare e akomodim në hotele luksoze vetëm Valon Xhaferi, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit.
Për katër ditë qëndrimi në Angli, vitin e kaluar Xhaferi ka shpenzuar për akomodim gjatë muajit qershor hiq më pakë se 8.727.89 euro.
Megjithatë, deputeti Xhavit Haliti ka thyer një rekord në shpenzime. Për një ditë ai ka paguar dy fatura akomodimi gjatë një udhëtimi zyrtar me kartelë krediti. Njëra 2.148 euro e tjetra 1.094 euro.
Nga 18 mijë euro sa kanë shpenzuar të gjithë deputetët për akomodim gjatë udhëtimeve zyrtare, për tre muaj, 15 mijë euro i kanë shpenzuar vetëm këta të dy.
Në asnjë udhëtim zyrtar, sipas të dhënave financiare, ata nuk kanë paguar më pak se shuma treshifrore.
Haliti e Xhaferi të gjitha këto para i kanë shpenzuar përmes kartelave të kreditit me aprovim nga Kuvendi.
Emrat e tyre thuajse janë në secilën kategori të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës. Madje edhe tek kategoria e shpenzimeve të paspecifikuara ku në një rast Xhaferi ka paguar mbi 5 mijë euro me kartelë, pa dhënë ndonjë detaj.
Edhe deputetja e Vetëvendosje, Aida Dërguti, ka hyrë në mesin e deputetëve që paguajnë shtrenjtë për akomodim.
Për dy ditë qëndrimi në Shqipëri, 5 dhe 6 qershor të vitit 2016, ajo del të ketë paguar fatura të akomodimit 1.449 euro.
Një drekë zyrtare 6 mijë euro
Raporti i shpenzimeve për tremujorin e tretë të këtij viti tregon se nuk janë të pakta as paratë që kanë shkuar për dreka e darka zyrtare, mëditje e madje edhe akomodim brenda vendit.
Afro 6 mijë euro janë paguar për akomodim të deputetëve në raste të ndara gjatë muajve gusht dhe shtator në hotelin “Emerald” dhe “Swiss Diamond” në Prishtinë.
Ndërkaq, dy dreka zyrtare më 1 qershor të vitit të kaluar, një në hotelin “Swiss Diamond” dhe një në restorantin “Rron” u kanë kushtuar mbi 12 mijë euro.
Të njëjtën ditë është shtruar edhe një drekë tjetër në “Soma në vlerë 2.159 euro, shkruan Gazeta Fjala.
Shpenzimet për këtë kategori për tre muaj kanë qenë mjaft të mëdha, duke kaluar shumën 41 mijë euro.
Pavarësisht shpenzimeve, për tre muaj deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë marrë edhe afro 1 milion euro vetëm paga dhe mëditje.
Listës së deputetëve që gjatë kësaj kohe kanë marrë më së shumti mëditje i prinë Vjosa Osmani, Xhavit Haliti e Aida Dërguti.
Sa u kushton pasaporta diplomatike deputetëve?
Para të buxhetit janë shpenzuar edhe për t’i mbuluar shpenzimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për pasaporta diplomatike.
Pajisja me pasaporta diplomatike tetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës u ka kushtuar nga 50 euro. Në fund të vitit të kaluar Glauk Konjufca, Vjosa Osmani Sadriu, Slobodan Petroviq, Shukri Buja, Xhevahire Izmakun, Besim Beqaj, Ali Berisha e Ramiz Kelmendi sa ishe deputet kanë marrë pasaporta diplomatike me të cilat kanë realizuar udhëtime jashtë shtetit.
Në pasqyrat financiare të Kuvendit, të cilat i posedon Gazeta Fjala, figuron se për ta janë paguar 400 euro vetëm për shërbime të pasaportave diplomatike.