LUTFI HAZIRI: KOHA E ATEIZMIT NË KOSOVË KA PERËNDUAR

Lutfi Haziri thotë se është pjekur si besimtar mysliman në fëmijëri, kur ka shkuar edhe në shkollë edhe në mejtep.

Por, në një intervistë për Express, kryetari i sapozgjedhur i Gjilanit pohon se asnjëherë nuk ka qenë peng i qëndrimeve ortodokse fetare.

Gjatë fushatës në Gjilan, ai disa herë ka pozuar duke ngritur 4 gishtërinj (përshëndetje karakteristike e Vëllazërisë Myslimane), por ai mohon që kjo të ketë pasur kuptim fetar.

“Ajo është katër projektet prioritare në Komunën e Gjilanit” ka thënë ai.

Kur është fjala për angazhimin e tij, që nxënëset të shkojnë në shkolla me shamia, Haziri thotë se askush nuk guxon të diskriminohet dhe se në Kosovë ka kaluar koha e ateizmit.

Kryetari i Gjilanit nuk tregon nëse partia e tij, LDK, e mbështet për çështjen e shamisë, ndërsa lë të kuptohet se edhe ish -Presidenti Ibrahim Rugova do të kishte pasur mirëkuptim për mbulesën.

“Ai ka qenë lideri i identifikuar që është marrë me zbatimin e lirive dhe të drejtat e njeriut. Ai kurrë s’do të lejonte të shkelen të drejtat bazë të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Haziri.

Express: Ish-Kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa ka thënë se ju po manipuloni me çështjen e shamisë. Cila është përgjigja juaj?

L. Haziri: Shumë thënie të humbësit të garës për Kryetar të Gjilanit nuk janë të vërteta gjatë këtij muaji. E ndershme është që të mos drejtohet gishti edhe pas rezultatit zgjedhor sepse fitorja e madhe në Gjilan për Kryetar të Komunës dhe për Asamble Komunale është ajo që lidhet me LDK’në. Unë jam përgjegjësi kryesor për këtë në Gjilan. Atë që mendoj e bëj, e vlerësoj, edhe nesër kësmet e zbatoj njëqind për qind.

Express: Pse jeni angazhuar në mënyrë kaq pasiononte për çështjen e shamisë kur ekziston një urdhëresë administrative që ndalon bartjen e saj në shkolla?

L. Haziri: S’ka të bëjë me pasion e as me angazhim pasionant siç po e quani ju. Kjo ka të bëjë me besim në drejtësi, me besim në mosdiskriminim për shkak të bindjes fetare. Dhe, ky standard i dyfishtë që po përdoret në Kosovë vjen si pasojë e kompleksit për ata që besojnë në Zot. Ata që besojnë si myslimanë, apo ata që besojnë si krishterë. Ajo që neve na barazon është se të gjithë jemi shqiptarë. Tri besimet e tona janë begati. Nuk janë dhe nuk kanë qenë asnjëherë dallim dhe nuk duhet të jetë në të ardhmen. Një kategori e njerëzve, kryesisht në politikë, të qenit mysliman dëshirojnë me reflektu te fëmija. Sipas Kushtetutës së Kosovës shkollimi fillor është obligativ. Në të njëjtën kohë duhet të garantohet barazia para gjithçkaje që në Kosovë garantohet me Ligje dhe me Kushtetutë. Këtu përfshihet edhe mosdiskriminimi kombëtar dhe fetar. Kjo është ajo për të cilën unë besoj sepse unë si i ri vetëm kam qenë i diskriminuar për shkak të etnisë time shqiptare. Kam qenë i diskriminuar në kohën e komunizmit për shkak të besimit tim. Edhe nuk besoj se duhet të lejohet që edhe tash në Kosovën e lirë të bëhen temë dymbëdhjetë raste që janë në Gjilan, apo 50 raste që janë në Kosovë. Kjo çështje duhet të zgjidhet mes familjes, Komunës dhe Ministrisë së Arsimit.

Express: A është më mirë ju me provu me i bindë ata fëmijë dhe familjarët e tyre që të shkojnë në shkollë si të gjithë. A do ta kishit marrë përsipër ju një mision të tillë?

L. Haziri: Është e pandershme me kërku prej njerëzve me ndërru besimin. Bota e internetit na e mundëson që me lexu në të gjitha gjuhët dhe me besu në atë që dëshiron me besu. Ata që kanë lindur me një besim të trashëguar, apo ata që në bazë të vlerësimit e ndërrojnë besimin e vetë është çështje e tyre. Por, është e pandershme me kërku që politikanët apo autoritetet tjera me e ndryshu dhe me kërkuar prej shoqërisë me ndryshu besimin. Ky është gabim edhe më i madhe, ky është gabim edhe më i rëndë që nuk guxon me ndodh. Njerëzit ashtu siç besojnë duhet t’i pranojmë.

Express: Pse për shkak të dy dymbëdhjetë rasteve në Gjilan e pesëdhjetë rasteve në Kosovë duhet të ndryshohet Udhëzimi Administrativ i Ministrisë që e ndalon bartjen e shamisë?

L. Haziri: Udhëzimi Administrativ nuk është më i fuqishëm se Ligji dhe më i fuqishëm se Kushtetuta. Kushtetuta garanton mosdiskriminim. Edhe në Udhëzimin Administrativ duhet të vlejë parimi i mos diskriminimit dhe të ndryshojë formën e vetë. Sepse në Kosovë edhe ndodh që fëmija ortodoks të mësojë sipas kurrikulave të Serbisë, ku mësimi fetar është i obligueshëm. Edhe fëmijët e besimit muslimanë, qofshin në gjuhën turke apo boshnjake, po ashtu, aplikojnë. Ky raport me shumicën shqiptare në Kosovë ka të bëjë me një të drejtë që mund t’iu garantohet fëmijëve. Nuk është uniformë tipike që po mundohen me e plasu. Ka lidhje me besimin e fëmijëve. Besimi i fëmijëve duhet të pranohet ashti siç është dhe e drejta për shkollim duhet të garantohet sepse nuk mund të vazhdojmë të themi se aplikohet kjo formë apo ajo formë për shkak të kësaj natyre. Edhe më tutje po vazhdojmë të aplikojmë diskriminim pozitiv për shumëçka në Kosovë, kur vjen puna te vajzat shqiptare dhe të fëmijët shqiptarë aplikohen standarde të dyfishta.

Express: A po i shkelni ligjet në fuqi dhe Kushtetutën duke folur në favor të shamisë në shkolla?

L. Haziri: Nuk e di pse tash është bërë kjo temë kaq shumë në interes të gazetës, edhe të publikut. Kjo nuk ka të bëjë me shkeljen e ligjeve në Kosovë. Pra, ka të bëjë me të drejtën elementare që ju garantohet njerëzve me pas besimin e vetë, me e ruajt dhe me zhvillu besimin e vetë. Ju po folni se a e shkelë ligjin nëse shkon dikush në xhami ose nëse dikush shkon në kishë. Nuk e shkelë.

Express: Ju pamë në një intervistë në televizion ku ishim shumë i zëshëm për shaminë por jo edhe aq për zgjidhjen e 1000 probleme të Gjilanit?

L. Haziri: Njëmijë problemet që janë në Gjilan i ka pjell, i ka bërë kjo qeverisje që ka humb tashmë në Gjilan. Ka dalë prej zyrave. Por, ato probleme do të zgjidhen. Ato probleme janë të identifikuara dhe një nga një do të zgjidhen. Natyrisht, se të gjitha ato probleme të krijuara e të trashëguara në Gjilan do t’iu jepet zgjidhje graduale. Sepse në Gjilan s’ka humbur askush, natyrisht se rezultati që dikush ka marrë mandat me udhëheq e dikush jo. Kjo është ajo që na dallon prej situatës post zgjedhore. Por, problemet që lidhen me jetën e qytetarëve, me infrastrukturën publike, me infrastrukturën bazike, me mungesën e investimeve kapitale, me borxhe komunale, me borxhe të tjera, i jepen zgjidhje graduale mbi bazën e referimit vetëm në Ligjet e Kosovës, edhe në tri ligjet bazike që janë: Ligji për vetëqeverisjen lokale; Ligji për Menaxhimin e Financave dhe Ligji për Arsimin Fillor dhe të Mesëm.

Express: A e keni edhe mbështetjen e LDK’së për kauzë tuaj për shaminë?

L. Haziri: Tash prej njëmijë problemeve po e kthen të një problem i vetëm. Mbështetja politike e qytetarëve të Gjilanit dhe e LDK’së është tregu në zgjedhje. Nuk e di pse duhet me pyet për diçka që është konfirmu me votë qytetare në Gjilan. Me61 përqind është mbështet politika që unë e kam artikulu në emër të LDK’së në Gjilan. 61 përqind e qytetarëve e kanë mbështet qëndrimin tim politik, edhe për Programin, edhe për politikat komunale, për problemet komunale, edhe mosinvestimet në Komunë, edhe për problemet e shamisë, edhe për problemin e shkollave, edhe për problemin e shëndetësisë dhe të gjitha problemet tjera.

Express: Ibrahim Rugova, të cilit i referoheni ju shpesh, nuk do të pajtohej me këtë që po bëni?

L. Haziri: Nuk mund të flitni ju në emër të një njeriu, i cili nuk jeton më. Nëse e gjeni një raste të vetëm ku ai ka qenë kundër kësaj, ose një deklaratë, ose një qëndrim politik, ose një qëndrim publik ose privat, atëherë botojeni. Por, Presidenti Rugova ka qenë President i të gjithëve, ka qenë President i Shqiptarëve, ka President i qytetarëve të vetë, ka qenë President i LDK’së, në të cilën ka pasur shumicën e qytetarëve të Kosovës mbrapa. Ka qenë i barabartë me xhami, me kishë dhe me besimet tjera. Rugova ka qenë luftëtari me i madh i të drejtave të njeriut në Europë. Ai ka udhëheq politikën anti diskriminim dhe anti qëndrimit ksenofobik në Europë. Ai ka qenë lideri i identifikuar që është marrë me zbatimin e lirive dhe të drejtat e njeriut. Ai kurrë s’do të lejonte të shkelen të drejtat bazë të qytetarëve të Kosovës.

Express: A e dini disponimin e gjilanasve për këtë, a është çështja e shamisë edhe vullnet i tyre …në anën tjetër është folur shumë për mënyrën e jetës tuaj keni thënë se jeni roker , konsumoni alkohol dhe në të njëjtën kohë shkoni në xhami dhe jeni fetar. A s’ju duket kjo një kontradiktë apo thjeshtë jeni një politikan që përdorni fenë për arsye populliste?

L. Haziri: Po më vjen keq, përgjigjen adekuate e kam dhënë njëqind herë dhe po e përsërisë edhe tash. Të besuarit në Zot dhe në Familje nuk të bënë të dallueshëm prej të tjerëve. Unë e kam besimin, e kam familjen dhe besojë në Zot, besoj në Familje dhe besoj në Shtet. Kjo është ajo në të cilën unë jam ndërtuar si politikan gjithmonë. Në të njëjtën kohë unë jam qytetar i Kosovës, jam shqiptar dhe kombi jem, etnia ime kombëtare- të qenit shqiptar – është mbi gjithçka. Tendenca e rivalëve të mijë kanë qenë denigruese, jocivilizuese, jo qytetare, jo europiane, jo njerëzore gjatë këtij muaji që kemi kaluar. Sepse unë prej moshës fëmijërore e kam marrë edukatën fetare. Prej moshës shtatë vjeçare kam marrë shkollën e rregullt fetare në familje dhe në xhami. Edhe kjo nuk lidhet me dicka që ka ardhur shumë vonë. Të jesh pjesë e një gjenerate që është zhvillu në Kosovë dhe në Gjilan, të qenit pjesë e asaj që duhet moderne të bën me ec me kohën tënde. Unë kam ec me kohën time, kam ecur me gjeneratën time. Kam ecur me jetën time dhe s’kam qenë asnjëherë peng dhe i ngulfatur nga qëndrimet ortodokse fetare dhe as nga qëndrimet ortodokse politike. Unë e kam ruajtur vijën time të angazhimit tim politik kombëtar dhe besimin tim deri në fund. Kjo më mbanë tërë jetën. Kurrgja nuk ka kontradiktore. Ajo që neve na dallon që kemi kombin mbi të gjitha. E kemi familjen mbi të gjitha dhe besimin në Zot e kemi ruajtur dhe duhet ta ruajmë. Me manipulu me këto tri çështje nga rivalet politikë, me gjuhën më denigruese. Unë nuk e mohoj kurr shenjën time. Askush s’ta ndalon ty as feja as askush me bartë vathë. As nuk ta ndalon me pas tatuazh.

Express: Si e shpjegoni përshëndetjet me katër gishtërinj që është simbol i vëllazërisë myslimane?

L. Haziri: Ajo është katër projektet prioritare në Komunën e Gjilanit. Katër projekte të mëdha të infrastrukturës bazike. Katër projekte për familjen dhe katër projekte për bujqësinë. Ky ka qenë simbol i projekteve në Gjilan. Nuk ka qenë simbol i vëllazërisë muslimane dhe as simbol që ju mund të sillni për motive të caktuara.

Express: Dihet se 200 të rinj kanë shkuar në Siri për të luftuar dhe për këtë pati një reagim të BE’së. A po ndikojnë këto temat fetare që këta të rinj po shkojnë për të luftuar në një vend islamik?

L. Haziri: Nuk ndikojnë, por në Kosovë secili duhet ta kuptojë se populli është fetar, por mbi të gjitha është kombëtar. Besimin mysliman, katolik dhe ortodoks e kanë dhe e kanë pasur gjithmonë historikisht. Në Kosovë ka qenë një periudhë e errët, në të cilën njerëzit kanë qenë ateistë ose janë identifikuar me ateizëm përderisa baba dhe nëna i ka shkuar në xhami ose në kishë. Ajo kohë ka perëndu. Koha e komunizmi ka përfundu ku njerëzit s’kanë besuar në Zot nga frika pushtetit. Njerëzit, në shekullin XXI janë të lirë të lirë të besojnë ose edhe të mos besojnë. Askush s’mund të ju detyrojë juve të jeni mysliman, katolik apo ortodoks. Por, populli jonë historikisht ka besuar në Zot dhe askush s’mund ta ndalë besimin si e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Nuk e mbështesë asnjë lloj iniciative të përfshirjes së të rinjve dhe të rejave shqiptare në kriza kudoqofshin në botë. Sepse nuk duhet të ndërhyjmë në një konflikt që është më shumë fetar dhe ideologjik në Siri. Konflikti ideologjik dhe fetar atje nuk i bën thirrje dhe as nder askujt për të qenë pjesë, përkundër që shqiptarët kanë marrë pjesë prej luftës civile në Spanjë e deri te luftërat e fundit. Pra, asnjë i ri nuk duhet të shkojë në asnjë vend për të luftuar, qoftë për motive ideologjike ose të tjera.

* Artikulli është sjell nga Gazeta Express i pa ndryshuar. Reflektimet janë të redaksisë dhe personale të intervistuarit. Jo domosdo përmbajtja e reflektuar këtu është reflektim i qëndrimeve tona si redaksi apo të parimeve të sakta islame. Redaksia nuk promovon asnjë person publik, kryetar, apo parti politike. Artikulli është sjell thjesht për informim.

Artikulli paraprakShpend Ahmeti: Kërkon Edi Ramën për mentor të Prishtinës
Artikulli vijuesIzraeli kryeson në prodhimin e avionëve pa pilot