Shkruan: Alaudin ABAZI
Nga aspekti i sheriatit nuk diskutohet ekzistimi dhe veprimi (ndikimi) i sihrit. Këtë e vërtetojnë shumë ajete kuranore dhe hadithe të Pejgamberit alejhi salatu ue selam. Buhariu dhe Muslimi shënojnë transmetimin e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, në të cilin thuhet se Lebid ibën El-Easami, një magjistar i njohur hebre i kishte përgatitur sihër Pejgamberit tonë, me qëllim që ta vriste.
Sihrin e kishte përgatitur në një krehër dhe kishte vënë qime në lëvoren e palmës, pastaj atë e kishte hedhur në gurin e pusit Zervan. Allahu i Madhërishëm i dërgoi melekët të lajmërojnë se ku gjendet sihri dhe kur u zbulua e u zhduk, Pejgamberi alejhi salatu ue selam u shërua.
Historiku i magjisë
Historiku i magjisë është shumë i vjetër. Në shumicën e kulturave antike, besimet dhe praktikat magjike kanë ekzistuar që në lindjen e qytetërimeve. Karakteristikat janë të ngjashme, ndërsa mënyra e zbatimit ndryshon. Magjia njihej në Babiloninë e lashtë, tek Egjiptianët e vjetër, Indi, Persi, te Grekët e vjetër, Tibet, Kinë etj. Në Francë janë gjetur disa piktura të periudhës së Paleolitit, të cilat provojnë përdorimin e magjisë për ndihmë në aktivitete të ndryshme, si gjuetia, ose për mënjanimin e reshjeve. Në librin “Historia e civilizimeve” të Uill Durantit thuhet: “Në mendjet e njerëzve në kohët e hershme mbretëronte ideja, se nëpër male dhe xhungla jetojnë xhinët, shejtanët, magjistarët, lugetërit, kukudhët, bëhen dasmat e xhinëve…”.
Në shkrimet e muslimanëve vërtetohet se historia e magjisë kthehet në kohën para ardhjes së Nuhut alejhi selam. Kjo për faktin se ndodhia e Harutit dhe Marutit e përmendur në Kuran ka ngjarë para Nuhit alejhi selam. Këtë e përmendin historianët e njohur muslimanë si Ibën Is’haku dhe të tjerë. Tregohet se si populli i Nuhut e akuzoi Nuhun se ishte magjistar, nga kjo nënkuptohet se ata dinin për magjinë. Gjithashtu edhe në kohën e Ibrahimit alejhi selam ishte e njohur magjia. Babilonasit adhuronin yjet dhe feja e tyre ishte e përzier me idhujtari dhe magji. Ndërsa në kohën e faraonëve të Egjiptit magjia ishte shumë e përhapur dhe ata garonin në magji. Për këtë Allahu i Lartësuar e dërgoi Musain alejhi selam me nëntë mrekulli, me të cilat i sfidoi banorët e Egjiptit dhe magjistarët e kuptuan se këto nuk ishin magji sikurse të tyret, por ishin mrekulli (muxhize) nga Allahu i Plotfuqishëm. Gjithashtu edhe në kohën e të Dërguarit Sulejman magjia ishte e përhapur, madje çifutët e akuzojnë atë si magjistar. Për këtë kur në Kuran zbritën emrat e disa të Dërguarve, ndër ta edhe emri i Sulejmanit alejhi selam, çifutët refuzuan që Sulejmani të ketë qenë i Dërguar, por thanë se ai ka qenë magjistar.
Trajtimi i magjisë (sihrit) te njerëzit
Në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet, si në perëndim ashtu edhe në lindje, magjia është trajtuar si diçka e keqe dhe jo e mirë. Shumë shoqëri dhe shtete në të kaluarën kanë paraparë dënime nga më të rëndat për ata që merren me magji. Dënimi më i lehtë për magjistarët ishte varja, ndërsa ata që akuzoheshin se merren me magji i dënonin me tortura, poshtërim, nënçmim, mallkim, konfiskim të pasurisë, internimin e familjes dhe shumë dënime të tjera. Franca, Gjermania dhe Italia i gjykonte magjistarët me ekzekutim duke i djegur për së gjalli. Kurse në Skoci i ekzekutonin duke i hedhur në një enë të madhe të mbushur me ujë të vluar. Në Angli i ekzekutonin me varje nëpër vende publike. Më të ashprit në dënimin dhe gjykimin e magjistarëve ishin inkuizitorët e krishterë në Spanjë. Kjo ishte për shkak se magjia ishte shumë e përhapur në atë kohë dhe shkaktonte probleme dhe rreziqe për njerëzit, prandaj ata përdornin forma nga më të rëndat, që të parandalojnë përhapjen e këtyre punëve të këqija. Në anën tjetër, në kohët e lashta kishte edhe perandorë, që i mbanin afër magjistarët për të realizuar qëllimet e tyre të ulëta nëpërmjet tyre gjatë sundimit. Nga fundi i shek. 18 u hoq dënimi i magjistarëve me ekzekutim dhe u zëvendësua me burgosje. Pas kësaj kohe prapë u ngjall interesimi i njerëzve për magjinë. Kështu u hapën disa vende, klube, që mblidhnin njerëzit e taborëve të ndryshme, te cilët mësonin dhe praktikonin magjinë (sihrin). Karakteristika e kësaj kohe ishte se te njerëzit u fillua të shikohet magjia me një sy pak më të mirë dhe jo me rrezikshmërinë që shihej në kohët e mëhershme. Nëse dikush akuzohej për magji, atëherë ai e mbulonte veten me pretendimin se është njohës i shkencës së kimisë dhe veprimet që bënte kishin të bënin me eksperimente kimike. Kështu filloi të përhapet sihri te njerëzit në një formë tjetër dhe pranimi i saj te njerëzit ishte më i lehtë.
Në kohën tonë sihri është gjithashtu i përhapur në forma të ndryshme dhe perceptimet e njerëzve ndaj tij janë të ndryshme. Disa e mohojnë tërësisht, disa ndiejnë frikë dhe nga dobësia e besimit që kanë i janë nënshtruar pothuajse plotësisht asaj. Nuk bëjnë asnjë lëvizje në jetë dhe për çdo vështirësi e problem shkojnë te magjistarët dhe kërkojnë nga ata që t`i ndihmojnë me magji, që të realizojnë apo të tejkalojnë problemet me të cilat ballafaqohen. Ndërsa kemi edhe disa të tjerë, që e gjykojnë sihrin si formë e marifeteve që përdorin disa të ashtuquajtur “iluzionistë”, të cilët me anë të performancave nëpër shfaqje dhe cirqe i joshin dhe i mashtrojnë njerëzit.
Magjia e bardhë dhe e zezë
Dy termat e lartpërmendur rreth magjive janë të njohur nga kohët e hershme dhe janë mjaft të përhapura, posaçërisht në kohën tonë. Nocionet magji e bardhë dhe magji e zezë interpretohen në mënyra nga më të ndryshmet, por esenca e tyre mund të përmblidhet në atë se magjia e zezë merret si sinonim i së keqes (magjisë së rrezikshme dhe të dëmshme), ndërsa magjia e bardhë është sinonim i së mirës (magjisë së dobishme dhe të mirë).
Në shekullin e 18-të pas lehtësimit të dënimit të magjistarëve, u shfaqën disa magjistarë që e mbanin vetes se janë të dijshëm dhe merren me shkencë, të cilët filluan të pretendojnë se jo të gjitha veprimet e sihrit janë të dëmshme. Këta argumentonin me disa veprime sihri, të cilat i kryenin në disa punë të nevojshme për njerëzit, si shërimi nga sëmundjet, rregullimi i raporteve familjare (mes burrit dhe gruas), ndihmesa në tejkalimin e problemeve etj. Kështu ata filluan t`i arsyetojnë magjitë e tyre dhe t’i konsiderojnë si të dobishme dhe të nevojshme këto veprime të tyre dhe i quajtën magji e bardhë. Mirëpo faktin që duhet ta kuptojë secili në lidhje me sihrin është se për t`u realizuar magjia, pa marrë parasysh për çfarë qëllimi duhet, nevojitet bashkëpunimi me shejtanët dhe xhinët. Ne duhet ta dimë se Islami ka zbritur që t`i mbrojë njerëzit nga të gjitha rreziqet dhe dëmet, kështu shohim se çdo dispozitë, ndalesë qoftë apo urdhëresë synon ruajtjen e interesit të njeriut, e cila përmblidhet në pesë gjëra: feja, jeta, mendja, pasuria dhe nderi i njeriut. Këto pesë domosdoshmëri Islami i bëri baza në përligjjen e dispozitave, prandaj ndalohet vrasja pa të drejtë, ndalohet zinaja, ndalohet alkooli, urdhërohemi për xhihad, etj. Në Islam sihri nuk është i përligjur të jetë njëri nga mekanizmat me të cilat arrihet ruajtja e njërit nga këta pesë objektiva të përmendur më lart. Sihri dhe kufri shumë pak kanë dallim në mes vete; magjia është formë me të cilën njerëzit humbin pasuri, magjia është rrugë e përhapjes së amoralitetit, historia e sihrit është vetëm terr dhe errësirë. Ajo është ana e zezë e “përparimit” njerëzor nëpër historinë e intrigave, tradhtive e iluzioneve të shejtanit si mjete për mashtrimin e robërve të Allahut, që për pasojë të fundit të shkrihen në llojet më të rënda të gjynaheve të pafalshme të mosbesimit (kufrit, shirkut dhe devijimit), prej nga nuk ka më kthim në rrugët e shpëtimit. Kur kemi folur për realitetin e sihrit kemi sqaruar se për të realizuar sihrin duhet të shkelen shumë ndalesa, pasi shërbimi të cilin ia kryejnë xhinët magjistarit bëhet duke e rikthyer magjistari këtë shërbim me ndonjë vepër tjetër që arrin shkallën e kufrit, sikurse therja kurban për xhinët, lutja e tyre, kryerja e disa veprimeve të këqija dhe të ulët.
Realiteti i magjisë dhe i magjistarëve nga pikëpamja Islame
Sihri është një lloj shkathtësie dhe njohurie, që fitohet me mësime e ushtrime, pas bërjes së punëve të ndaluara, të cilat arrijnë shkallën e kufrit dhe shirkut, krejt kjo si kusht për të hyrë në fshehtësitë e magjisë, e cila ndalohet rreptësisht me sheriat. Kjo është një kontratë e magjistarit me xhinin (shejtanin), që në një mënyrë të caktuar t`i bëjë sihër ndonjë personi. Me sihër shkaktohen shumë gjëra; impotenca, ndarja mes burrit dhe gruas, probleme të natyrave të ndryshme, futje e frikës në njerëz, dhembja e kokës, migrena, marrja e të folurit, paralizimi i pjesshëm apo total etj. Krejt kjo bën pjesë në sihër, gjatë së cilës magjistari e përdor xhinin ose shejtanin, si shërbëtor për realizimin e këtyre të këqijave dhe e drejton atë me sihër te personi i caktuar me të cilin ai lidhet, hyn në trupin e tij dhe shkakton simptomat e sëmundjeve të përmendura. Magjistari në këtë rast është projektues i gjendjes së sëmundjes, kurse xhini realizues praktik i projektit të tij. Në përgatitjen e sihrit shfrytëzohen gjëra të ndryshme, që i përkasin të sëmurit (të sulmuarit), siç janë: rrobat, flokët, thonjtë e të ngjashme. Pastaj sihri i përgatitur futet në gropë apo fshihet, pasi këndohen apo bëhen ritualet e caktuara magjike, që me siguri përmbajnë elemente të kufrit. Pas kësaj xhini zbaton pjesën e vet të punës, që e ka pranuar ta bëjë me kryerjen e ritualit të caktuar dhe këndimit të magjistarit.
Thirrja e xhinit dhe kontrata në mes magjistarit dhe xhinit bazohet pikërisht në fjalë e vepra kufri dhe shirku. Me fjalë të tjera, sihri përgatitet në bazë të dëgjueshmërisë dhe adhurimit të shejtanit. Dëshira më e madhe e shejtanit është që t’i kthejë njerëzit nga adhurimi i drejtë i Allahut të Madhërishëm dhe t’i shtijë në ujërat e mosbesimit. Në këtë drejtim ai ka paramenduar forma, rrugë e programe të mrekullueshme veprimi, që çojnë në pasojën e fundit, në kufër.
Dispozita sheriatike rreth magjisë dhe fallit
Magjia dhe falli janë vepra të ndaluara dhe të rrezikshme në Islam, në këtë ka unanimitet mes ulemave në përgjithësi. Ibën Kudame thotë: “Mësimi i magjisë dhe mësimi i të tjerëve është haram dhe nuk dimë nëse ka dikush nga ulematë, që e ka kundërshtuar këtë dispozitë.” Njësoj shprehet edhe Neveviu në komentimin e Sahihut të Muslimit dhe shumë dijetarë të tjerë në libra të ndryshëm theksojnë dhe tërheqin vërejtjen për këtë vepër të rrezikshme. Madje shumica e dijetarëve, si Ebu Hanifja, Maliku, Ahmedi dhe të tjerë janë të mendimit se marrja me magji është kufër (mosbesim).
Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyra nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (Maide, 90)
Shërimi i magjisë
Ndër specifikat me të cilat karakterizohet Kurani është edhe ajo, se është shërues për njerëzit, gjegjësisht për besimtarët. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne të shpallim Kuranin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët.” (Isra, 72). Prandaj leximi i Kuranit me qëllimin e mbrojtjes nga magjia, mësyshi, cytjet e shejtanit dhe të xhinëve është forma më e mirë për besimtarin. Nuk do të zgjerohem shumë në çështjen e shërimit nga sihri, pasi në disa raste të tjera kemi folur për këtë, por dëshiroj t`i bëj me dije lexuesit, se kur Muhamedit sal-lallahu alejhi ue selem i kishin bërë magji, ai është shëruar me Kuran. Tregohet se ky ishte edhe shkaku i zbritjes së dy sureve të fundit të Kuranit, kapitujt “Felek” dhe “Nas”. Udhëzimi të cilin duhet ta pasojë muslimani në të gjitha gjërat duhet të jetë ai i Muhamedit sal-lallahu alejhi ue selem. Sot ekzistojnë njerëz të dijshëm, të cilët e bëjnë shërimin e sihrit me anë të “rukjes” , prandaj nga ne kërkohet të shkojmë tek ata, nëse ndiejmë nevojë. Këta njerëz më së pari janë hoxhallarë të vërtetë, pastaj njihen te njerëzit për mirësi dhe praktikim të denjë të Islamit. Gjithashtu këta njerëz nuk përdorin metoda të ndaluara për shërim, por shërimin e kryejnë duke lexuar Kuran dhe duke i lexuar lutjet e Muhamedit sal-lallahu alejhi ue selem. Në anën tjetër, duhet të kemi kujdes nga shkuarja te njerëzit, të cilët pretendojnë se shërojnë nga magjia. Ata vetëquhen “hoxhallarë” dhe muslimanë, por me praktikat, të cilat i përdorin dhe me realitetin e tyre në raport me praktikën islame shohim se janë njerëz mashtrues. Qëllimi i tyre është përfitimi material dhe kjo arrihet shumë lehtë nga njerëzit që kanë nevojë, janë në vështirësi dhe janë të sëmurë.
Disa nga referencat e konsultuara:
1. Ligjërata: “Es-sihru Dhalikel Alemul Mexh`hul”, shejh Memduh el-Harbi.
2. Tema “Tarihu Sihër”.
3. “Magjitë, Sihri, Xhinët dhe shërimi nga ato”, dr. Muharrem Shtullanoviq.
4. “Magjia e bardhë dhe e zezë”, Sabir Krasniqi.
5. http://sq.wikipedia.org/wiki/Magjia.