Gazeta e Podgoricës “Vijesti”, duke u thirrur në burimet e saj të shërbimeve të sigurisë, ka raportuar se Mali i Zi ka vendosur pjesëtarë të njësitit antiterrorist në kufi me Kosovën.
Si arsye përmenden konfliktet e mundshme për shkak të kundërshtimeve në Kosovë ndaj marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi.
Po ashtu, “Vijesti” njofton se në zonën kufitare pjesëtarët e njësitit antiterrorist janë duke patrolluar me armë të gjata, ndërsa bëhet e ditur se atje janë sjellë edhe mitralozë, transmeton Gazeta Express.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditë më parë ka akuzuar eksponentë të opozitës se kanë pretendime territoriale ndaj Malit të Zi.
Ndërkohë sot, Presidenti malazias, Filip Vujanovic, ka thënë se Malit të Zi nuk i duhet asnjë centimetër i Kosovës, dhe se malazezët nuk presin incidente në kufirin me Kosovën.