Maqedonia në kufirin jugor të saj lejon vetëm një numër të kufizuar të refugjatëve, ndërkohë që vazhdon me selektimin e refugjatëve afganë, duke u dhënë vërtetime vetëm shtetasve nga Siria dhe Iraku.
Përfaqësuesit e UNHCR-së nga terreni thonë se në Maqedoni pranohen vetëm 50 refugjatë në orë, ndërkohë që nga ana greke në pritje për të kaluar kufirin janë mbi 2 mijë refugjatë nga Siria dhe Iraku. Autoritetet maqedonase thonë se numri i refugjatëve që do t’iu jepen vërtetime për të kaluar kufirin varet nga numri që do të pranojnë vendet e Evropës Perëndimore, raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësues i UNHCR-së në kufirin jugor të Maqedonisë, Haidar Fahad tha se numri më i madh i refugjatëve që kalojnë kufirin janë nga Siria dhe një numër më i vogël nga Iraku, ndërsa për refugjatët afganë tha se edhe ata që prisnin në anën greke janë kthyer në Athinë.
Në lidhje me refugjatët afgan të cilët janë të bllokuar tashmë prej disa ditësh në kufirin verior të Maqedonisë, në Tabanoc, Fahad u shpreh se situata me ata ende mbetet e paqartë dhe nuk dihen vendimet që do të merren në të ardhmen.
Mëngjesin e sotëm një tren me rreth 730 refugjatë u transportuan nga Gjevgjelia për në kufirin verior të vendit, ndërsa momentalisht në qendrën për pritje të refugjatëve në kufirin jugor ndodhen rreth 150 refugjatë, të gjithë nga Siria dhe Iraku.