MASHT-i fajësohet për librat me përmbajtje të papranueshme për nxënësit

“Mos harroni se shkumësi të ndihmon për t’u sëmurë sa herë që dëshiron”, kështu shkruan në njërin nga mësimet në Librin e Leximit të klasës së katërt, ku rrëfehet për një nxënës që ha shkumës në mënyrë që të sëmuret dhe të mungojë në shkollë.
 
Libri përfundon me porosinë: “Kush nuk beson le ta pijë ujin me shkumësin e tretur në të dhe do të shikojë se sa shpejt do t’i ngrihet temperatura”.
Këtë libër e ka lejuar të botohet dhe të përdoret Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ndërsa ky është vetëm njëri ndër lëshimet e shumta që janë evidencuar nëpër tekstet shkollore, ndryshimi i të cilave po kërkohet të bëhet domosdo nga ekspertët e arsimit, shkruan “Koha Ditore”.
 
E në një tjetër mësim, po ashtu në Librin e Leximit të klasës IV është një anekdotë me titull “Tërshanë n’sofër për darkë”, në të cilët përdoret gjuhë jostandarde dhe me fjalë fyese. Ndër të tjera aty shkruan se “ky shoki jem asht kali i madh”.
 
Janë këto vetëm disa nga gabimet e shumta logjike e edukative, drejtshkrimore e teknike që janë bërë nëpër librat shkollorë të sistemit arsimor të Kosovës, e të cilat kanë ngritur shqetësim tek prindërit, nxënësit dhe profesionistët e arsimit.
 
Për këtë janë në dijeni edhe institucionet përgjegjëse, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe shtëpitë botuese, por asnjëra nga to nuk e marrin përgjegjësinë për defektet.
Artikulli paraprakSerbia kryeson forumin ndërkombëtar të NATO-s SEEGROUP
Artikulli vijuesOKB: Libisë t’i vihet embargo armësh