Përpjekjet e Rusisë për të shkaktuar përçarje në perëndim, nuk do të kenë sukses dhe ato tashmë kanë ndikuar që aleatët perëndimorë të punojnë së bashku për ta kundërshtuar përzierjen e Moskës, tha mbrëmë vonë në Londër, kryeministrja e Britanisë, Theresa May.
Mëtutje, zonja May i ka cituar aksionet aktuale të Rusisë për të cilat ajo tha se “e kanë kërcënuar rendin ndërkombëtar”, duke filluar prej aneksimit ilegal të Krimesë së Ukrainës, në vitin 2014 e deri te përpjekjet aktuale për shfrytëzimin “e informacionit si armë” nëpërmjet sulmeve kibernetike dhe rrjedhjeve të informacioneve në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Moska “po vendos organizata mediale të udhëhequra nga shteti për të plasuar tregime të rrejshme” dhe fotografi të përpunuara me programe digjitale “në përpjekje për të shkaktuar mosmarrëveshje në perëndim dhe për shkatërrimin e institucioneve tona”, tha Theresa May.
“Prandaj e kam një mesazh të thjeshtë për Rusinë: ne e dimë se çka po bëni dhe ju nuk do të keni sukses”, tha zonja May dhe ka shtuar se “Londra “do të ndërmarrë aksione të domosdoshme për ta kundërshtuar aktivitetin rus”, nëpërmjet aleancës së NATO-s dhe lidhjeve të tjera.
“Mbretëria e Bashkuar do të mbetet pakushte e përkushtuar për ruajtjen e sigurisë së Evropës”, tha Theresa May.