Pensionistët e TMK-së, letër Thaçit

0
131

Pensionistët e TMK-së nga rajoni i Drenicës, të revoltuar pse nuk janë përfshirë në rritjen e pensioneve, i kanë dërguar letër reaguese kryeministrit Hashim Thaçi, në të cilën kanë kërkuar korrigjimin e vendimit të tij.

Kjo kategori e pensionistëve, në letrën e tyre fillimisht kanë thënë se ky vendim i ka goditur, pasi i pari i Qeverisë së shtetit nuk i ka ranguar në pensionistë kontributdhënës.

“Ne, pensionistët e Zonës Operative të Drenicës, jemi shokuar me lajmin se pensionet tona nuk do të rriten edhe pasi ju, z. kryeministër, keni premtuar se pensionet do të rriten për të gjitha kategoritë. Meqenëse ne nuk jemi përfshirë në rritje të pensioneve, duam t’ju pyesim se cilës kategori të pensionistëve i takojmë ne”, thuhet në letrën e pensionistëve ish- ushtarë, shkruan “Koha Ditore”.

Ata ia kanë rikujtuar kryeministrit aktual nxjerrjen e Ligjit për TMK-në, me të cilin paga e komandantëve ishte përcaktuar 600 euro, ndërsa e ushtarëve 191 euro, ndërkohë që tash jetojnë me vetëm 136 euro në muaj, dhe e pyesin atë “si t’i mbajmë ne nga 10 anëtarë të familjes me kaq pension”.

“Ju thatë se pensionet do t’u rriten pensionistëve kontributdhënës, por edhe ne pensionistët e TMK-së ishim kontributdhënës, sepse sa ishim në marrëdhënie pune paguanim kontributet për çdo muaj, kurse tash paratë tona i shfrytëzon Trusti Pensional i Kosovës, ku ne nuk kemi të drejtë t’i marrim paratë tona”, thuhet tutje në letrën drejtuar Thaçit, të cilit ia kujtojnë edhe premtimin tjetër se me ngritjen e pagave për pjesëtarët e FSK-së do të rriten edhe pensionet e TMK-së.

Në fund të letrës se pensionistëve të TMK-së të rajonit të Drenicës shprehet shpresa se kryeministri “ka harruar” se edhe këta janë pensionistë kontributdhënës, dhe se do të korrigjohet vendimi për ngritje të pensioneve, duke përfshirë në të edhe 150 pensionistët e TMK-së të kësaj ane.kohaislame