Mbi kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve

“Ka vetëm një drejtësi që e çimenton shoqërinë dhe një ligj që e vendos këtë drejtësi. Ky ligj është arsyeja e shëndoshë që përbën rregullin e vetëm për çfarë lejohet dhe çfarë ndalohet.

Kushdo që neglizhon këtë rregull është i padrejtë dhe i lig

Procesi i zbatimit në praktikë të Reformës në Drejtësi pothuajse nuk ka nisur ende. Mirëpo, nga mënyra dhe cilësia e hapave të parë do të varet edhe e ardhmja e këtij sistemi. Zgjedhjet dhe miratimi i anëtarëve të KED-së dhe KLP-së do të jenë mjaft të rëndësishëm për vazhdimin e mëtejshëm të punës për përmirësimin e sistemit. Përbërja e këtyre institucioneve si dhe e atyre pasardhës duhet të jetë një proces shumë serioz dhe i përgjegjshëm.

Pavarësisht gjendjes thuajse katastrofale të drejtësisë në Shqipëri, e vërteta është se ka pasur dhe ka, ndonëse pak, individë me integritet moral dhe aftësi profesionale që mund dhe duhet të kryejnë funksionet e ardhshme institucionale. Gjithë çështja është sa e si do të zgjidhen ata dhe sa do të zbatohen kriteret e zgjedhjes nga institucionet shqiptare dhe veçanërisht politika vendimmarrëse.

Armiku më i madh që kërcënon cilësinë e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve mbetet politika. Nëse organet ligjvënëse dhe, pastaj, derivatet e tyre do të mbajnë si kriter të heshtur të përzgjedhjes përkatësitë apo simpatitë politike të kandidatëve ky do të ishte një hap drejt dështimit të qëllimit. Pavarësisht dëmeve të mëdha që ka shkaktuar Sali Berisha gjatë kohës që ka qenë në pushtet, duke e konsideruar drejtësinë si çetë shërbëtorësh politikë, aftësitë profesionale dhe integriteti moral i individëve nuk duhen vlerësuar të lidhura me ngjyrat politike.

Popullit shqiptar nuk i nevojitet zëvendësimi i juristëve kollareblu me ata me kostume rozë, por zëvendësimi i të korruptuarve moralisht dhe të paaftëve profesionalisht me njerëz me integritet moral dhe nivel të lartë profesional. Kjo tërheqje vëmendjeje është së pari për shumicën e majtë parlamentare dhe pastaj për opozitën.

Në emrat e publikuar në shtyp për emërim në dy institucionet (gjykatë dhe prokurori) ka individë të vlefshëm moralisht e profesionalisht që u përkasin simpative politike të të dy krahëve, ashtu siç ka edhe persona të dëmshëm që anojnë nga të dy krahët politikë.

Dihet tashmë se dukuria më e përhapur dhe më e dëmshme e veprimtarisë së institucioneve të hetimit dhe gjykimit ka qenë dhe është kalbëzimi moral i tyre. Por dihet po kaq mirë që kjo është një sëmundje që ka prekur rëndë politikën dhe, me ndihmën e saj, mbarë shoqërinë shqiptare. Atëherë lind pyetja: A munden “mjekët” e sëmurë të shërojnë sëmundjen e drejtësisë? Përgjigjja është se dikush duhet ta bëjë këtë pasi nuk bëhet me “Frymën e Shenjtë” dhe, ndoshta, ndihma e huaj do të japë njëfarë efekti megjithëse jam i sigurt se të huajt, sado të aftë dhe të ndershëm të jenë, nuk i njohin njerëzit dhe problemet siç i njohim ne.

Korrupsioni më i përhapur në veprimtarinë gjyqësore ka qenë ai që lidhet me pronat. Dhënia e pronave, sidomos sipërfaqeve të tokave, individëve që s’i kanë pasur kurrë në pronësi ka qenë një krim i kudogjendur në ndërtesat e drejtësisë në mbarë vendin. Por, jo më pak i dëmshëm dhe kriminal mbetet mosdhënia e pronave, kur ka qenë e mundur, pronarëve të vërtetë dhe të kahershëm.

Ky fenomen ka marrë përpjesëtime të larta veçanërisht nga viti 2015 e në vazhdim, kur ndodhi fillimi i nismës së qeverisë për Reformën në Drejtësi, shoqëruar me propagandë të nevojshme e të panevojshme. Gjyqtarë të paaftë por, më së shumti, të pandershëm dhe mëkatarë të mëhershëm, iu kanë mohuar pronësinë padrejtësisht shumë individëve, duke u udhëhequr nga motoja “larg b… time, se nuk i dihet!”.

Personalisht njoh disa raste të tilla, por më ka bërë përshtypje rasti i një të njohurit i cili, megjithëse të parët e tij e kanë pasur në pronësi prej rreth dyqind vitesh një sipërfaqe pyjore kullosore dhe megjithëse nuk kanë konflikte pronësie dhe as mbivendosje pronash dhe, madje, disponojnë dokumentin e Arkivit të Shtetit që iu njeh si pronësi një sipërfaqe edhe më të madhe se ajo që kërkojnë, gjykatat i sjellin vërdallë dhe i përcjellin tutje-tëhu me “argumente” të gënjeshtërt teknikë dhe ende çështja fle në sirtarët e Gjykatës së Apelit Shkodër.

Gjyqtarët që mohojnë drejtësinë, pavarësisht motiveve nga të cilat shtyhen, janë po aq të padenjë sa ata që kanë tjetërsuar pronat e qytetarëve gjatë këtyre viteve.

Një rrezik tjetër që i kanoset sistemit të përzgjedhjes të gjyqtarëve dhe prokurorëve është edhe plotësimi i dokumentacionit që lidhet me nivelin profesional dhe sidomos vërtetimin e të ardhurave ndër vite. Rreziku bëhet i pranishëm nga mungesat në dokumentacion prej nga duhen marrë të dhënat. Përgjatë 26 viteve të fundit, në 4-5 bashki të vendit ka ndodhur djegia dhe shkatërrimi i disa gjykatave dhe prokurorive.

Me të drejtë mund të thuhet se përgjithësisht, “hajnat e drejtësisë” njihen si nga opinioni publik ashtu edhe nga autoritetet shtetërore e politike. Mirëpo këtu nuk duhet të ecet me hamendje, por me vërtetim të papërputhshmërisë së pronësisë me burimet e të ardhurave. Palaçot që pretendojnë se këto apo ato pasuri të mëdha i kanë të dhuruara nga të afërmit e tyre apo nga “bixhozi” duhen shporrur nga institucionet e drejtësisë dhe të ngjashmit e tyre nuk duhen lejuar t’iu afrohen institucioneve të reja.

Një tjetër element delikat i verifikimit të figurës së gjyqtarëve apo prokurorëve mbetet “lidhja” e tyre me botën e krimit. Në “lojën” e tyre për të mbajtur apo kapur sistemin e ri të drejtësisë individë apo forca të ndryshme politike mund të sajojnë apo keqinterpretojnë momente të fotografuara apo filmuara ku njëri apo tjetri kandidat për gjyqtar apo prokuror ndodhet në një mjedis me ndonjë element kriminal.

Më ka rastisur një herë që të jem duke pirë kafe me një gjyqtar të nderuar, me integritet të padiskutueshëm moral. Pas pak minutave iu afruan tryezës sonë dy persona të panjohur për mua, por njëri prej tyre ishte punonjës i shtetit dhe njihej me gjyqtarin. Pasi u prezantuan si kushërinj të parë dhe morën leje për t’u ulur qëndruan me ne për rreth 30 minuta. Si unë ashtu edhe gjyqtari në fjalë e morëm vesh të nesërmen se “kushëriri i parë” i zyrtarit shtetëror kishte qenë një njeri i rrezikshëm i botës së krimit. Ky fakt nuk tregon kurrfarë lidhjeje të gjyqtarit me elementët kriminalë. Rastësi të tilla mund të ketë shumë në Shqipërinë tonë ku krimineli bëhet deputet dhe kryekrimineli bëhet dy herë kryeministër.

Një element shumë i rëndësishëm i përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve është edhe aftësia e tyre profesionale dhe, sidomos, e shkuara e vendimeve të dhëna prej tyre. Gjykatësit janë qenie njerëzore dhe, si të tillë, nuk përjashtohen të gabojnë. Prandaj një ose fare pak vendime të padrejta apo të diskutueshme nuk e rrëzojnë personalitetin e tyre. Ama kur shumica e vendimeve gjyqësore mbeten të diskutueshme apo të rrëzuara nga gjykatat e shkallëve më të larta, atëherë këta individë nuk duhen pranuar të vazhdojnë më tutje gjykimin e shqiptarëve.

Po kështu duhen përzënë sa më parë nga sistemi i drejtësisë gjyqtarë të tillë, si ata që kanë liruar nga burgu të arrestuarit nga policia që ishin dënuar më parë nga gjykatat italiane me rreth 20 vjet burg, siç ka qenë një rast në Fier, apo ata që dënojnë me gjobë të madhësisë së rrogës të një muaji mjekun që i ka vdekur pacienti për mjekim të gabuar apo atë që i heq veshkën qytetarit pa arsye shëndetësore, por për të futur në xhep disa dhjetëra mijëra lekë.

Shkelja e të drejtave të qytetarëve gjatë hetimit apo gjykimit është po aq e paligjshme dhe kriminale sa favorizimi i paligjshëm i të hetuarve apo gjykuarve. Gjyqtarë që kanë mbyllur procese penale për vjedhje dhe shpërdorime të qindra miliona dollarëve me pretekste të shkeljeve të afateve kohore apo ata që në rastet e gjykimit të politikanëve i konsiderojnë të pavlefshme proceduralisht kasetat e filmimeve, ndërsa në rastet e qytetarëve të thjeshtë i marrin si prova të pakundërshtueshme, duhen larguar nga sistemi i ardhshëm i gjykimit.

Po kështu edhe prokurorët dhe gjyqtarët që kanë zvarritur dhe zvarrisin prej 21 vitesh procese të sajuara si ai i “Hakmarrjes për Drejtësi”. Ky proces-legjendë vazhdon ende i pazgjidhur, megjithëse Gjykata Kushtetuese ka konkluduar për shkeljet flagrante të të drejtave të të akuzuarve gjatë hetimit dhe gjykimit, ndërsa Gjykata e Lartë ka arritur në përfundimin kategorik se e ashtuquajtura organizatë nuk ka ekzistuar kurrë, por është sajuar nga organet policore të kohës në bashkëpunim me prokurorët e çështjes dhe se një numër ekstremisht i madh dokumentesh të veprimeve hetimore janë të falsifikuar.

Këta gjyqtarë dhe prokurorë, duhet të largohen nga organet e hetimit dhe gjykimit pasi në veprimtarinë e tyre nuk janë udhëhequr nga ligji, por nga udhëzimet dhe britmat politike të sajuesve të procesit në fjalë. Dëshmitë e dy viteve të fundit ndihmuan të kuptohet se klithmat për të dënuar “Hakmarrjen për Drejtësi” i ka motivuar hedhja djallëzore e xhamadanit të gjakosur nga vatra personale dhe oborri politik tek individë të pafajshëm dhe oborrin politik të kundërshtarit.

Hetimet e Komisionit Parlamentar për çështjen CEZ, po provojnë se flakja e “xhamadanit të përgjakur” nga vatra e tij në oborrin e tjetrit nëpërmjet akuzave pasionante është taktikë e shefit real të opozitës së sotme që nuk duhet të jetë përdorur vetëm në rastet e përmendura.

Nuk ka dyshim se përzgjedhja e personave të duhur për sistemin e drejtësisë do të jetë një sfidë akoma më e madhe se procesi i hartimit dhe miratimit të legjislacionit përkatës. Kjo sfidë kapërcehet vetëm me vendosmëri dhe moral të lartë nga ata që do të merren me këtë proces.

Artikulli paraprakGorbaçov: Bota po përgatitet për luftë
Artikulli vijuesHillary Clinton synon të rikandidojë për Presidente në SHBA