“Mbrojtja civile" serbe mban ushtrime në veri nen drejtimin e kolonelëve ushtarak

Organizata serbe, e ashtuquajtur “Civilna zastita” apo “Mbrojtja civile”, ka paralajmëruar për sot mbajtjen e ushtrimeve simuluese në veri të Mitrovicës. Ky organizim thuhet se zhvillohet nën përkujdesjen e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, e cila drejtohet nga Aleksandër Vulin.i.

Burime nga veriu bëjnë të ditur operacionin po e udhëheqë Miodrag Savic, ish kolonel i ushtrisë Jugosllave, tani i punësuar në zyrën për Kosovën, pranë Qeverisë së Serbisë, në sektorin për mbrojtje civile.

Mësohet se komplet stafi i organizuar në këtë operacion përbëhet prej 250 personave, ndërsa vetëm 52 prej tyre janë duke operuar afër shtabit.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se nuk kanë marrë asnjë kërkesë për organizimin e ushtrimeve të tilla.

Por, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se, në bazë të informacioneve që ka policia, organizata “Mbrojtja Civile” do të demonstrojë një ushtrim të reagimit në rast të emergjencave apo situatës së zjarrit.

“Policia do të mbledhë informata dhe do ta luajë rolin në kuadër të përgjegjësive që ka për rendin publik”, ka thënë Hoti.

“Mbrojtja Civile”, nga institucionet e Kosovës konsiderohet si strukturë paralele, e cila vepron në veri të vendit. /Telegrafi/

Artikulli paraprakPengPod, tableti i vërtetë Linux që kushton 120 $
Artikulli vijuesEleven përzgjedh vëzhgues për Kosovë