VV: Policia e Mustafës dhe Thaçit po i arreston aktivistët fshehtazi

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas arrestimeve të sotme të anëtarëve të saj, duke thënë se Qeveria e frikacakëve Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, duke e parë që protesta e 17 shkurtit do të jetë masive dhe e fuqishme, po e vazhdon fushatën e përndjekjeve dhe arrestimeve të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
VV thekson se gjatë natës, fshehtazi, Policia e Mustafës dhe Thaçit, e urdhëruar nga EULEX-i, hyri në shtëpitë e shumë aktivistëve për t’i arrestuar ata.

“Pas propagandës e shpifjeve policeske se kinse paskan informata për përgatitjen e akteve të dhunës në protestë, ata vazhduan me aksionin e tyre policor për të mbjellë frikë. Sot herët në mëngjes, u arrestua në banesën e tij drejtuesi i Grupit parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, Glauk Konjufca, ndërkohë që në Vushtrri policia arrestoi aktivistin Kasim Uka. Kjo qeveri po i numëron ditët e saja të fundit në pushtet. Dhe secilën prej këtyre ditëve po e vendos në funksion të projektit kriminal të Vuçiqit, ‘Zajednicës’. Kushdo që e kundërshton Serbinë në Kosovë po arrestohet”, thuhet në reagim.

Sipas kësaj lëvizje, aksioni i Vetëvendosjes më 2009 kundërshtonte Protokollin e bashkëpunimit që kishte nënshkruar EULEX-i me policinë kriminale të Serbisë, pra për ta lejuar ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë.

“Ky protokoll mes tjerash parashihte këmbimin e informatave mes policisë së EULEX-it dhe asaj të Serbisë për aktivitetin policor. Nga ky protokoll nuk rezultoi të jenë arrestuar asnjë prej kriminelëve të luftës nga radhët e policisë e paramilitarëve të Serbisë, asnjë prej kriminelëve e kontrabanduesve në veri. Por pati një mori akuzash e dënimesh të pjesëtarëve të UÇK-së për gjoja krime lufte. Sepse këtë e do Serbia, e kështu do Serbia”, thuhet në reagim.

VV thekson se aktivistët e saj po arrestohen sot, një ditë para protestës së madhe kundër instalimit të Serbisë në Kosovë, dhe kundër kësaj qeverie që po e shtyn përpara një gjë të tillë.

“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të deputetit Glauk Konjufca, të Frashër Krasniqit dhe Kasim Ukës, dhe ndaljen e menjëhershme të përndjekjes ndaj aktivistëve të Lëvizjes. Nuk do të imponohet Serbia në Kosovë pavarësisht vullnetit të Mustafës e Thaçit”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

Artikulli paraprakMomenti i arrestimit të Glauk Konjufcës (Video)
Artikulli vijuesGjendet tjetër kufomë, familjarët e këngëtarit në morg