MBULOHEN SHPENZIMET E TRANSPORTIT PËR STUDENTËT E KATEGORIVE TË LUFTËS

Drejtoria për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale në Mitrovicë, ka marrë vendim që të mbulojë shpenzimet e transportit për në Prishtinë për të gjithë studentët e kategorive të luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Mitrovicë, bënë të ditur Zyra për informim e komunës.

Zyrtarët komunalë thanë se kjo është bërë me qëllim që sado pak t’u ndihmohet familjeve të kategorive të luftës, të cilët kanë probleme të mëdha ekonomike dhe sociale.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, i cili bashkë me drejtorin për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, kanë ndarë vendimet për këta studentë në një takim të organizuar në ambientet e komunës, tha se kjo është një mbështetje modeste për studentët e familjeve që kanë dhënë më së shumti për liri.

“E kemi parasysh se nevojat e këtyre familjeve janë të mëdha, andaj ne jemi duke bërë krejt çka është e mundur që të jemi pranë tyre në të gjitha aspektet”, ka thënë Kastrati.

Ai tha se për këto familje nuk do të kursehet asgjë, meqë rrethanat në të cilat kanë jetuar prej pasluftës kanë qenë të rënda. “Jemi shumë të vendosur dhe të përkushtuar që në kuadër të mundësive tona të jemi përkrah këtyre familjeve në çdo kohë dhe situatë”, tha Kastrati.

Ndërsa drejtori për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, nga drejtoria e të cilit do të paguhen shpenzimet për transportin e këtyre studentëve, tha se ky projekt është mirëpritur shumë nga familjet e kategorive të luftës. “Jemi në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e kategorive të luftës në mënyrë që bashkërisht të përcaktojmë prioritetet për nevojat që kanë”, theksoi Jashari.

Ai tha se nga ky projekt do të përfitojnë 8 studentë, të cilët studiojnë në Prishtinë. Jashari bëri të ditur se nga drejtoria e tij do të mbulohen shpenzimet e transportit për secilin student për 6 ditë në javë, duke filluar nga muaji maj deri në muajin dhjetor, me përjashtim të muajve korrik dhe gusht.

Ndryshe, vitin e kaluar kjo drejtori ka nisur realizimin e projektit për mbulimin e shpenzimeve të transportit për në Prishtinë për të gjithë studentët e veriut të Mitrovicës. Në bazë të atij projekti janë duke përfituar 28 studentë të veriut./kosovapress/kohaislame

Artikulli paraprakPlan trepikësh për të ndalur zgjedhjet serbe në Kosovë
Artikulli vijuesRefugjatë afganë në zonën mes Kosovës e Serbisë