Në një sipërfaqe prej 3200 metra katrorë pranë plazhit të burrave në Strugë, sot u përurua parku i fëmijëve i cili është i pari i këtij lloji në këtë qendër turistike të Maqedonisë. Projekti në tërësi është donacion nga komuna Bujukçekmexhes e Stambollit.
Parku përbëhet nga lodra për fëmijët, nga projekti me vlerë prej 90 mijë euro me të ashtuquajturën zona fitnes që është dhuratë për fëmijët e Strugës. Në ceremoninë e përurimit të pranishëm ishin një numër i madh i qytetarëve, si dhe përfaqësues të komunës Bujukçekmexhe në Stamboll, e cila vitin e kaluar u binjakëzua me komunën e Strugës.
Kryetari i komunës së Strugës Zijadin Sela paralajmëroi realizimin edhe të disa projekteve me financim dhe ndihmë nga po kjo komunë.
Një nga projektet është edhe ndërtimi i objektit të shkollës së mesme për nevojat e gjimnazit “Braqa Miladinovci” në Strugë, ndërsa nxënësit që mësojnë në ndërtesën e vjetër, mësimet do t’i ndjekin në kushte moderne.
“Ky është vetëm fillimi nga disa projektet e përbashkëta që kemi me komunën Bujukçekmexhe. Ne jemi në fazën fillestare të ndërtimit të një shkolle në kuadër të shkollës së mesme ‘Braqa Miladinovci’. Ne gjithashtu jemi në fazën fillestare të ndërtimit të edhe dy parqeve në shenjë të binjakëzimit tonë. Njëri park do të jetë në komunën Bujukçekmexhe dhe besohet se do të mbajë një emër që lidhet me Strugën, ndërsa parku tjetër do të jetë tek plazhi i grave dhe ky do të jetë parku më i bukur dhe më i madhi në Strugë. Këtë po e bëjmë me qëllim që Strugën ta bëjmë sa më të bukur”, tha kryetari i komunës së Strugës Zijadin Sela.
Përfaqësuesi i komunës Bujukçekmexhe Kemal Akar Gavaz theksoi se do të vazhdojnë me investimet e tyre në Strugë. “Iniciatorët kryesorë të këtij projekti ishin kryetari komunës Bujukçekmexhe se bashku me banorët e kësaj komune si dhe me kryetarin e Strugës”, tha Gavaz.
Njëkohësisht në vijim janë ndërtimet në sallën e sportit në shkollën e mesme “Ibrahim Temo” në Strugë me fonde nga komuna Bujukçekmexhe dhe bashkia e Stambollit./AA