Pasi media austriake Der Standard, para pak ditësh shkruajti se në Ballkan vetëm Shqipëria dhe Kosova janë orientuar strikt pro-perëndimit, e këtij mendimi është edhe media kulturore gjermane Schwaebische, me dallim të vogël se ajo në këtë mes fut edhe liderin malazez Gjukanovic.
“Manovrat e përbashkëta ushtarake mes Bellorusisë, Rusisë e Serbisë afër kufirit të Maqedonisë, manovrat e NATO në Malin e Zi, tentimi i Grushtit të shtetit, tentim atentati ndaj kryeministrit serb Aleksandër Vucic dhe teoritë tjera konspirative tregojnë më së qarti se diçka po zije në Ballkan – mollë sheri mes Perëndimit dhe Lindjes,” shkruan fillimisht media e njohur gjermane Schwaebische.
Në pak ditë, janë sekuestruar arsenal i madh i armëve, njëra afër shtëpisë së Vucic në Beograd. Kundërshtarët më të mëdhej të Vucicit janë oligarkët që janë të fuqishëm financiarisht dhe mbështesin disa parti serbe. Politika pro Europiane e Vucicit është gjithashtu në kundërshti me politikën e presidentit serb, Tomislav Nikolic dhe partnerin e koalicionit, socialistët e Ivica Dacic, të cilët njihen si filorusë. Rusia e presidentit Vladimir Putin shpreson që Serbia të kundërshtojë jo vetëm integrimin në NATO, por edhe BE-në. Në anën tjetër Serbia mundohet të përfitojë ekonomikisht nga Brukseli, ndërsa në të njëjtën kohë për interesat e saj në Ballkan sheh Rusinë si “partner strategjik”.
Shefi i shërbimit sekret rus “dirigjienti” i Grushtit të shtetit?
Që Vucic nuk mund të kënaqet shumë nga mbështetja ruse, tregon rasti i Malit të Zi. Kryeministri malazez, Milo Gjukanovic tha se agjentët rusë kishin tentuar Grushtin e shtetit për të sjellë në qeveri opozitën filo-ruse. Rusia kundërshton akuzat fuqishëm, megjithatë gjatë asaj nate kur u arrestuan 20 puçistët, shefi i shërbimit sekret rus, Nikolaj Patruschev, qëndronte në Beograd.
Prej kohësh Putini shfrytëzon prezencën e dobët të Evropës në Ballkan, për të rritur ndikimin. Vetëm Shqipëia, Kosova dhe Mali i Zi janë orientuar qartasi pro perëndimit. Serbia është partneri më i rëndësishëm rus që bashkëpunon edhe ushtarakisht. Bosnja dhe Maqedonia vlerësohet si shtete potenciale për t’u kthyer në “plaçke lufte.”