Meka, qyteti më i vjetër dhe më i shenjtë në Botë

Nga: Muhammed Kamil Hasan El-Muhami

Allahu i Madhërishëm urdhëron e thotë: “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo që u ngrit në Bekë (Mekë), e dobishme udhërrëfyese për mbarë njerëzimin!”

Obligimi i Haxhit dhe vizita e shtëpisë së Allahut në Mekën e ndershme, është një prej pesë kushteve themelore të fesë Islame. Sezona e Haxhit konsiderohet njëra ndër sezonat më të lumtura dhe më të shenjta tek muslimanët.

Me të vërtetë, kur muslimani apo muslimania arrijnë në lartësitë e Mekës së nderuar, i mbulon një ndjenjë e fuqishme e cila është e pamundur për secilin njeri të përshkruaj këtë ndjenjë shirtërore me një përshkrim të plotë dhe të saktë sadoqë posedon aftësi stilistike dhe fuqi retorike. Mënyra më e mirë për të përjetuar këtë kënaqësi të veçantë është që vetë muslimani të shkoj dhe të kryej obligimin e Haxhit dhe të vizitojë për së afërmi shtëpinë e Allahut – Qabenë e madhëruar.

Nuk ka kurrfarë dyshimi se ai që dëshiron të kryej obligimin e Haxhit në mënyrën më të denjë dhe të pastrojë shpirtin e tij duke e kënaqur me këtë Zotin dhe Pejgamberin e Tij, vërtetë do të ndiej një lumturi të jashtëzakonshme, sidomos nëse ka sadopak njohuri rreth historikut të këtij vendi të shenjtë të cilin Krijuesi i Lartmadhërishëm e ka zgjedhur pikërisht për shtëpinë e Tij – Qabenë e nderuar!

S’ka dyshim, Meka është vendbanimi (qyteti) më i lashtë mbi sipërfaqën e tokës. Termi “karjetun” (fshat) që Allahu i Lartësuar e ka emëruar Mekën e nderuar e që njihet edhe me emrin “ummul kura” (nëna e fshatrave) është për qëllim në këtë kontekst pikërisht ajo që ne e quajmë sot – qytet. Pra, nëna e qyteteve, për shkak se ai është vendi, në të cilin mblidhen njerëzit për të kryer detyren e Haxhit, ashtu siç mblidhen fëmijët rreth nënës së tyre.

Nëse flasim për lashtësinë e qytetit të Mekes dhe themi se është qyteti më i lashtë në mbarë botën, me këtë kemi për qëllim se qyteti i Mekes është qyteti më i vjetër në botë i cili akoma lulëzon dhe gjallëron me numrin e madh të njerëzve, me ndërtim, zhvillim dhe qytetërim. U ndërtuan edhe qytete të tjera, mirëpo ato me kalimin e kohës u zhdukën dhe humbën çdo gjurmë, e disa prej tyre Allahu i Gjithëfuqishëm i shkatërrojë me rrënjë nga sipërfaqja e tokës.

Meka e nderuar, pa kurrfarë diskutimi është qyteti më i shenjtë në mbarë botën.

Parashtrohen pyetje të shumta që i obligojnë muslimanët të japin sqarime dhe shpjegime rreth tyre. Prej atyre pyetjeve janë:

Çfarë marrëdhënie (lidhje-raporte) kishte babai i njerëzimit Ademi a.s. me qytetin e ndershëm të Mekës?

A e vizitoi këtë vend (a e bëri Haxhin) Ademi a.s.?

A është varrosur në njëren prej kodrave të bekuara të saj?

Cilat janë shkaqet e ndërtimit të Qabesë nga babai i Pejgamberëve, Ibrahimi me djalin e tij Ismailin a.s.?

Përse vrapojnë njerëzit (haxhinjtë) në mes kodrave Safa dhe Merva dhe çfarë lidhje ka kjo me Haxheren – bashkëshorten e Ibrahimit a.s.?

Si buroi (zë fill) pusi i Zemzemit?

Cilat janë gjërat mrekulluese dhe të jashtëzakonshme që e karakterizojnë qytetin e Mekës, e posaqërisht Qabenë e nderuar apo shtëpinë e shenjtë të Allahut?

Për të gjitha këto pyetje dhe shumë e shumë pyetje të tjera, u shkruan vëllime të mëdha librash, andaj është e pamundur që ky artikull të sqarojë dhe të jap përgjigje për të gjitha ato pyetje, por megjithatë me ndihmën e Allahut të Lartësuar do të përpiqemi të fokusohemi në dhënien e disa përgjigjeve duke mos u thelluar në detale.

MEKKA … DHE BEKKA

Allahu i Madhërishëm në dy ajetet vijuese të Kaptinës Ali Imran thotë: “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo që u ngrit në Bekë (Mekë), e dobishme udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në te, ai është i sigurt. Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); Allahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit.”

Ajo çfarë u tërhekë vëmendjen lexuesve në fillim të këtij ajeti të Sures Ali Imran është pikërisht ajo që Allahu i Madhërishëm e ka emërtuar me emrin “Bekke” qytetin e bekuar që muslimanët në përgjithësi e njohin me emrin “Mekë”.

Ky emërtim (Bekke për qytetin e Mekës) ka zgjuar interesim tek filologët dhe historianët arab, të cilët pas një studimi të thellë, dhanë shpjegime të ndryshme e që për lexuesit është e nevojshme që sadopak të kenë ca njohuri rreth këtij emërtimi.

Një grup gjuhëtarësh mendojnë se emri “Bekketu” është emër i prejardhur prej fjalës “El-Bekku” që do të thotë shtypje, ngjeshje, grumbullim, kallaballëk, shtyrje etj. Arabët thonë ” fulanun bekke fulanen bekken” që do të thotë se filani e ka shtyer filanin për ta hapur rrugën e tij. Gjithashtu thonë “tebakkun-nasu” – njerëzit shkaktojnë tollovi duke shtyer njëri-tjetrin në një vend apo rrugë të ngushtë për shkak të turmës së madhe.

Për shkak të numrit të madh të njerëzve dhe shtyrjes ndërmjet veti gjatë kryerjes së ceremonive të Haxhit (si gjatë tavafit, sa’jit etj), qyteti ka marrur emrin “Bekke” që do të thotë “qyteti i cili mbushet plot e përplot me njerëz”.

Ky është një mendim. Mendimi tjetër i gjuhëtarëve rreth shpjegimit të emrit “Bekke”, është se ky emër vjen nga folja “bekke jebukku” që do të thotë: thyej, bëj copë e grimë, ngujoj, godas, shpoj etj. Arabët thonë: ” është rrëzuar filani nga lartësia e malit dhe ka thyer qafën e tij dhe për pasojë ka vdekur në vend.”

Mirëpo, çfarë ka të bëj kjo (thyerja e qafës) me këtë qytet të shenjtë?

Mendimi i fundit i filologëve bazohet në argumentin bindës të tyre ku thonë se Allahu i Plotëfuqishëm është Ai i cili kujdeset që shtëpia e Tij e shenjtë të jetë nën ruajtjen dhe mbrojtjen e Tij. Sa e sa tiran u munduan ta pushtojnë dhe ta dëmtojnë këtë vend të shenjtë, por Allahu i Madhërishëm i shkatërrojë që të gjithë, prandaj edhe u quajt “Bekke” ngase ajo u then qafën dhe i shkatërron despotët ashtu siç ndodhi me Ebrehe el-Eshrem (sundimtarin i Abisinisë) i cili dëshiroi ta sulmojë Mekën e Ndershme me ushtrinë e elefantëve, por Allahu i Lartmadhërishëm e shkatërrojë atë me ushtrinë e tij duke lëshuar kundër tyre shpendë që vinin tufë-tufë dhe i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar duke i bërë si një gjeth i grimcuar ashtu siç e përshkruan këtë ndodhi vetë Allahu i Lartësuar në Kaptinën El-Fil!

Mirëpo, lind pyetja: “Përse emri “Bekke” u shëndrrua në “Mekke”?

Disa hulumtues kanë thënë se arabët në shumicën e rasteve bëjnë zëvendësimin (ndërrimin) e shkronjës “b” me shkronjën “m” në mënyrë që të jetë më e lehtë për shqiptim. Ata për shembull, për goditjen dërrmuese thonë: “darbetu lazib”, por në shumicen e rasteve thonë edhe “darbetu lazim” e cila e ka të njejtin kuptim.

Disa gjuhëtarë të tjerë, mendojnë se emri “Mekke” është i prejardhur nga folja “imtekke jemtekku” që don të thotë: thith, pi etj. Kur i vogli i devesë thithë gjirin e nënës (devesë) me një thithje intenzive saqë e pin edhe pikën e fundit të qumështit, filologët arab për këtë veprim të voglit të devesë thonë: “imtekke dar’a ummihi felem jetruk fihi shejen minel lebeni” që do të thotë: ka thithur gjirin e nënës dhe ka pirë tërë qumështin e saj.

Po ashtu edhe për njeriun që thithë ashtin për të nxjerrur palcën e saj, arabët e përdorin foljen “imtekke” ka thithur…

Meka – qyteti në të cilin gjendet shtëpia e shenjtë e All-llahut (Qabja); është quajtur me këtë emër për arsye se shumica e njerëzve (në të kaluarën – vërejtje e përkthyesit) gjatë sezonës së Haxhit nxitonin për tek puset e pakta dhe të cekta që kishte ky vend, në mënyrë që të shuanin etjen e tyre. Kur vinin tek puset, (nga etja e madhe) pinin ujë ashtu sikurse i vogli i devesë që thith gjirin e nënës (devesë) së tij, apo sikur hamësi që me kërrshëri thithë copën e ashtit për të nxjerrur palcën e saj. Për këtë shkak është quajtur “Meka” me këtë emër (pra, vendi ku njerëzit nxitojnë për të shuar etjen).

Të gjitha këto mendime, në çdo mënyrë, janë një përpjekje e shkëlqyer nga ana e filologëve dhe historianëve arab e që janë për çdo lëvdatë dhe ia vlenë të mësojmë kuptimin e drejtë dhe të saktë të këtyre nocioneve.

Ashtu siç i kushtuan kujdes filologët arab studimit dhe hulumtimit të nocioneve “Mekke dhe Bekke”, po ashtu disa prej tyre u interesuan të gjejnë shkakun e emërtimit të Qabesë dhe Haremit me emrin “Bejtull-llahi-l-Haram” – “Shtëpia e shenjtë e Allahut”.

Pas një studimi të frytshëm, thanë se fjala “El-Bejtu” – “shtëpi” është ajo e cila i mbledh dhe i bashkon anëtarët e afërm të familjes. Gjithashtu arabët me fjalën “El-Bejtu” i quajnë edhe poezitë apo vargjet e poetëve, ngase ato grumbullojnë shkronjat dhe fjalët e përshtatshme për të krijuar një fjali të bukur ashtu sikur shtëpitë e njerëzve që tubojnë dhe grumbullojnë secila prej tyre banuesit e saj. Po ashtu edhe gruaja është quajtur ” shtëpia e burrit” për shkak se ajo i mbledh rreth vetit fëmijët dhe burrin e saj. Andaj edhe Qabeja është quajtur “Shtëpia e shenjtë e Allahut” ngase ajo i tubon dhe i bashkon muslimanët gjatë sezonës së Haxhit sikurse të ishin një familje e madhe e vetme. Prandaj edhe quhen “Ehlull-llahi” – “Njerëz të veçantë të Allahut” siç mendojnë disa hulumtues.

SHTËPIA E PARË

Në ajetin e sipërpërmendur, Allahu i Madhërishëm e cilëson Qabenë (Shtëpinë e shënjtë) si shtëpinë e parë të ndërtuar për njerëz.

Lidhur me këtë, mufessirët (komentatorët) e njohur të Kur’anit si Katadeh, Suddiu dhe Muxhahidi mendojnë se Qabeja është shtëpia e parë e shfaqur mbi sipërfaqen e ujit që kur Allahu i Lartmadhërishëm ka krijuar qiejt dhe tokën. Kurse Meka në atë kohë ishte një pikë e madhe e shkumës së bardhë e cila vërtitej mbi ujë, ndërsa toka më pastaj u shtri dhe u zgjerua nga pjesa e poshtme e saj.

Ata që mendojnë kështu (që toka u shtri dhe u zgjerua nga pjesa e poshtme e saj), mbështeten gjithashtu në atë që Allahu i Gjithfuqishëm e ka quajtur Mekën e Ndershme me emrin “Ummul Kura” – “Nëna e vendbanimeve”, për shkak se ajo sipas mendimit të tyre është nëna e të gjitha fshatrave dhe qyteteve, prandaj edhe thanë se toka u shtri dhe u zgjerua nga pjesa e poshtme e saj.

Allahu i Lartësuar e ka emëruar dhe cilësuar Mekën e Ndershme me emrin “Ummul Kura” – “Nëna e qyteteve” në ajetin 92 të Kaptinës El-En’am kur i drejtohet të Dërguarit të Tij, Muhammedit s.a.v.s.:

“Edhe ky (Kur’an) është libër që e zbritëm; është i bekuar, vërtetues i të mëparshmes, e që t’i tërheqësh vërejtjen nënës së qyteteve (të banorëve mekas) dhe atyre përreth saj (mbarë botës). Ata që e besojnë Ahiretin, besojnë në të (Kur’anin), ata edhe e falin namazin rregullisht!”

Po ashtu, Allahu i Madhërishëm edhe në ajetin e shtatë të Kaptinës Esh-Shura e ka cilësuar Mekën me epitetin “Ummul Kura” – Nëna e vendbanimeve.

Ebu Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë se Meka e ndershme ka qenë një margaritarë i bardhë mbi sipërfaqën e ujit. Pastaj Allahu i Lartësuar e ngriti në qiell,e pozita e saj në tokë ishte në drejtim të Qabesë – Shtëpisë se shenjtë të Allahut. Në këtë shtëpi – Qabe, për çdo ditë hyjnë dhe dalin nga 70 mijë melek. Atëherë Allahu i Lartëmadhëruar e urdhëroi Ibrahimin a.s. që t’i ngritë themelet e shtëpisë – Qabesë.

Mirëpo, udhëheqësi i besimtarëve, Imam Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë se kuptimi i frazës “Shtëpia e parë e ndërtuar për njerëz” që përmendet në Kur’an, ka për qëllim shtëpinë e parë të ndërtuar për adhurim (ibadet). D.m.th. para saj nuk ka patur shtëpi (vend adhurimi) që njerëzit ta kryenin Haxhin, por ekzistonin shtëpi të shumta dhe të zakonshme ku njerëzit banonin.

MENDIME TË TJERA

Historiani i njohur arab Ez-Zehriu mendon se emri “Bekke” ka dallim nga emri “Mekke”. Ai thotë se Bekke quhet vetëm shtëpia e shenjtë – Mesxhidul Harami (vendi në të cilin haxhinjtë bëjnë tavafin, rrotullimet rreth Qabes), kurse “Mekke” është emri i gjithë Haremit (vendeve të caktuara që njihen në atë qytet) e këtu përfshihen eshe shtëpitë e atyre që banojnë në të. Mendimin e tij e ka mbështetur në argumente të sakta të cilat i ka transmetuar.

Ebu Ubejdete ka thënë se me emrin Bekke quhet vetëm brendia e Mekës.

Transmetohet nga sahabiu i nderuar Ebu Dherr el-Gaffari (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili e ka pyetur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se cila është xhamia më e parë e ndërtuar për njerëz, meqërast Pejgamberi s.a.v.s. iu përgjigj: “El-Mesxhidul Harami (Qabeja) e pastaj Bejtul Makdisi (xhamia e shenjtë në Jerusalem – vërejtje e përkthyesit)!”

Allahu Fuqiplotë e ka cilësuar Shtëpinë e Tij të shenjtë (Qabenë) me fjalën e Tij “mubarekun” – shumë e bekuar. Disa komentator të Kur’anit (mufessir), kanë thënë se shkaku i karakterizimit të Qabes me cilësimin “shumë e bekuar” është në atë se ai që e viziton Qabenë, All-llahu i Gjithmëshirshëm ia fal mëkatet e mëparshme dhe për adhurimet që kryen aty ka më shumë shpërblime se adhurimet e kryera në vendet e tjera.

Në anën tjetër, Qabeja është “shumë e bekuar” për atë se tavafi (rrotullimi rreth Qabes) kurrë nuk ndalet, as natën e as ditën, gjatë tërë vitit, kështuqë është e pamundur ndonjëherë ta gjesh të zbrazur qoftë edhe vetëm në ndonjë çast sado të shkurtër.

PËRSE QABEJA QUHET ME KËTË EMËR?

Pak më parë përmendëm (potencuam) mendimet e historianëve dhe gjuhëtarëve rreth nocioneve “Mekke” dhe “Bekke” si dhe çfarë thanë mbi prejardhjen e këtyre dy termeve me të cilat u emërua qyteti më i shenjtë i botës ku jetojmë.

Mekës së ndershme i takon shenjtëria për shkak të ekzistimit të “Bejtull-llahit” apo Qabesë së nderuar në këtë vend.

Atëherë përse Qabeja (El-Ka’betu) quhet me këtë emër?

Kjo është një pyetje që çdo musliman dhe muslimane dëshiron ta dijë përgjigjen e saj.

Mendimi më i qëndrueshëm i historianëve dhe juristëve islam (el-fukahau) është se Qabeja ka marrur këtë emër për shkak të formës së saj katrore.

Ata thanë se Qabeja u ndërtua në formë katrore për arsye se pozita e saj në tokë është paralele me pozitën e Bejtul Ma’murit që është në qiell.

Mirëpo, … çfarë është El-Bejtul Ma’muri?.

All-llahu i Madhërishëm në kaptinën Et-Tur, betohet në “El-Bejtul Ma’murin”. Në fillim të kësaj sureje Zoti i Plotfuqishëm urdhëron e thotë:

“Pasha Turin. Dhe librin e shkruar në rreshta. Në lëkurë të shtrirë. Pasha shtëpinë (Qaben) e vizituar (ose Bejti Ma’murin në qiell)!”

Ibn Abbasi r.a. dhe shumë komentatorë të Kur’anit (mufessir) kanë shprehur mendimin e tyre se Bejtul Ma’muri është një shtëpi (e shenjtë sikurse Qabeja në tokë – vërejtje e përkthyesit) në qiellin e katërt e cila është në drejtim të Qabesë së ndershme.

All-llahu i Lartësuar e ka cilësuar me këtë emër (Bejtul Ma’mur – shtëpia e vizituar), ngase melaiket e Zotit pandërprerë e vizitojnë këtë shtëpi të shenjtë duke adhuruar dhe madhëruar (ibadet) All-llahun e Plotfuqishëm me nje adhurim të sinqertë ndaj Tij.

Udhëheqësi i besimtarëve, Imam Ali ibn Ebi Talib (All-llahu e nderoftë fytyrën e tij) ka thënë se për çdo ditë në këtë shtëpi (fjala është për Bejti Ma’murin në qiell) hyjnë nga 70 mijë melek, e pastaj dalin dhe kurrë më nuk kthehen. Të nesërmen hyjnë dhe dalin 70 mijë melek të tjerë dhe kështu vazhdon për çdo ditë.

Historianët e njohur si Zehriu dhe Seid bin Musejjebi mendojnë se Bejti Ma’muri gjendet në qiellin e dunjasë dhe aty ekziston një lum që quhet “El-Hajevan”. Xhibrili a.s. me urdhër të All-llahut Fuqiplotë për çdo ditë zhytet në këtë lum dhe kur del nga ai i shkund krahët e tij dhe prej tyre rrjedhin 70 mijë pika ujë të lumit “El-Hajevan”. Atëherë All-llahu i Lartësuar nga çdo pike ujë krijon nga një melek. Të gjithë ata melek (pra, 70 mijë) All-llahu i Madhërishëm i urdhëron të hyjnë në Bejti Ma’mur që të kryejnë namaz dhe pasi ta falin namazin dalin prej saj dhe nuk kthehen më.

Këta historian (Zehriu dhe Seid bin Musejjeb) mendimin e tyre mbi lumin “El-Hajevan” e bazojnë (e mbështesin) në Hadithin e Pejgamberit (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të) të transmetuar nga Ebu Hurejra (All-llahu qoftë i kënaqur me të).

Transmeton Ibn Abbasi (All-llahu qoftë i kënaqur me të) se Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i All-llahut qoftë mbi të) ka thënë: “Me të vërtetë pozita e Bejti Ma’murit në qiell është plotësisht paralele me oborrin e Bejtull-llahit (Qabesë) në Mekën e Ndershme dhe sikur të binte (Bejti Ma’muri) nga qielli i katërt do të binte pikërisht në oborrin e saj (Qabesë)!”

Edhe Bejti Ma’muri në qiell ka formë katrore tamam sikur forma e Qabesë së Madhëruar.

Shkaku se përse Bejti Ma’muri ka formë katrore qëndron në atë se ajo ndodhet përballë Arshit të All-llahut të Madhërishëm.

Gjithashtu edhe Arshi ka formë katrore dhe kjo për arsye se bazamentet dhe dispozitat me të cilat All-llahu i Madhërishëm ka ndërtuar Arshin e Tij, përqëndrohen në katër pika, të cilat në të njejtë kohë janë edhe shtylla themelore të fesë Islame dhe besimit të vërtetë.

Këto shtylla janë:

1. Subhanall-llah – që do të thotë: Krijuesi ynë, All-llahu i Gjithfuqishëm është larg çdo të mete dhe mangësie.
2. El-Hamdulil-lah – Falënderimi i takon All-llahut. Besimtari i vërtetë asnjëherë nuk duhet ta neglizhojë dhe harrojë falënderimin ndaj Zotit dhe Krijuesit të tij.
3. Lailahe il-lAll-llah – S’ka të adhuruar tjetër veç All-llahut. Kjo fjalë tregon njëshmërinë e Krijuesit (teuhidin) dhe mohon politeizmin (shirkun) dhe
4. All-llahu ekber – All-llahu është më i madhi.

Transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. për mirësitë (bereqetet) që All-llahu i ka dhuruar shtëpisë së Tij të shenjtë (Qabes) ka thënë: “All-llahu i Madhërishëm për çdo ditë zbret 120 mëshira (rahmete). 60 për ata që e bëjnë tavaf Qabenë (sillen rreth saj), 40 për ata që falen në Qabe dhe 20 për ata që vetëm e shikojnë atë (Qabenë)!”

Nga mirësitë më madhështore të Bejtull-llahit (Qabesë) është se atij që e viziton atë (e kryen Haxhin) All-llahu i Madhërishëm ia shlyen të gjitha mëkatet e kaluara, por me kusht që gjatë kryerjes së këtij obligimi të ketë nijetin e pastër, që Haxhin ta bëj vetëm për të arritur kënaqësinë e All-llahut, e assesi për syefaqësi dhe të paraqitet para njerëzve se është bërë haxhi, apo që të fitojë titullin haxhi për të mashtruar njerëzit dhe t’u cenojë të drejtat e tyre.

Artikulli paraprakMeditim bashkëkohor mbi Titanikun
Artikulli vijuesMendo dy herë