Menaxherëve të TI-së pritet t’u ulen pagat

Ekspertëve të teknologjisë informative, të cilët punojnë në institucione mund t’iu ulen pagat, ose mund t’u hiqen shtesat si kuadër deficitar. Burime të gazetës nga Zyra e Kryeministrit bëjnë të ditur se i është kërkuar Ministrisë së Administratës Publike që të bëhen ndryshime sa u përket pagave shtesë për IT-të në sektorin publik. “Ky grup kuadrosh janë trajtuar si kuadër deficitar, por tani është duke u menduar se duhet të bëhen ndryshime. Edhe në fillim është menduar se duhet të ketë ndryshime sa i përket kategorizimit të kuadrit deficitar”, është shprehur ky burim.

Por Fitim Sadiku, sekretar në Ministrinë e Administratës Publike, shprehet se punonjësit e IT-së edhe më tutje do të vazhdojnë të cilësohen si kuadër deficitar. “Kërkesa për ekspertë të teknologjisë informative edhe më tej është mjaft e madhe. Me gjithë shtesat të cilat ua kemi mundësuar, edhe më tej ne kemi telashe, sepse po na ikin kuadrot”, ka deklaruar Sadiku.

Sipas tij, shtesat në pagë për nëpunësit civilë të TI-së janë miratuar me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 02/39 të datës 08.10.2008. “Për miratimin e shtesave në paga për kategori të veçanta të profesioneve deficitare në të gjitha organizatat buxhetore të Republikës së Kosovës, niveli i shtesave është përcaktuar me aneksin 1 të këtij vendimi – lista dhe titujt e punonjësve që do të jenë përfitues të masave stimulative duke përfshirë edhe shumën për këto pozita”, ka thënë Sadiku. Shtesat kapin shumën nga 100 deri në 600 euro, pos pagës shtesë.

Derisa në fillim numri i përfituesve ishte 197 punonjës, sipas të dhënave nga sistemi i pagave, numri i nëpunësve civilë që janë duke përfituar shtesa në paga për kategori të veçanta të profesioneve deficitare në të gjitha organizatat buxhetore të Republikës së Kosovës është rreth 420 nëpunës civilë në tërë shërbimin civil të Kosovës në nivelin qendror dhe në nivelin lokal

Sipas përllogaritjeve, del se për këto kuadro shpenzohen afro 2 milionë euro në vit.

Lorik Bajrami, nga organizata antikorrupsion “Çohu”, i ka thënë “Kohës Ditore” se është e pajustifikueshme që edhe më tej këta punonjës të cilësohen si kuadër deficitar.

Bëhet e ditur se procesi i futjes në lista si kuadro deficitare është përcjellë me parregullsi të shumta. Kështu, disa prej tyre nuk kanë përgatitjen e duhur në fushën e teknologjisë informative, apo nuk kryejnë punë që lidhen me këtë fushë. Po ashtu është vërejtur që në institucione të ndryshme punëtorët të cilët bëjnë të njëjtën punë trajtohen në mënyra të ndryshme, kur njëri përfiton nga vendimi për shtesat, kurse tjetri jo. Manipulime janë bërë veçanërisht te kategoria e ueb-masterëve, të cilët janë trajtuar varësisht nga vullneti i mbikëqyrësve./koha/kohaislame

Artikulli paraprakEgjipt, ofenduesi i Islamit dhe Presidentit Mursi dorëzohet në prokurori
Artikulli vijuesRreziqet e politikave identitare: Nacionalizmi militant