Kancelarja gjermane dhe kryeministri turk kanë biseduar në telefon të dielën, ku ka patur njëzëshmëri mbi faktin se poezia e recituar gjatë një programi televiziv në kanalin gjerman ZDF ka qenë “qëllimisht fyese”.
Kancelarja Merkel i ka kritikuar pamjet filmike të një komediani që lexon një poezi për presidentin turk, duke e quajtur tekstin “fyes”.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, ndërsa ka dhënë informacion mbi bisedën midis Merkelit dhe Davutogllusë, ka thënë se si kancelarja ashtu dhe kryeministri turk qenë në një mendje se poezia ishte qëllimisht fyese.
Seibert ka deklaruar se Merkel e ka quajtur të papranueshme poezinë.
Në vijim të hedhjes dritë mbi çështjen, zëdhënësi ka shtuar faktin se kancelarja ka nënvizuar rëndësinë e lirisë së shprehjes e të shtypit në vendin e saj, duke kujtuar se ka caqe në këto parime.
“Humori është pjesë e lirisë së shprehjes dhe shtypit, por nuk është pa caqe”, ka thënë Steffen Seibert.
ZDF kërkoi ndjesë të premten për programin dhe e hoqi atë nga ritransmetimi.
Nga kanali u deklarua se programi nuk i përmbushte pritshmëritë e cilësisë së transmetuesit.
Drejtori i programacionit të ZDF-së, Norbert Himmler, e pranoi po ashtu se në këtë rast qenë kaluar qartas caqet e satirës. /tesheshi.com/