Mes gazetarisë dhe aktivizmit. Gazetari, a mund të jetë gjithçka që shkruhet?

Gazetari, a mund të jetë gjithçka që shkruhet?
 
Vitet e fundit, shumë lajme nuk janë prodhuar nga gazetarët, por nga aktivistët që kanë raportuar nga terreni nëpër faqe interneti. Por a është kjo gazetari? A meriton kjo lloj gazetarie mbrojtje ligjore?
 
DAVID CARR, NYT
 
images (2)Në një botë mediatike të fragmentarizuar, ku informacioni vjen nga gjithkund, vija ndarëse mes gazetarisë dhe aktivizmit po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u dalluar. Ndërsa organizatat amerikane të lajmeve janë tërhequr nga mbulimi i ngjarjeve ndërkombëtare, organizatat joqeveritare kanë plotësuar hendekun e krijuar me raportime nga vendngjarjet drejtpërsëdrejti nëpër faqe interneti.
 
Shtëpitë e mëdha mediatike kanë humbur reporterët që raportonin me përgjegjësi dhe jepnin llogari, rrjedhimisht qytetarët u janë drejtuar sipërmarrjeve dixhitale, disa prej të cilave, kanë axhenda partizane.
 
Pyetja se kush është gazetar dhe kush është aktivist dhe nëse i njëjti person mund të jetë njëkohësisht të dyja vijon të mbetet me përgjigje relative. Një rast i kësaj është raportimi i Glenn Greenwald për gazetën britanike “The Guardian” mbi sekretet e zbuluara nga Edward J. Snowden.
 
Në disa raste, motivet e një shkrimtari mbi bindjet që ai ka shfaqen mes rreshtave, por në këtë rast, nevojitet të lexosh vetëm pak fjali nga blogu i z. Greenwald për të ditur ekzaktësisht se sa aktivist është ai. Z. Greenwald është një aktivist thellësisht dyshues ndaj qeverisë dhe aparatit të sigurisë kombëtare. Ai është një mbrojtës i paepur i privatësisë dhe të drejtave civile.
 
Ai është gjithashtu edhe një gazetar.
 
social_mediaKjo është shumë e rëndësishme, pjesërisht për shkak se kur vjen puna për publikimin e sekreteve kombëtare, ligji u jep gazetarëve mbrojtje speciale, të cilat nuk janë të disponueshme për askënd tjetër. Po t’i përjashtosh shkrimtarët nga profesioni i gazetarit, kjo i lë ata lakuriq përballë një qeverie që është thellësisht e pakënaqur me faktin që punët e veta sekrete shfaqen publikisht.
 
Në këtë kontekst, “aktivist” është bërë një fjalë kyç për dikë që ka një axhendë përtej kërkimit të informacionit në emër të interesit publik. Unë zbulova shumë gjëra javën e kaluar kur shkrova bashkë me një koleg një artikull mbi ‘WikiLeaks’ dhe e cilësova Alexa O’Brien një “aktiviste”.
 
Zonja O’Brien natyrisht që është një aktiviste. Ajo pati një rol thelbësor në përhapjen e informacionit dixhital mbi fushatën ‘Pushto Uoll Stritin’ (Occupy Wall Street), ishte e angazhuar me Ditën e Zemërimit në SHBA dhe filloi të raportojë nga një çështje gjyqësore pjesërisht për të protestuar ndaj mungesës së informacionit dhe transparencës mbi çështjen.
 
imagesPor ajo e përshkruan veten edhe si gazetare e pavarur, dhe për këtë çështje, të tillë e kam konsideruar edhe unë në një koment të mëhershëm. Ajo kërkoi dhe mori një korrektim në ‘The New York Times’, për të nxjerrë në pah se unë e citova atë në komentin tim.
 
“Ju po lexoni punën time gazetareske, po përdorni punën time gazetareske, po kapitalizoni nga puna ime gazetareske dhe po jepni lidhje me punën time gazetareske mbi hetimin kriminal më të madh të ndërmarrë ndonjëherë”, shkroi ajo ndërsa raportonte nga çështja gjyqësore ‘Manning’. (Bëhet fjalë për gjyqin kundër Bradley Manning, oficerit të ushtrisë amerikane që akuzohet se dorëzoi miliona dokumente sekrete tek organizata “Wikileaks”. O’Brien qe gazetarja që e mbuloi më imtësisht këtë proces gjyqësor).
 
Me fjalë të tjera, nëse unë besoja se ajo po ekzekutonte një axhendë politike dhe jo një axhendë gazetareske, pse unë po i referohesha punës së saj?
 
Nocioni i gazetarit si eunuk politik dhe ideologjik është krejtësisht pa kuptim, edhe për ata që e quajnë veten gazetarë.
 
“E vërteta nuk është e tërë e vërteta në mes të një petulle të ëmbël, është diku në ndonjë cep të petullës”, më tha dikur një reporter veteran me të cilin kam punuar dikur. Ai do të thoshte se artikuj që përpiqen të jenë vetëm në mes – duke kaluar nga njëra dorë në tjetrën në përpjekje për të qenë të balancuar – përfundojnë pa shkuar asgjëkundi.
 
Unë thjesht sa kisha dalë nga shkolla e gazetarisë, i përmbushur me leksione të freskëta mbi ndershmërinë dhe objektivitetin dhe sakaq këto vlera më ishin vënë në pikëpyetje.
 
Megjithatë, lufta mes objektivitetit dhe subjektivitetit është një fenomen i kohëve tona. Në vitet 1800, gazetaria ndërmerrej nga njerëz të fuqishëm, nga vetë qeveria apo nga partitë politike. Qe vetëm kur u shfaq një incentivë ekonomike për informacionin, incentivë që nuk përmbante axhendë politike, që i dha rrugë krijimit të një shtypi të pavarur.
 
Kjo shpjegon edhe faktin që kur shpërblimet financiare për gazetarinë tradicionale u pakësuan, gazetaria aktiviste mori një rol të ri dhe të fuqishëm.
 
Tashmë është në dorë të konsumatorit të përmbledhë një dietë të re informative sipas zgjedhjes së gjithkujt, duke shtuar aty edhe lajmet e prodhuara nga njerëz që kanë ndjesi të caktuara në lojë.
 
“Ne po fillojmë të kuptojmë se gazetarët vijnë me forma dhe përmasa të ndryshme dhe vijnë me një shumëllojshmëri angazhimesh”, thotë Jay Rosen, një profesor gazetarie në Universitetin e Nju Jorkut. “Nuk është fakti që dikush është një aktivist i parëndësishëm, është se ajo që ai bën nuk është domosdoshmërisht e kundërta e gazetarisë”.
 
Në rastin e z. Snowden dhe dekonspirimit të tij, diçka si një model hibrid për një lajm të madh u shfaq. Snowden thuhet se zgjodhi z. Greenwald si ndërmjetës për publikimin e të dhënave sekrete sepse ndiente se kishin vlera dhe bindje të përbashkëta. Përputhja e ideologjive të burimit me gazetarin bëri që ky lajm të shkruhet siç u shkrua. Pastaj ishte edhe prania ndërkombëtare e “The Guardian” dhe lexuesit e saj historikisht liberalë që ofruan platformën energjike, ndërsa salla e lajmeve të gazetës ofroi muskujt redaktues.
 
Janine Gibson, kryeredaktor i faqes së internetit të “The Guardian” në Shtetet e Bashkuara, mbikëqyri mbulimin e ngjarjes. Ajo tha se shumë gjëra kanë ndryshuar në sistemin e redaktimit sot në botë por gjithsesi artikujt duhet ende t’i nënshtrohen mbikëqyrjes së rreptë.
 
“Mendoj që ta quash Glenn një aktivisht është një nënvlerësim, një përpjekje për ta vendosur atë në një kuti për të minimizuar punën e tij”, tha ajo. “Ai ka një këndvështrim, por është mrekullisht analizues në përqasjen e tij dhe jashtëzakonisht i kujdesshëm për t’i pasur gjërat ashtu siç duhet, të drejta.”
 
Ka njerëz në qeveri dhe në media të cilët besojnë se ajo çfarë bën z. Greenwald nuk është ajo çfarë bën zakonisht një gazetar dhe se ai duhet të përndiqet penalisht për rolin e tij në publikimin e sekreteve kombëtare.
 
“Nuk është çështja që je aktivist apo një gazetar; kjo është një dikotomi false”, tha z. Greenwald në një bisedë telefonike nga Brazili, ku ai jeton. “Është çështja sa i ndershëm apo i pandershëm je. Jo të gjithë aktivistët nuk janë gazetarë, por të gjithë gazetarët e vërtetë janë aktivistë. Gazetaria ka një vlerë, një qëllim – të shërbejë si kontro
ll mbi fuqinë”.
 
Si gazetar dhe aktivist, z. Greenwald nuk mund t’i rezistojë të thumbojë. “Unë i kam parë të gjitha llojet e të ashtuquajturit gazetarë objektivë, të cilët kanë të gjitha llojet e supozimeve në çdo fjali që ata shkruajnë”, tha ai. “Në vend që të shërbejnë si kundërshtarë të qeverisë, ata duan të rrisin besueshmërinë e atyre që janë në pushtet. Ky është një rast klasik i një lloji të caktuar aktivizmi”.
 
Unë e pranoj këtë argument me disa kufizime. Gazetarët janë përgjegjës për të ndjekur të vërtetën, pavarësisht se ku i shpie kjo e vërtetë. Si znj. Gibson ashtu edhe z. Greenwald thanë se ata do ta ndiqnin menjëherë historinë e Snowden edhe nëse kjo i çonte te diçka që vinte në dyshim motivet pas veprimeve të tij apo zvogëlonte kredibilitetin e tij.
 
Por unë mendoj se aktivizmi – i cili pranohet se shoqërohet nga një lloj vendosmërie që mund të çojë në një zbulim – mundet gjithashtu të dëmtojë vizionin. Nëse një axhendë është në lojë dhe një shans është duke u krijuar, detajet mund të mos eksplorohen apo raportohen.
 
Kjo nuk do të thotë se puna e z. Greenwald është e dyshueshme, por për të thënë se ka një tendencë në ideologjinë që ai krijon përmes narrativës së vet. Ai ka qenë gjithkund nëpër televizione për të debatuar me kritikët e tij dhe këto debate më ngjajnë më shumë me një fushatë se sa me një diskutim mbi lajmin që ai zbuloi.
 
Aktivistët mundet që shpesh të zbulojnë të vërtetën, por objektivi kryesor i tyre mbetet të fitojnë një argument. Këtu përfshihet edhe argumenti nëse një reporter duhet të jetë neutral politikisht dhe ideologjikisht në mënyrë që të praktikojë gazetarinë.
 
Marrë nga The New York Times
http://diaryoftirana.com/mes-gazetarise-dhe-aktivizmit-sipas-nyt/
Artikulli paraprakPër varrezat katolike në Llapushnik, Demaku veproi krye në vete: Ja dëshmitë (Dokument)
Artikulli vijuesSpecialja përçan opozitën