Hoxhaj dorëzon kërkesat për njohje nga Libani, Tunizia dhe Indonezia

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, po merr pjesë në Samitin e 40 të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), që po mbahet në shtetin Guinea Conakry, të Afrikës.
Në kuadër të fushatës lobuese për Kosovën, ministri Hoxhaj ka takuar homologë të shumtë nga vende që nuk e kanë njohur pavarësinë dhe personalitete të rëndësishme të shteteve islamike përfshirë edhe vendet mike të Kosovës.

Një takim Hoxhaj e ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Libanit, Adnan Mansour, me të cilin ka biseduar për njohjen e Kosovës, hapat e bashkëpunimit që mund t’i ndjekin të dyja vendet në të ardhmen duke dorëzuar njëherësh edhe zyrtarisht kërkesën për njohje.

Më tej, Hoxhaj e ka njoftuar homologun e tij për të arriturat e Kosovës, progresin e shënuar në dialogun me Serbinë dhe ecjen e Kosovës drejt BE-së.

“Njohja e pavarësisë së Kosovës për këto vende është një e drejtë e pamohueshme e popullit të Kosovës. I dorëzova ministrit të Jashtëm të Libanit kërkesën për njohjen zyrtare të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Libanit, Adnan Mansour, e siguroi ministrin Hoxhaj se vendi i tij do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për njohje dhe do të intensifikojnë komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Kërkesën për njohjen e pavarësisë, ministri Hoxhaj ia ka dorëzuar edhe ministrit të Jashtëm të Tunizisë, Othman Jarandi, me të cilin ka biseduar po ashtu edhe për hapat e bashkëpunimit të mëtutjeshëm ndërmjet dy vendeve përtej njohjes së Kosovës.

Kryediplomati kosovar Hoxhaj ka takuar edhe zëvendësministrin e Jashtëm të Indonezisë, Wardana, të shoqëruar nga ambasadori i këtij vendi në OKB, Desra Percaya, ku ka dorëzuar kërkesën për njohje. Hoxhaj po ashtu i ka njoftuar ata për të arriturat e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë më 2008.

Gjatë sesionit të paradites, ministri Hoxhaj ka takuar edhe ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah Ghobash dhe atë të Burkina Fasos, Yipene Djibrill Bassole, të cilët i ka falënderuar për mbështetjen e Kosovës.

Në margjina të Samitit, Hoxhaj ka takuar edhe sekretarin e ardhshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Iyad Madani dhe shumë ambasadorë e personalitete nga bota islame.

Kryediplomati kosovar po merr pjesë në Samitin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, pas qëndrimit në Paris ku mori pjesë në Samitin vjetor Francë-Afrikë.

Artikulli paraprakSekretari i OBI-t bën thirrje për njohjen e Kosovës
Artikulli vijuesZgjedhjet parlamentare në qershor?