Kreu i kishës Ortodokse të Malit të Zi ka shpërthyer kundër Kishës Serbe duke e cilësuar atë si “një organizatë terroriste”.
Siç bën të ditur televizioni publik i Podgoricës, mitropoliti Mihaillo – Mirash Dedeiç i ka kërkuar Prokurorisë së Malit të Zi që të hapë çështje penale ndaj krerëve të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, që selinë e ka në Cetinje, kryeqytetin e vjetër të vendit të vogël ballkanik.
Sipas Dedeiç, Kisha serbe është frymëzuese e të gjitha krimeve të drejtuara kundër sovranitetit dhe rendit kushtetues.
“Minimi i rendit kushtetues, i organizuar nga Patrikana serbomadhe me qëllim që vendi të vihet në pozitë koloniale, dhe tentativa që të shkaktohet luftë civile, është vazhdim i politikës së filialit të Patrikanës së Beogradit në Cetinjë, me të njëjtat qëllime, por me mjete të tjera”, theksoi mitropoliti i cili nuk njohet as nga Patriakana e Moskës e as nga ajo e Stambollit, megjithëse në Mal të Zi ka një betejë 20-vjeçare për autoqefalinë e Kishës Ortodokse.
Metropoliti thekson se “njësoj si në vitet ‘90, Kisha serbe nuk ka qenë asnjëherë një shtëpi e Zotit, por organizatë terroriste që ka vepruar dhe vepron kundër Malit të Zi me urdhra të Beogradit”.
Dedeiç ka akuzuar priftërinj të kishës serbe që në bashkëpunim me disa politikanë janë të lidhur me struktura të rrezikshme kriminale.
“Ka lidhje permanente me strukturat kriminale që janë bashkuar për të bërë punën e interesave serbomëdha dhe ta çojnë vendin në kaos”, thuhet në kumtesën e Kishës Malazeze, që vazhdon: “ne jemi i vetmi vend në Europë ku kriminelë janë në karriget e parlamentit ose shërbejnë në altarët e kishave që i kanë ngritur të parët tanë, në vend që të jenë objekt i ndjekjes penale për krime të rënda”. /tesheshi.com/