Mihajloviq: Serbia sot në Kosovë me ndikim më të fuqishëm që nga 1999-ta

Drejtori i Zyrës për marrëdhënie me mediat të qeverisë serbe, Milivoje Mihajloviq ka thënë sot se trazirat e 17 marsit 2004 në Kosovë kanë qenë “instrument i spastrimit etnik”, por se pas 11 viteve shteti i Serbisë ka ndikimin më të fuqishëm në Kosovë që nga viti 1999 dhe se serbët e Kosovës janë më të sigurt se ç’kanë qenë atëherë.

“Në këtë moment shteti i Serbisë e ka ndikimin më të fuqishëm në Kosovë që nga viti 1999 deri më sot, gjë që mund të shihet edhe përmes dialogut të Brukselit”, ka thënë Mihajloviq për Radiotelevizionin e Serbisë.

Sipas tij, presionet politike do të vazhdojnë edhe një kohë të gjatë, porse do të jenë me intensitet më të ulët, se realiteti tash ka ndryshuar, ngase serbët e Kosovës, të cilët morën pjesë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare, kanë hyrë në institucionet kosovare të sistemit dhe se kanë njëfarë fuqie, transmeton KP.

“Askujt nga serbët e Kosovës nuk i bie në mend që t’i nënshtrohet presionit politik se jeton në të ashtuquajturën Republikë e pavarur e Kosovës”, ka thënë Mihajloviq dhe ka shtuar se “serbët e Kosovës janë qytetarë të Serbisë”. /Telegrafi/

Artikulli paraprakGjykata Speciale e Kosovës, arrestimet e para në maj?
Artikulli vijuesRrëfimi i një gruaje e cila u dhunua nga barbarët serb: "Dëshiroja që dikush të ma shkrepte një plumb në kokë dhe të vdisja”