Nesër në Maqedoni protestojnë shqiptarët, të shtunën maqedonasit

Në Maqedoni për nesër janë paralajmëruar protesta të vetorganizuara të ndara nga shqiptarët dhe të shtunën nga maqedonasit, informon INA.

Protestat po organizohen përmes rrjeteve sociale, ku siç paralajmërohet të premten do të mbahen protesta të shqiptarëve në të gjitha qytetet e Maqedonisë Veriperëndimore me moton “Stop rasteve të montuara”.

Protestat që thirren përmes njoftimeve sidomos nga facebook, tashmë kanë marrë jehonën e tyre dhe se janë publikuar edhe oraret e mbajtjes së tyre në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Strugë, Dibër, Kërçovë, etj.

Ndërkohë, thirrje për protesta janë bërë edhe nga rrjete sociale maqedonase. Në një nga thirrjet që ka marrë mbështetje masive është ajo e një grupi të ashtuquajtur “Protesta para qeverisë”, ku thirren qytetarët për të protestuar të shtunën para Qeverisë. Sipas mesazheve të bëra ky organizim do të jetë në formën e kundërprotestës kundër shqiptarëve. Në këtë profil interneti virutal nuk kanë shpëtuar fyerjet e rënda antishqiptare dhe antifetare.

Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska deklaroi se po ndjekë të gjitha porositë në internet lidhur me organizimin e protestave të paralajmëruara.

“MPB po ndjek këto porosi dhe gjuha që përdoret në ato portale është e pahijshme. Si institucione përgjegjëse do të ndërmarrin të gjitha masat për të mbrojtur sundimin e së drejtës. Do të reagojmë ndaj çdokujt që do të shkelë rendin dhe ligjin”, ka theksuar ministrja Jankullovska. Protestat deri tani nuk janë mbështetur nga asnjë parti politike, por ato janë vetorganizuar./koha/kohaislame

Artikulli paraprakAzem Syla nuk është më banor i Zvicrës
Artikulli vijuesWilton: Kosova të mos pres dhurata nga qielli