Mitrovica është komuna më e varfër në Kosovë?

Numri i familjeve që përfitojnë skema sociale nga viti në vit është duke rënë lehtë. Sipas rezultateve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale në tre mujorin e tretë të vitit 2015, ishte 27.609 dhe krahasuar periudhën e njëjt të vitit të kaluar, numri i familjeve që kanë përfituar nga kjo skemë ka shënuar rënie për 1,929 ose shprehur në përqindje 6.5%.
Numri i familjeve që marrin ndihma sociale në vitin 2014 dhe 2015, është më i vogël nëse e krahasojmë më vitin 2013 për 7.7 %.
Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Departamentit të Statistikave Sociale, Bashkim Bellaqa,i cili tha për KosovaPress se gjatë vitit 2013 numri i anëtarëve që kanë përfituar ndihmë sociale ka qenë mbi 123 mijë.
“Sipas rezultateve në lidhje me ndihmat social që përfitojnë ekonomitë familjare, në vitin 2013, numri i ekonomive familjare që ka përfituar nga skemat sociale ka qenë 29 mijë e 688 familje, ndërsa, anëtarë 123 mijë e 554. Në vitin 2014, numri i ekonomive familjare ka pasur rënie në 27 mijë e 389 ekonomi familjare, ndërsa te numri i anëtarëve kemi 113 mijë e 842, do të thotë për vitin 2014. Pra, numri i familjeve që kan ë fituar ndihma sociale në vitin 2014, është më i vogël për 2229 familje ose e shprehur në përqindje për 7.7 % krahasuar me vitin 2013. Mirëpo, në vitin 2015, përkatësisht në tre mujorin e tretë, numri i ekonomive familjare që përfitojnë ndihma sociale është 27 mijë e 609 familje”, tha Bellaqa.
Nga i gjithë ky numër, komuna e cila prin me rastet sociale është Mitrovica, ku numri i ekonomive familjare që kanë përfituar ndihma social në tre mujorin e tretë të vitit 2015 është 1981.
“Sa i përket komunave se cilat prijnë më shumë për ndihma sociale, është Komuna e Mitrovicës, ku në tre mujorin e tretë të 2015, Komuna e Mitrovicës ka përfituar nga ndihma sociale, apo numri i ekonomive familjare që kanë përfituar nga ndihma sociale ishte 1981 familje apo 8461 anëtarë. Të dhënat i kemi prej të gjitha komunave, por prej komunave që prinë, apo që kanë më shumë ekonomi familjare që marrin ndihma sociale është Komuna e Mitrovicës”, tha ai.
Drejtori i Drejtorisë për Integrime dhe Mirëqenie Sociale në Mitrovicë, Qazim Nimani, ka bërë të ditur për KosovaPress se numri i përfituesve të ndihmave sociale është rritur si pasojë e papunësisë së madhe në këtë komunë.
Sipas tij, këto ndihma nuk përmbushin as për së afërmi kërkesat e familjeve, ndërsa përfituesit dominohen pothuajse njëjtë, si nga zonat rurale, ashtu edhe nga zona të ndryshme të qytetit.
“Nuk i përmbush kërkesat e atyre njerëzve ndihma të cilën ata e marrin, sepse kërkesat janë të ndryshme, vetëm ta marrim parasysh sa ata harxhojnë rrymë, pastaj ushqimi, strehimi, shërbimet tjera, e mos të flasim për shkollimin e fëmijëve të tyre…Elementi kryesor është varfëria dhe papunësia e madhe që po shtohet në këtë vend…Mandej, është sezona e dimrit që njerëzit hallexhinj nuk kanë mundësi me bë zgjidhje tjetër, përveç mbështetjes në këtë proces”, ka thënë Nimani.
Pas Mitrovicës, komuna që më së shumti marrin ndihma sociale, është Prishtina me 1 mijë e 699 familje përfituese, pastaj Gllogovci me 1 mijë 587 ekonomi familjare.
Sa i përket viteve të mëparshme gjatë vitit 2009, numri i ekonomive familjare që kanë përfituar nga ndihma sociale ka qenë mbi 35 mijë, në vitin 2010, mbi 36 mijë, në vitin 2011, mbi 34 mijë dhe në vitin 2012, rreth 31 mijë familje.
– See more at: http://gazetafjala.com/kjo-eshte-komuna-me-e-varfer-ne-kosove/#sthash.lpRqTFp5.dpuf

Artikulli paraprakKur besimtarëve u dalin ëndërrat, prite Kijametin
Artikulli vijuesKrishterimi dhe pushtimi Spanjës nga muslimanët