Që nga data, e cila përputhet më 19 nëntor të vitit 2015, e fillimit të zbatimit të qasjes selektive të lejimit në territorin e Maqedonisë vetëm të refugjatëve që vijnë nga rajonet e përfshira nga lufta siç janë Siria, Afganistani dhe Iraku, e deri më 10 janar, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka zbuluar gjithsej 25 raste të trafikimit të migrantëve konfirmoi për Anadolu Agency (AA), Natalija Spirova Kordiç kryeshefe e Sektorit për marrëdhënie me opinionin në MPB.
Ajo thotë se numri i migrantëve që ilegalisht janë transportuar në territorrin e Maqedonisë arrin në 181. Në vijim Kordiç informon se që nga zbatimi i qasjes selektive të lëshimit të kalimit në kufirin jugor të Maqedonisë, janë kthyer gjithsej 12 mijë e 189 “migrantë të ashtuquajtur ekonomikë”, prej të cilëve 8 mijë e 146 janë kthyer në vet vendkalimin kufitar, ndërsa 4 mijë e 33 janë kthyer nga territori i Maqedonisë.
Përndryshe, para dy ditësh Armata e Republikës së Maqedonisë (ARM) filloi me vendosjen e gardhit të dytë me tela me gjemba përgjatë kufirit maqedono-grek, tek kota 59.
Planifikohet që ky gardh i dyfishtë të jetë përgjatë kufirit jugor. Masa shtesë mbrojtëse zbatohet për shkak të faktit se migrantët i shfrytëzojnë vendkalimet ilegale kufitare për të hyrë në territorin e Maqedonisë, prej ku vazhdojnë drejt vendeve evropiane.
“ARM-ja filloi me vendosjen e gardhit të dytë me tela. Po vendosen edhe shtylla në vendin. Qëllimi për vendosjen e gardhit shtesë është si i herës së kaluar, gjegjësisht parandalimi i kalimeve ilegale dhe orientimin e refugjatëve drejt vendit të saktë për regjistrimin e tyre”, konfirmuan për AA nga Sektori për marrëdhënie me opinionin në ARM.
UNHCR-ja dhe organizatat joqeveritare të cilat janë të kyçur në mënyrë aktive në përballjen me krizën e refugjtëve theksojnë se qendrat e pranimit në Gjevgjeli dhe në Tabanoc janë ndërtuar me idenë që njerëzit të qëndrojnë aty vetëm disa orë, si dhe ato nuk janë të përgatitura që nëse refugjatët duhet të qëndrojnë disa ditë në vend.
Javën e kaluar në kufirin jugor të Maqedonisë kanë arritur 25 policë çekë, si dhe policë nga Sllovakia të cilët do t’u ndihmojnë kolegëve të Maqedonisë gjatë regjistrimit të refugjatëve, ndërsa sot në mëngjes Kroacia dërgoi 15 zyrtarë të policisë të cilët do të marrin pjesë në profilizimin e përbashkët policor të migrantëve të cilët duan të hynë në vendet e Bashkimit Evropian.
Ky është vendimi sipas marrëveshjes së arritur në takimin e drejtorëve të policive të vendeve të itinerarit të refugjatëve, ku u dakordua që të dërgohet mbështetje e përbashkët policore në kufirin e Maqedonisë.