Muhamed Zekiri: Në Qeverinë e Gruevskit shqiptarët janë vasalë dhe s’kanë legjitimitet

Shteti i Maqedonisë është në krizë.

Situata politike në këtë vend po shkon drejt skenarëve pa zgjidhje normale, së paku në plan afatshkurtër.

Gjendje absurde dhe kapje totale të shtetit nga ana e pushtetit e cilëson Muhamed Zekiri, gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Rruga e Re” në TV Shenja.

“Kjo që po ndodhë në Maqedoni është unike, absurde dhe nuk besoj se ka ndodhë në ndonjë vend tjetër të botës. Do të jetë shembull në të ardhmen që do ta mësojnë studentët dhe do të shkruhet në histori”.

“Maqedonia nga viti i kaluar po ballafaqohet me një situatë të vështirë politike pas publikimit të skandalit të paparë me përgjimet. Paramendoni, pushteti Gruevski-Ahmeti ka përgjuar mbi 20 mijë qytetarë duke keqpërdor shërbimin sekret që e ka drejtuar kushëriri i Gruevskit, Mijallkov. Këto përgjime zbuluan skandale dhe keqpërdorime të shumta qe ka bërë ky regjim i Gruevskit, E gjithë kjo e përcjellë me tensione te vazhdueshme rezultoi me një marrëveshje politike te Prezhinos të cilën e ka minuar vazhdimisht VMRO DPMNE-ja e ndihmuar nga BDI-ja”.

“U formua prokuroria speciale dhe kur pushtetarët kriminelë e vërejtën se puna është serioze dhe do të duhet të përgjigjën para drejtësisë, ata fillimisht ndryshuan kushtetutën duke i dhënë të drejtë Presidentit, të cilin e kontrollojnë për momentin, të falë të gjitha llojet e krimit”, ka thënë Zekiri për KlanKosova.tv

“Pas kësaj, ky i ashtuquajtur president Gjorge Ivanov amnistoi as më pak as e shumë por 56 veta – disa prej tyre nga 16 herë, në mesin të cilëve ishin Gruevski, ministrat Mile Janakievski, kushëriri i tij Sasho Mijallkov dhe bashkëpunëtorë të tjerë të tyre”.

Protestat e mbajtura në Maqedoni kohët e fundit, përfshirë edhe ato të djeshme nga këshilli opozitar shqiptar, Zekiri i cilëson si mesazh të qartë për qeverinë VMRO-DPMNE dhe BDI, se nuk mund të thirren në legjitimitetin qytetar.

“Protestat e qytetarëve që po mbahen në Maqedoni i dhanë një frymë të re situatës këtu. Në fakt, detyruan edhe faktorin ndërkombëtar të ketë qasje më serioze në gjithë këtë që po ndodh këtu. Andaj, nga java e kaluar kemi edhe të dërguar special të emëruar nga Qeveria e Gjermanisë që po merret me kapërcimin e situatës te ne. Protestat ishin mesazh i qartë për vasalet shqiptarë në qeverinë Gruevski – BDI se nuk mund të thirren më në legjitimitetin e votës dhe s’mund ta përfaqësojnë vullnetin e shqiptarëve të Maqedonisë“.

Artikulli paraprakNjë shqiptar është vrarë sot në Zvicër
Artikulli vijuesTrump zbut qëndrimin ndaj myslimaneve: Ndalimi i hyrjes në ShBA, thjesht një sygjerim