Nga Natalie NOUGAYREDE*:
Me kaq shumë pasione që janë ngritur në Europë nga ndikimi i krizës së refugjatëve, rritja e populizmit, frika nga terrorizmi, për të mos përmendur debatet konfuze për sekularizimin dhe burkinin, të eksplorosh atë se çfarë mendojnë europianët muslimanë nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme. Një figurë interesante është myftiu i madh i Sllovenisë të cilin e takova së fundmi, në një konferencë në Austri, që organizohej nga Instituti Ndërkombëtar për Paqen. Sllovenia është një vend me shumicë dërrmuese katolike të 2 milionë banorëve të saj, e mes tyre vlerësohet se jetojnë rreth 50 mijë muslimanë.
Xhamia e parë e vendit është aktualisht në ndërtim në kryeqytetin e vendit, Ljubjana. Ndërtimi i saj ka kërkuar tejkalimin e një sërë telashesh politike dhe administrative – që në fund u sqaruan kur Gjykata Kushtetuese e Sllovenisë vendosi që mohimi i të drejtës së një vendi faljeje për pakicat shkel të drejtat fetare. Jo habitshëm, myftiu i madh Nezad Grabus mendon se këto janë kohë të vështira për muslimanët në Europë. Ata në vijimësi duhet të zmbrapsin dyshimet për lidhje të tyre me Islamizmin radikal apo terrorizmin.
Grabus është një burrë i qetë e buzagaz në fund të të dyzetave. Nëse ka një gjë që ai dëshiron ta theksojë, është se “Islami është pjesë e civizilimit europian”. Islami, çfarëdo që të thuhet, nuk është një besim i ri në Europë, “por ka shfaqjet e veta të reja”, thotë ai. Ai u trondit këtë verë nga ndalimi i burkinit në disa qytete bregdetare franceze dhe ai është tërësisht kundër çdo legjislacioni që do të nxirrte jashtë ligjit nikabin. Por ai thotë, gjithashtu, se nikabi është diçka që muslimanët europianë duhet të punojnë për ta përballur, pasi u ndalon grave muslimane të gjejnë një vend të përshtatshëm në shoqëri. Grabus ka lindur në qytetin boshnjak të Travnikut (i ati më pas e zhvendosi familjen në Slloveni ku mund të gjente punë, ndërsa vendi ishte pjesë e Jugosllavisë komuniste). Ai është një musliman nga Ballkani. Islami sigurisht që nuk është gjë e re në Ballkan, një rajon që ka qenë i dominuar me shekuj nga Perandoria Osmane.
Ashtu si Europa është një përzierje kulturash dhe kombesh, popullsia muslimane e Europës është ekstremisht e ndryshme, sikundër është historia e tyre. Kjo mund të tingëllojë si diçka e ditur, por është njëkohësisht diçka që lehtësisht lihet mënjanë në të gjitha debatet e trazuara për Islamin, emigracionin dhe politikat e identitetit. Ka një prirje që muslimanët të konsiderohen të marrë së bashku si një entitet i vetëm. “Në Europë, ne muslimanët na duhet të bëjmë të ditur se nuk kemi të njëjtën narrativë”, thotë myftiu, “ka shumë ndryshime”. Për shembull, ai vë në dukje sesi karakteristikat etnike luajnë një rol më të rëndësishëm sesa kuptojnë shumë vëzhgues.
Muslimanët mund të lidhen shumë me rrënjët e tyre etnike apo kombëtare (boshnjakë, shqiptarë, turq, kurdë, algjerianë, pakistanezë etj.) ashtu sikundër janë të lidhur fort me besimin fetare. Rilindja fetare si në çdo besim, nuk nënkupton se njerëzit heqin dorë nga pjesë të tjera të identitetit të tyre.
Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë një “narrativë të përbashkët” dhe Grabus është i vendosur se “si muslimanë në Europë, detyra jonë është të krijojmë një të tillë, me anë të së cilës ne do të shfaqim kuptimin tonë të Islamit që përket këtu”. Pjesa më e madhe e kësaj, sipas tij, ka të bëjë me arsimimin dhe tejkalimin e injorancës, si tek muslimanët ashtu edhe tek jo-muslimanët. Sa njerëz, pyet ai, e dinë se Austro-Hungaria nën regjimin e Habsburgëve, e njohu Islamin si një besim zyrtar jo më afër se viti 1912? Sa njerëz e dinë se xhamia e parë në Francë u ndërtua nga republika sekulariste franceze (në Paris, në vitet ‘1920) si një nderim për dhjetëra mijë muslimanë që humbën jetën në Luftën e Parë Botërore? Dhe sa njerëz do të merrnin në konsideratë që akademiku mesjetar, Averroes, lindur në Kordova kur Andaluzia sundohej nga arabët, ishte një musliman europian?
Me gjithë këtë obsession aktual për terrorizmin dhe radikalizimin, është e lehtë të harrosh për shumëllojshmërinë e Europës, dhe për diversitetin mes popullsisë muslimane të saj. Disa ditë pasi fola me Grabus, isha në Këln, për të takuar përfaqësues të Unionit Turko-Islamik për çështjet fetare (si pjesë e një grupi studimi për Gjermaninë dhe krizën e refugjatëve, të organizuar nga fondacioniRobert Bosch).
Xhamia qendrore në Këln është një ndërtesë e bukur, moderne, me mure betoni dhe xhami, dhe me një kube të stilit osman. Ajo është ende në ndërtim, dhe qëndron aty si provë e ndryshimeve shoqërore që janë duke ndodhur.
Një milion muslimanë jetojnë në shtetin gjerman të Rinit Verior-Uestfalisë – një e treta e komunitetit të fuqishëm turk prej tre milionësh të Gjermanisë. Unioni Turko-Islamik ka lidhje të fuqishme institucionale me shtetin turk – diçka që ka bërë që disa politikanë gjermanë të shprehin dyshime për besnikërinë e tyre ndaj vendit. Gjermanisë iu deshën dekada të përballej me faktin që emigrantët turq të epokës Gastarbeiter, të cilët mbërritën kryesisht në vitet 1950 dhe 1960, duhej të kishin të drejtën e shtetësisë dhe të trajtoheshin si pjesë integrale e shoqërisë – si një popullsi që ishte vendosur aty përfundimisht e jo përkohësisht.
Por, Murat Kayman, anëtar i Unionit Turko-Islamik thotë se “sjellja ndaj muslimanëve nuk ka qenë kurrë më e keqe” nga sa është sot. Incidentet kundër muslimanëve e ato me sfond racist po rriten.
Fakt është që Gjermania tashmë po lufton betejën e integrimit të më shumë se 1 milion refugjatëve që mbërritën në vitin 2015 – shumë prej të cilëve nga bota arabe – e kjo ka krijuar presion shtesë. Shpërthimi i vitit të kaluar i “kulturës së mirëpritjes” është zbehur dhe e djathta ekstreme ka fituar terren – ndaj së cilës Angela Merkel reagoi në mënyrë ambigue duke thënë në një fjalim se “Gjermania do të mbetet Gjermani”.
Ajo që më tronditi ndërsa flisja me myftiun e madh të Sllovenisë dhe me liderët e muslimanëve turq të Këlnit, është sesa pak kontakte dhe shkëmbime duket se ata kanë më njëri-tjetrin, apo me komunitetet muslimane në Francë, Britani apo Skandinavi. Ashtu si vendet europiane ku secila prej tyre ndeshet ndarazi me çështje të multikulturalizmit, integrimit dhe me modele kontrastuese të marrëdhënieve midis shtetit dhe fesë, popullsitë muslimane europiane janë të fragmentarizuara. Këto kompleksitete mbyten shpesh nga debatet histerike për Islamin.
Historiani Tony Judt dikur shkroi për nevojën “e hartimit të kontureve dhe linjave të identitetit europian dhe përvojave” për shkak se “në një kohë të tranzicionit demografik dhe rivendosjes së popullsive, europianët e sotëm janë më të shumtë e më heterogjenë se kurrë më parë”. Se si shoqëritë europiane përqafojnë shtimin e diversitetit, në shumë mënyra është përcaktuese e fatit të demokracive tona. Duke i kushtuar më shumë vëmendje diferencave mes muslimanëve të Europës, më shumë sesa duke i parë ata si një bllok homogjen, mund të jetë një nga rrugët e ecjes përpara.
*Natalie Nougayrède është kolumniste, raportuese kryesore dhe komentatore e zhvillimeve ndërkombëtare për gazetën londineze “The Guardian”. Më herët ajo ka qenë redaktore e përgjithshme e “Le Monde”.