Mustafa letër minatorëve të Trepçës: Jepini fund grevës

Isa Mustafa i ka dërguar një letër minatorëve të Trepçës ku i kërkon që t’i japin fund grevës që kanë nisur së fundmi.

Në letrën drejtuar minatorëve të Trepçës, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, siguron se qeveria e Kosovës është duke marrë të gjitha masat e nevojshme, të mundshme ligjore, në mënyrë që statusi i Trepçës të zgjidhet në interes të minatorëve dhe qytetarëve të Kosovës. Në letrën që nuk është bërë ende publike, kryeministri Mustafa ka bërë të ditur në letër hapat që qeveria e Kosovës ka ndërmarrë për të shmangur falimentimin e Trepçës dhe për të siguruar perspektivë zhvillimore për të. Ai i bën thirrje minatorëve që të ndërpresin grevën dhe t’i përkushtohen punës në interes të Kosovës.

Greva e minatorëve të Trepçës nisi ditën e martë, ku minatorët kërkuan shpjegime për fatin e kompleksit të minierave ku ata punojnë dhe miratimin e një ligji të veçantë në bazë të të cilit kompleksi të shndërrohet në një ndërmarrje publike në pronësi të qeverisë së Kosovës.

 

Artikulli paraprakPas vizitës së Presidentes Jahjaga tek Papa
Artikulli vijuesUkrainë. Granatë në një stacion autobusi, 9 të vdekur