Myftiu i Shkupit, Ibrahim Shabani, shkarkohet nga detyra

0
282

Mbrëmjen e të dielës së kaluar në ceremoninë për gara në lexim të Kur’anit, pati konflikte verbale ndërmjet kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi dhe myftiut të Shkupit, Ibrahim Shabani.

Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë (BFI), në mbledhjen e sotme të rregullt diskutuan për përgatitjen e organizimit të jetës fetare gjatë muajit të Bekuar të Ramazanit, përgatitjen e organizimit të Haxhit, shqyrtimin e Rregullores së Imamëve të Zvicrës dhe shqyrtimin e gjendjes aktuale të krijuar ditëve të fundit në BFI, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mbledhje, siç thuhet në kumtesë, rijaseti edhe njëherë rikonfirmoi votëbesimin për legjitimitetin e Reisul Ulemasë të BFI-së, ku u dëshmua se asnjëherë nuk e ka patur të kontestuar legjitimitetin për të udhëhequr BFI-në. Rijaseti në mënyrë unanime rikonfirmoi votëbesimin e të gjitha funksionarëve të Organeve të BFI-së, Institucioneve Edukative-Arsimore dhe shoqatave që veprojnë në kuadër të BFI-së.

“Reisul Ulema H. Sulejman Rexhepi, në bazë të nenit 43 të Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame, ia tërheq Muraselen Myftiut të Shkupit, Ibrahim ef. Shabani dhe i njëjti transferohet me detyrë të re, Profesor në Medresenë Isa Beu – Shkup. Poashtu ky vendim përkrahet në mënyrë unanime nga Rijaseti i BFI-së dhe i njëjti hyn në fuqi nga dita e sodit 30.04.2015”, theksohet në kumtesë.

Në vazhdim thuhet se në bazë të nenit 30 të Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame, Organi i Myftinisë së Shkupit obligohet që në afat prej 30 ditësh, duke filluar nga dita e sotme, të propozojë kandidatë të mundshëm për Myfti të ri të Myftinisë së Shkupit.

Në mbledhje Afrim Tahiri, sekretar i përgjithshëm i BFI-së, shkarkohet nga detyra dhe i njëjti transferohet në vendin e tij të mëparshëm të punës, sekretar i Shoqatës “Ilmije”, ndërsa sekretari i Myftinisë së Shkupit, Skënder Buzaku, poashtu shkarkohet nga detyra dhe transferohet si edukator në Medresenë “Isa Beu”.

Mbrëmjen e të dielës së kaluar në ceremoninë për gara në lexim të Kur’anit, pati konflikte verbale ndërmjet kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi dhe myftiut të Shkupit, Ibrahim Shabani. Në mbledhjen urgjente të mbajtur nga Anëtarët e Myftinisë së Shkupit me përkrahje të shumicës së anëtarëve të organit vendosën që të përkrahin punën dhe aktivitetet e Myftinisë së Shkupit në krye me myftiun Ibrahim Shabani, ku Shabani kërkoi nga kreu i BFI-së Sulejmani, që brenda 48 orëve të ndërgjegjësohet dhe të kërkoj falje publike ndaj myftiut të Shkupit dhe organit që ai drejton.