Natë e tensionuar dhe e frikshme në Shkup

Në Shkup mbrëmë ka mbretëruar situatë e tensionuar dhe e frikshme, pas sulmeve brutale nga huliganë të organizuar maqedonas ndaj shqiptarëve.

Situata e tensionuar ka nisur menjëherë pas protestës së dhunshme para Qeverisë, kundër emërimit të ministrit të ri të mbrojtjes, Talat Xhaferi, për shkak të së kaluarës së tij si komandant i UÇK-së.

Protestuesit pas përballjes dhe përleshjes me policinë para Qeverisë, ata pas shpërndarjes së tyre kanë nisur sulmin brutal ndaj qytetarëve shqiptarë në pjesën qendrore të Shkupit. Më pas sulmet kanë vijuar edhe në disa lagje tjera dhe se kryesisht caku i sulmeve kanë qenë gjithë ata qytetarë që janë identifikuar se janë të përkatësisë shqiptare.

Dhjetëra dëshmitarë kanë rrëfyer tmerrin që kanë përjetuar dhe shpëtimin e kokës së tyre nga brutaliteti i huliganëve të maskuar maqedonas, që ushtronin dhunë edhe para syve të policisë.

“Kanë rrahur fëmijë, gra shqiptare dhe pleqë në mënyrë barbare dhe të dhunshme. Kjo është e patolerueshme të rrihet një qytetar i lirë i këtij vendi. Ne si po na trajtojnë ata, a thua edhe ne t`ia kthejmë me të njejtën mënyrë. Apeloj që të ndërmerren masa, përndryshe do të mund të eskalojë situata”, theksoi Blerim.M, një student shqiptarë në Shkup, që ka përjetuar tmerrin e huliganëve maqedonas.

Njësitet speciale kanë vazhduar të qëndrojnë në disa akse rrugore dhe në pjesën qendrore të Shkupit. Mirëpo, siç mësohet huliganët e organizuar maqedonas kanë qëndruar mbrëmë kryesisht në lagjet e pastra etnike të Shkupit, si Aerodrom, Gjorçe Petrov, Kisella Vodë, Draçevë, etj.

Protesta ka qenë e organizuar dhe se grupe tifozësh maqedonas ultranacionalist kishin thirrur për organizim dhe rezistencë ne shenjë proteste kundër ministrit Xhaferi. (INA)/kohaislame

Artikulli paraprakRrihen brutalisht shqiptarët nëpër Shkup
Artikulli vijuesSiri – Dhjetëra të vdekur pas luftimeve në Raka