BDI ka shënuar ndarjen më të madhe brenda saj. Shkas është bërë koalicioni me VMRO’n e Gruevskit, i cili s’u bë pas përplasjeve të forta në Reçicë, brenda BDI’së.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka pasur përplasjet më të forta brenda subjektit që prej themelimit të tij. Shkas i këtyre përplasjeve është bërë formimi i Qeverisë së re të Maqedonisë, konkretisht ndarja në dysh e partisë, ku njëri grup ka kërkuar fuqishëm koalicion me VMRO’në e grupi tjetër ka qenë kategorikisht kundër vazhdimit të qeverisjes me këtë parti.
Grupi i parë i përfaqësuar nga Musa Xhaferi, dikur një prej njerëzve kryesor të kësaj partie kanë mbrojtur me forcë arritjen e një marrëveshjeje me ish Kryeministrin Nikola Gruevski, mëson Politiko.net nga burime të afërta me këtë parti. Një koalicion të tillë e ka mbështetur edhe Zëdhënësi Bujar Osmani, deputeti Artan Grubi dhe përfaqësues të tjerë. Ndërsa Grupi kundër, që ka arritur ta fitojë këtë betejë, ka qenë kryesisht i përbërë nga kryetar me ndikim të komunave dhe degëve të BDI’së të cilët kanë qenë kategorikisht kundër vazhdimit të qeverisjes me Gruevskin.
Politiko.net mëson se përplasjet mes dy grupeve kanë qenë të forta dhe në një situatë të tillë kryetari i BDI’së, Ali Ahmeti, nuk ka dashur që të vendos vetë për shkuarje me koalicion me Gruevskin, duke bërë që situata të marrë rrjedhë komplet tjetër, tash jo vetëm brenda BDI’së por edhe në skenën politike në Maqedoni.
Tani mbetet të shihet nëse Presidenti Ivanov do t’ia kalojë të drejtën e formimit të Qeverisë LSDM’së së Zoran Zaevit, apo duke qenë një president i kontrolluar nga Gruevski do të sakrifikojë postin e tij, duke thënë dorëheqje për ta çuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, vetëm për të mos kaluar mandatin te partia e Zaevit. Zhvillimet politike në Maqedoni tani do të jenë të paparashikueshme, marrë për bazë luftën e madhe për pushtet të spektrit politik atje./Politiko.