Vendet e Grupit të Vishegradit (V4) kanë përgatitur një variant, sipas së cilit, do ta përforcojnë kontrollin në kufijtë jugor të Maqedonisë apo Bullgarisë, nëse gjatë shkurtit nuk funksionon marrëveshja për mbrojtjen e kufirit të Turqisë dhe të Greqisë, deklaroi kryeministri çek, Bohusllav Sobotka.
Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Praga, në një intervistë të shkurtër për televizionin shtetëror çek (ÇT), Sobotka tha se nuk guxon të përsëritet situata e vitit të kaluar, kur përmes vendeve ballkanike në Evropën e Mesme, pa ndonjë kontroll të madh arritën qindra mijëra refugjatë.
“Turqia ka mjete të mjaftueshme për ta lënë krizën e refugjatëve nën kontroll. Shumë më thjeshtë është që të pengohen anijet për të lundruar në bregun turk, sesa të kthehen nga bregu grek”, shtoi kryeministri çek.
Ai potencoi se nëse rregullimi i kufirit greko-turk nuk fillon të funksionojë, vendet e V4 (Çekia, Sllovakia, Polonia, Hungaria) do t’ju kushtojnë vëmendje shteteve të tjera, gjegjësisht Bullgarisë dhe Maqedonisë, ku dëshirojnë personalisht ta përforcojnë sigurinë.
“Nëse deri në Këshillin Evropian të shkurtit nuk ka rezultate me Turqinë dhe Greqinë, shtetet e V4 do ta propozojnë këtë alternativë, ndërsa kjo padyshim është presion mbi Greqinë dhe Turqinë, për të ndërmarrë hapa për rregullimin e krizës së refugjatëve”, vlerësoi Sobotka.
Qeveria çeke, që në dhjetor të vitit të kaluar miratoi dërgimin e 25 policëve çekë në Maqedoni.