Sjellja në rendin e ditës nga politikanët në Francë ku vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet presidenciale të çështjes së reformës institucionale e cila do të mbartë kuptimin e ndërhyrjes kundër jetesës islame ka shkaktuar reagimin e muslimanëve që jetojnë në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendëskryetari i Këshillit Islam në Francë (CFCM), Ahmet Oğraş, për gazetarin e AA-së ka bërë disa vlerësime në lidhje me iniciativën e “reformës islame” me dorën e shtetit dhe për projektin e ri të “vakëfit islam”.
Duke shprehur se është e “pakuptimtë” ardhja në rendin e ditës e diskutimeve për ndalimin ndihmave nga jashtë vendit për xhamitë pas sulmit të ndodhur ndaj kishës në qytetin Saint Etienne de Rouvray në veri të vendit, Oğraş, tha se “Franca është shtet ligjor. Një ndalim i tillë në një shtet ligjor nuk mund të jetë real. Iniciativa e reformës me dorën e shtetit kundrejt islamit është një lëvizje e kryer në prag të zgjedhjeve. Vetëm për lehtësimin e opinionit publik në Francë ka një perceptim të tillë si ‘shteti po merr nën kontroll situatën’”.
“99 për qind e financimeve të xhamive në Francë janë nga brenda vendit”
Pasi ka theksuar se ndihmat e ardhura jashtë Francës për xhamitë janë të kufizuara Oğraş u shpreh më tej se “Tashmë 99 për qind e financimeve të xhamive të Francës kryhen nga brenda vendit. Përveç mbështetjeve simbolike të bëra nga një apo dy shtete, nevojat financiare i përballojnë muslimanët në Francë.”
Ndër të tjera Oğraş ka pohuar se Franca nuk ka mundur të zhvillojë ndonjë zgjidhje kundër grupeve radikale në vend. Ai ka shtuar më tej se “Përfundimisht zgjidhja është tek muslimanët. Shteti i Francës duhet të lehtësojë punën e muslimanëve në vend. Por vërehet se Franca ka një qasje me perceptimin e vjetër kolonial kundër ngjarjeve, ku rëndon më shumë një qëndrim paragjykues kundër muslimanëve.”
“Ka pasiguri kundër muslimanëve”
Pasi ka folur për propozimin e Presidentit François Hollande për vendosjen në krye të “vakëfit islam” të porsahapur të ish-ministrit të Brendshëm Jean-Pierre Chevenement, Oğraş, ka theksuar se “emërimi i një personi që nuk është mualiman na tregon ne se ka një pasiguri dhe paraqitje e një stili të qeverisjes ku vazhdohet perceptimi i vjetër kolonial.”
Ndër të tjera duke nënvizuar se “vakëfi islam” duhet të formohet në përputhje me parimet e drejtësisë shoqërore, Oğraş ka theksuar: “Ashtu siç punojnë edhe vakëfet e tjera fetare edhe ky ‘vakëf islam’ i ri duhet të punojë sipas të njëjtave kritere. Vakëfi duhet të zhvillojë veprimtaritë e tij me respektimin e parimit të barazisë. Ashtu siç edhe vakëfet e feve të tjera i drejtojnë njerëzit anëtarë të feve të tyre edhe ne kërkojmë po të njëjtën gjë.”
“Diskutimi i reformës islame në prag të zgjedhjeve zhvlerëson çështjen”
Nuk mund të jetë konstruktiv diskutimi i çështjeve si “reforma islame” në një kohë kur po afrohen zgjedhjet ka theksuar Oğraş duke u shprehur se “diskutimi i reformës islame në prag të zgjedhjeve zhvlerëson çështjen.”
Propozimi i ish-ministrit të Brendshëm si kryetar i Vakëfit Islam i cili sapo do të formohet në kuadër të “reformës në Islam” ka bërë që edhe politikanët francezë të reagojnë.
Ministrja e të Drejtave të Familjes, Fëmijëve dhe Grave Laurence Rossignol, duke kritikuar vendosjen në krye të Vakëfit Islam të një personi i cili nuk ka asnjë lidhje me islamin, është shprehur se “Në këtë detyrë duhet të emërohet një person i cili është rritur me kulturën muslimane, një person i cili kupton hollësinë njerëzore të islamit.”
Ndërsa ish-ministri i Brendshëm, Brice Hortefeux, në lidhje me çështjen ka deklaruar se “Chevenement është një emër me përvojë dhe i respektuar, por është një zgjedhje surprizë sepse ai është krejtësisht i huaj me Islamin. Kjo është sikur në krye të kristianëve në Francë të vendosësh një budist.”
Ish-ministri Chevenement, i cili u propozua për kryesinë e Vakëfit Islam nga Hollande, duke vënë në dukje se do të pranojë postin e kryetarit, ai kishte mbrojtur idenë e tij se duhet të ndalohen ndihmat e ardhura nga jashtë për xhamitë dhe se është e nevojshme që këto ndihma duhet të kryhen në transparencë të plotë. Chevenement gjithashtu në lidhje me vendimet për ndalimin në disa qytete të Francës të veshjeve të plazhit për femrat e mbuluara (burkini) kishte pohuar se “Këto vendime janë të nevojshme nga pikëpamja e sigurimit të rendit publik.” zSipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme në Francë ku jetojnë afërsisht 5 milionë muslimanë, në afërsisht 2. 500 xhami dhe mesxhide punojnë 1.800 punonjës fetarë. /AA/