Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim se kur do ta procedojë për ratifikim në Kuvend, marrëveshjen me Malin e Zi për Demarkacionin e kufirit.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë se nuk e dinë saktë se kur çështja do të shkojë në Kuvend, por sipas tyre, kjo do të ndodh shumë shpejt.
“Nuk ka informacione se kur do të procedohet kjo çështje në Kuvend edhe pse e dimë që kjo duhet të përfundojë shpejtë”, ka deklaruar, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj.
Gecaj ka theksuar po ashtu se për ketë çështje partitë në pushtet dhe opozita duhet të ulen dhe të bisedojnë që të arrihet një pajtim.
Pak ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa kishte deklaruar se Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi duhet të zgjidhet sa më shpejt.
Sipas tij, gjatë kësaj jave do të zhvillohen takime me udhëheqësit e institucioneve më të larta të shtetit në mënyrë që kjo çështje të përmbyllet.
Përderisa qeveria është në përgatitje të procedimit të marrëveshjes për ratifikim, grupet parlamentare në Kuvend shprehin mendime të ndryshme karshi kësaj marrëveshjeje.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, konsideron se ratifikimi i marrëveshjes ndërkombëtare për Demarkacionin me Malin e Zi është një çështje e ndjeshme dhe ajo duhet të analizohet dhe vlerësohet drejtë. Ai thotë se shteti i Kosovës duhet ta ketë të shënjuar vijën kufitare me shtetet që e rrethojnë.
“Varet nga Qeveria se kur do ta sjellë në Kuvend. Varet nga ajo se kur vlerëson se është e përgatitur kjo marrëveshje për të proceduar më tutje”, ka thënë Grabovci.
Tutje, deputeti Grabovci thotë po ashtu se si Kosova ashtu edhe Mali i Zi janë deklaruar se nuk kanë interesa që të fitojnë nga territori fqinjë.
“Mund të përcaktohet, apo të korrigjohet, apo edhe të aprovohet kjo [marrëveshje] ashtu siç është mbi bazën e fakteve dhe argumenteve që mund të sillen dhe që ekzistojnë”, është shprehur Grabovci.
Marrëveshja për Demarkacionin është nënshkruar në Vjenë më 25 gusht të vitit të kaluar.
Ajo ishte prezantuar nga kryeministri dhe Qeveria e Kosovës si shumë e rëndësishme, pasi që Kosova po shënonte vijat kufitare me shtetet fqinje.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me disa deputetë të LDK-së, por të njëjtit nuk janë në dijeni se kur qeveria do ta procedoj në kuvend marrëveshjen në fjalë. Në bazë të deklarimeve të mëhershme, disa deputetë të LDK-së kanë shprehur rezerva apo edhe kundërshtim të kësaj marrëveshjeje.
Ndërkaq, subjektet politike opozitare në Kosovë e kanë kundërshtuar në vazhdimësi marrëveshjen për demarkacionin, duke konsideruar se ajo cenon tërësinë territoriale të Kosovës.
Subjekti me i madh opozitar në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se ashtu siç është marrëveshja, nuk do të lejohet të ratifikohet në Kuvend.
Frashër Krasinqi nga Vetëvendosje, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky subjekt politik është interesuar që çështja e Demarkacionit me Malin e Zi të zgjidhet, por jo në dëm të territorit Kosovës.
“Duke e pasur parasysh që marrëveshja aktuale e Demarkacionit ia humb Republikës së Kosovës mbi 8 mijë hektarë, kjo e dyfishon padrejtësinë ndaj vendit tonë. Nuk është vlerë evropiane që marrëdhëniet në mes dy shteteve të zgjidhen në dëm të njërës palë. Nuk do të pranojmë dhe nuk do të lejojmë ratifikimin e kësaj marrëveshje dhe do të angazhohemi maksimalisht për parandalimin e saj”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas tij, kërkesa për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, para se çështja e liberalizimit të vizave të shkojë në Parlamentin Evropian për miratim, është e padrejtë, ngase siç thotë ai, një kërkesa e tillë po i bëhet vetëm Kosovës dhe nuk i është bërë asnjë shteti të rajonit.
Lidhur me këtë çështje, në Kuvend, por edhe jashtë tij, opozita për gjashtë – shtatë muaj kishte organizuar protesta, duke kërkuar anulimin e marrëveshjes.
Dy subjektet e tjera opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë paralajmëruar sërish protesta.
Sidoqoftë, pas propozimit pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian, tani ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, mbetet kushti kryesor që Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian ta miratojnë fillimin e zbatimit të liberalizimit, e që pritet të ndodh brenda 90 ditësh.
Ministri i integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ka theksuar se në rast të vonesave të miratimit të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, liberalizmi i vizave mund të zvarritet tutje.