Është i veshur me rrobat e veta më të mira sepse ne, njerëzit që ikim, i veshim fëmijët tonë me rrobat më të mira. Duam që ata që na presin, kur ne ikim, të na shohim më së miri. Nuk duam që të na shohin si ikanakë. Duam që të na shohin ashtu si jemi, ndoshta edhe më të mirë se jemi. Nuk duam të koritemi. Nuk duam të koritemi edhe kur e dimë se nuk do të hamë, nuk do të pimë, nuk do të dimë ku do të flemë. Duam të dinë se kur kemi ikur, kemi pasur një copë vete dhe se nuk e lamë pas. Kemi lënë shumëçka tjetër. Ndonjëherë shpresën, ndonjëherë gëzimin, ndonjëherë forcën që të na shpjerë te e mira.
Kur e veshim me rrobat më të mira duam të dinë se ne kujdesemi për tonët, edhe kështu, edhe kur ikim. Duam të dinë se kur kemi lënë ndonjëherë shpresën, ndonjëherë gëzimin, ndonjëherë forcën që do të na shpjerë te e mira nuk e kemi lënë prapa veten. Atë që e kemi rigjetur në mëngjes, kur e kemi veshur të birin me rrobat më të mira.
Sepse ato, rrobat më të mira, do ta mbrojnë prej qiellit që errësohet, valës së detit , shpirtrave të këqij . Do ta mbrojnë prej fatit.
Do t’ia ndjellin të mirën. Atë që na humbi ne, njerëzve që ikim.
Ato, rrobat më të mira, do ta çojnë në bregun tjetër, atë breg që është krejt tjetër prej këtij në të cilin jetojmë; në bregun tjetër ku nuk të zgjojnë pushkët, as barku i zbrazët e as ëndrra frikësuese e prindërve se e nesërmja nuk do të gdhijë.
Ne, njerëzit që ikëm, njerëzit që ikim, ne shqiptarët dhe të gjithë të tjerët si ne, humbëm një tonin sot. E kishim veshur me rrobat e veta më të bukura. Dinim se do të sfidonte qiellin e errësuar ,edhe valët, edhe shpirtrat e këqij.
Kaq dinim.
(Ai që do ta përkthejë këtë në gjuhë të tjera le ta bëjë. Sonte kisha ndjenjën se vdekja e fëmijës në brigjet e asaj ane, të pambrojturës , tingëllonte shqip, aq shqip sa nuk mund ta përktheja, aq shqip sa mezi e përmbylla,Aq shqip sa lotët nuk më lejojnë ta shkruaj në gjuhë tjetër)
Veton Suroi