Ish-ambasadori Fuere thotë se në këto rrethana kriza politike në Maqedoni duhet të zgjidhet vet nga liderët politik.
Ish-ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Maqedoni, Ervan Fuere i cili që nga dita e mërkurë ndodhet në Maqedoni në kuadër të disa aktiviteteve të Qendrës maqedonase për arsim evropian, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) vlerëson se në këto rrethana kriza politike në Maqedoni duhet të zgjidhet vet nga liderët politik, por thekson se aktualisht në Maqedoni nuk funksion demokracia dhe për këtë arsye nevojitet intervenimi dhe përfshirja e komunitetit ndërkombëtar.
“Vitin e kaluar përmes Marrëveshjes së Përzhinës komuniteti ndërkombëtar u përpoq të kthejë demokracinë në Maqedoni, mirëpo sërish partitë në pushtet nuk respektuan angazhimet e tyre të ofruara nga komuniteti ndërkombëtar. Dobësia e komunitetit ndërkombëtar është se nuk ndodhen këtu për të monitoruar procesin çdo ditë dhe të sigurohen se nëse ekzistojnë pika që nuk janë respektuar nga ana e liderëve politik, atëherë t’u qartësohet se nuk mund të refuzojnë ofertat e komunitetit ndërkombëtar, pasi që në të kundërtën do të dënohen”, deklaron Fuere.
Duke biseduar për situatën aktuale në vend dhe protestat e fundit kundër vendimit për faljen e politikanëve nga ndjekja penale, ish-ambasadori Fuere konsideron se ky vendim cenon ofertat e komunitetit ndërkombëtar dhe është ndërmarrë sipas udhëzimeve të partive në pushtet.
“Mendoj se vendimi i presidentit është krejtësisht kundër sundimit të ligjit dhe tregon mungesë të respektit ndaj drejtësisë nga ana e postit më të lartë shtetëror. Falja e zyrtarëve të lartë shtetëror tregon mosrespektimin e standardeve themelore demokratike”, shprehet Fuere, duke apeluar që për hir të të ardhmes së vendit sa më parë të tërhiqet vendimi dhe aktorët politik të zbatojnë pikat e nënshkruara në marrëveshjen politike.
– Deklaratat kundër komunitetit ndërkombëtar prishin imazhin e vendit –
Në lidhje me kritikat ndaj ambasadorëve të disa vendeve evropiane se ndërhyjnë për së tepërmi në problemet e brendshme, Fuere konsideron se personat që thonë gjëra të tilla nuk e kuptojnë natyrën e diplomacisë dhe kanë harruar se Maqedonia është vend kandidat për anëtarësim në BE. Siç thotë ai, këto deklarata prishin imazhin e Maqedonisë dhe në të njëjtën kohë ndikojnë në zhvillimin e vendit.
“Diplomatët kanë të drejtë t’i përkujtojnë qeverisë kur dështojnë në obligimet dhe përgjegjësinë e saj. Këto deklarata bëhen me qëllim që të largojnë komunitetin ndërkombëtar nga angazhimi për tejkalimin e krizës, si dhe njëjtë tregojnë frikën dhe përpjekjet për të mbuluar fajin e tyre. Mirëpo, ata nuk mund të ndalin angazhimin e komunitetit ndërkombëtar, sepse ky është një vend kandidat për anëtarësim në BE”, deklaron Fuere.
– Përshtypjet për të drejtuar vendin kah Moska, lojë për të devijuar vëmendjen –
Ai vlerëson se ekzistojnë përshtypje nga koalicioni qeveritar për të drejtuar vendin kah Moska, por një gjë e tillë është vetëm një lojë për të devijuar vëmendjen, sepse Rusia nuk ka interes për Maqedoninë.
“Të gjithë e dimë se Rusia nuk ka interes këtu, por sigurisht që disa personave u përshtatet të thonë gjëra të tilla. Veprimet e tilla nga partitë në pushtet, duke sugjeruar se Rusia ofron alternativë më të mirë është një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga dobësia e tyre dhe nga fakti se tashmë të gjitha komunitetet në vend janë bashkuar për të vazhduar drejt anëtarësimit në BE. Kjo është e vetmja mënyrë për një të ardhme të mirë të vendit”, thekson Fuere.
Ish-diplomati evropian duke krahasuar progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian, për Republikën e Maqedonisë thotë se ndodhet në fund të listës. Ai duke marrë shembull Bosnjë e Hercegovinën për të cilën thotë se ka shumë probleme, por të paktën ekziston një dialog politik, shton se në Maqedoni edhe ky dialog është rrënuar dhe se është i vetmi vend në Ballkan i cili është kategorizuar si jo i lirë nga ‘Freedom House”.