Në SHBA dënohet regjisori i filmit antiislam

0
136

Shtetasi amerikan që dyshohet si producenti i filmit anti-Islam, që shkaktoi protesta masive në vendet e Lindjes së Mesme, është dënuar me një vit burg për shkelje të lirimit me kusht.

Nakoula Basseley Nakoula u dënua nga një gjyqtar në Kaliforni pasi pranoi katër shkelje të kryera prej tij të një dënimi të dhënë në vitin 2010 për mashtrim.
Asnjë nga akuzat nuk lidhej me përmbajtjen e filmit kontrovers dhe shpifës, “Pafajësia e Myslimanëve”. Disa dhjetëra persona humbën jetën në Lindjen e Mesme në protestat kundër këtij filmi.
Gjyqtarja Christina Snyder deklaroi se Nakoula, 55 vjeç, duhet të kalojë 12 muaj në qeli, të ndjekur nga një mbikëqyrje 4-vjeçare pas lirimit të tij. Ndërsa prokurori i çështjes kërkoi dy vite dënim.
Pas dënimit në vitin 2010, Nakoula kishte shlyer shumicën e dënimit 21-mujor me burgim për përdorimin e dhjetëra emrave të rremë për hapjen e rreth 60 llogarive bankare, duke ngritur një skemë të vërtetë mashtrimi.
Gazeta “Los Angeles Times” deklaron se gjatë qëndrimit në burg ai lexoi për Kuranin dhe nisi të kërkonte mënyra për ta kritikuar atë. Me t’u liruar atij i ndalohej të përdorte kompjuterë ose internet për pesë vjet, pa i dhënë leje oficeri i lirimit me kusht.
Nakoula, që u arrestua në shtator, ka gjithashtu emrat Sam Bacile, Nicola Bacily dhe Mark Basseley Youssef dhe mendohet të jetë një amerikano-egjiptian kopt./Ind