Në Siri që nga fillimi i konfliktit janë sulmuar 269 spitale

Si pasojë e sulmeve që nga fillimi i konfliktit në Siri të paktën 269 spitale janë shkatërruar pjesërisht ose tërësisht, ndërsa 757 punonjës të mjekësisë kanë humbur jetën, raporton AA.

Raporteri special për çështjet mjekësore pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Dainius Puras, në një deklaratë për mediat në zyrën e OKB në Gjenevë tha se sulmet ndaj spitaleve dhe punonjësve të mjekësisë janë krime lufte dhe krim kundër njerëzimit.

Duke theksuar se sipas statistikave të Organizatës së Doktorëve me qendër në New York (PHR), që nga fillimi i konfliktit e deri më sot në Siri janë shembur pjesërisht ose totalisht të paktën 269 spitale, Puras tha se deri më tani të paktën 757 punonjës të mjekësisë kanë humbur jetën.

“Është shumë e vështirë të sjellësh paqe në një vend ku ka shkelje kaq serioze të të drejtave të njeriut”, tha Puras në vijim të fjalës së tij.

Nga ana tjetër një nga zyrtarët e PHR-së, Elise Baker, bëri përgjegjës për të gjitha këto sulme regjimin e Asadit dhe Rusinë.

-“Në lindje të Halepit ka vetëm 30 doktorë”

Koordinatori për Mbrojtjen pranë Shoqatës së Mjekësisë së Sirisë, Abdurrahman Alomar në një deklaratë Agjncinë Anadollu, është shprehur se sulmet ndaj civilëve në lindje të Halepit e kanë bërë më të komplikuar gjendjen atje. “Tashmë duhet bërë diçka. Kemi ardhur në një gjendje ku nuk mund të japim dot shërbimet mjekësore. Në lindje të Halepit jetojnë rreth 300 mijë njerëz. Në këtë zonë ka vetëm 30 doktorë. Në Halep përpara luftës kishte 17 mijë doktorë në detyrë. Gjendjen mund ta mendoni vetë”, ka thënë ai.

Alomar është një pediatër. Duke theksuar se për shkak të problemeve të sigurisë as doktorët vullnetarë nuk mundin të shkojnë në zonë ai thotë se vetëm në 8 pika të lindjes së Halepit jepet shërbim shëndetësor. Ai thekson se në shumë vende për shkak të mungesës së spitaleve këto shërbime jepen në ambiente shtëpie.

Alomar në përfundim të fjalës së tij falenderon Turqinë për çdo lloj ndihme të dhënë duke bërë thirrje për faktorin ndërkombëtar që të bëjë të njëjtën gjë.

Artikulli paraprak"DAESH-i mund të ndërmarrë më shumë sulme me armë kimike"
Artikulli vijuesTurqi, autokolona humanitare e OKB-së është nisur drejt Idlibit