Negociatat palestinezo-izraelite pa shanse për sukses?

Me ndërmjetësimin e ministrit të Jashtëm amerikan John Kerry po zhvillohen negociatat mes palestinezëve dhe izraelitëve për marrëveshje paqësore. Deri tani nuk është shënuar ndonjë sukses i madh.

Edhe katër muaj të plotë kohë kanë palestinezët dhe izralitët për të arritur një marrëveshje lidhur me negociatat e paqës të nisura në korrik të këtij viti. Negociatat duhet të përfundojnë në prill të vitit 2014. Aktualisht nuk dihet nëse do të ketë negociata të reja.
Shanset për një marrëveshje momentalisht duken shumë të vogla. Palestinezët në veçanti janë kundër kërkesës së izralelitëve që të stacionojnë trupat e tyre në Luginën e Jordanit, pas krijimit të shtetit palestinez – për të evituar sulmet eventuale nga lindja.
Ky propozim është edhe në paketën e sigurisë të paraqitur nga ministri i Jashtëm amerikan John Kerry. Ai i ka inicuar bisedimet më të reja, të cilat ishin ndërperë në vitet e fundit.
Palestinezët janë kundër vendosjes së trupave izraelite në Jordan dhe e shohin këtë si një cënim të sovranitetit palestinez, i cili duhet të krijohet. Ata mendojnë se kundër këtyre trupave është edhe Liga Arabe.

Jordani si kufi
Në konfliktin e Lindjes së Afërt rolin qendror e luan Jordani. Në luftën arabo-izraelite të vitit 1948, Jordania kishte kthyer një pjesë të madhe të rajonit perëndimor të Jordanit dhe pjesën lindore të Jerusalemit, duke e zgjeruar kufirin shumë më larg nga sa eshte sot. Në luftën gjashtë ditore të vitit 1967, Izrali i ripushtoi këto territore, që do të thotë se lumi Jordan sërish u shndërrua në linjë kufitare mes këtyre dy vendeve. Nën kontrollin e Izraelit është pjesa më e madhe e shtetit të ardhshëm palestinez, për të cilin nuk dihet se kur do të krijohet.
Izraeli dhe Jordania kanë nënshkruar në vitin 1994 një marrëveshje paqeje, por deri më sot Izraeli ka frikë se nga territori i Jordanisë mund të futen palestinez refugjate dhe te luftojne. Ndërkohë që ka frikë edhe nga mundësia e marrjes së pushtetit në Jordanin Perëndimor. Ai do që nga këto rreziqe të mbrohet ushtarakisht.

Optimizmi i matur
Por prezenca e trupave është vetëm një nga pikat e kontestuara në negociatat palestinezo-izraelite. Negociatori palestinez Saeb Erekat thotë se bisedimet edhe tani janë indirekte. Ai i quan ato bisedime amerikano – palestineze dhe amerikano – izraelite. Aktualisht nuk ka bisedime direkte. Për gjendjen aktuale Erekat tha se marrëveshje nuk mund të ketë përderisa vazhdojnë ndërtimet e ngulimeve izraelite, si dhe përdorimi i dhunës dhe vrasja e palestinezëve. “Në këto kushte nuk mund të ketë marrëveshje”, tha ai. Por Erekat megjithatë nuk përjashton mundësinë e suksesit të negociatave.
Edhe politikanët izralitë kanë sinjalizuar vullnetin për përparimin e negociatave. Gazeta izraelite “Jerusalem Post” sjell vlerësimin e ish- drejtorit të shërbimit të brendshëm sekret izralit Schin Bet, Ya’akov Peri, i cili flet për “optimizëm të matur”. Dhuna në territoret palestineze është rritur kohët e fundit, por nuk mund të bëhet fjalë për një intifadë të tretë dhe kryengritje afatgjatë të palestinezëve.

Nuk përjashtohet shpërthimi i dhunës
Eksperti palestinez Bassem Zubaidi pohon se shumica e vendasve të tij nuk janë tepër optimistë për marrëveshjen. Izraeli edhe gjatë këtyre negociatave po vazhdon me ndërtimet, që do të thotë se po humbet një pjesë e madhe e territorit palestinez. Këtu nuk ka mjaft tokë. Zubaidi angazhohet për vazhdimin e procesit të paqes, por dyshon se mund të ketë rezultate të shpejta. Procesi i paqes nuk ka ndonjë shans të madh edhe për faktin se palestinezët po vuajnë në varfëri dhe papunësi. Nuk ka shpresa të mëdha se gjendja do të ndryshojë shpejt. “Ndaj nuk do të befasohesha sikur në dy – tri vitet e ardhshme të shkallëzojë një dhunë e re.”
Shumë më optimistë është ekonomisti izraelit Shir Hever, i cili thotë se gjithnjë e më shumë izraelitë po e kuptojnë se gjendja nuk mund të mbetet kështu. Këtë e ka të qartë edhe qeveria izraelite, e cila “dikur duhet të vendosë që t’i japë fund pushtimit të tokave palestineze dhe të lejojë krijimin e shtetit palestinez.”
Por deri atëherë do të kalojë edhe shumë kohë. Saeb Erekat deklaroi në një intervistë për gazetën “Al Quds al Arabi” se çështjet e konstestueshme nuk do të zgjidhen në këto negociata. Do të ketë nevojë për negociata të reja, që do të thotë se do të duhen të paktën edhe 12 muaj të tjerë./dw

Artikulli paraprakMijëra të vrarë në Sudanin e Jugut
Artikulli vijuesQeveria puçiste shpalli Vëllazërinë Myslimane organizatë terroriste