Wilton: Kosova të mos pres dhurata nga qielli

Në takimin ndërministror, i cili ka për qëllim koordinimin e punëve të përfaqësimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, Robert Wilton, këshilltar politik në ICO, ka thënë se Kosova duhet ta krijojë suksesin e saj e të mos pres dhurata nga qielli, të mos pres që Brukseli e as Beogradi t’i japin diçka.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka thënë se Kosova duhet që ngadalë dhe sigurt ta forcojë identitetin e saj në arenën ndërkombëtare dhe kjo jo vetëm në baza bilaterale për njohje, por edhe multilaterale.

Selimi ka thënë se qëllimet e këtyre takimeve ndërministrore janë që Kosova të ketë qasje në 27 organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Sipas tij Kosova do të përfaqësohet ashtu siç është arritur marrëveshja në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Nëse në një takim ndërkombëtar janë prezent të gjithë flamujt e vendeve përfaqësuese, aty do të jetë edhe flamuri i Kosovës. Ka pasur raste që përfaqësuesit serbë e kanë lëshuar takimin për shkak të paraqitjes së simboleve të Kosovës në atë takim”, ka thënë Selimi, transmeton Kosovapress.

Ai u ka rekomanduar të pranishmëve që në takimet rajonale të paraqiten ashtu siç paraqiten edhe përfaqësuesit e tjerë, por duke i zbatuar marrëveshjet që janë arritur në Bruksel në bisedimet Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, Robert Wilton, Këshilltar politik në ICO, ka thënë në këtë takim se Kosova duhet ta krijojë suksesin e saj e të mos pres dhurata nga qielli, të mos pres që Brukseli e as Beogradi t’i japin diçka.

“Kosova e lirë, Kosova sovrane duhet vetë ta krijojë suksesin e saj me botën. Kosova duhet ta krijojë vetë vendin e saj në botë. Pajtimi në Bruksel është i kotë nëse Kosova nuk e shfrytëzon vetë pajtimin. Kosova duhet t’i zbulojë mundësitë me botën. Kosova duhet ta kërkojë vrimën për vendin. Brukseli është mjaft i lumtur vetëm me pajtimin, me përshtypjen e pajtimit. Brukseli është i kënaqur. Beogradi më duket nuk ju ofron asgjë të lirë. Mos prisni asgjë më prej Beogradit, prej Brukselit. Kosova duhet ta krijojë suksesin e saj vetë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se kjo punë nuk varët vetëm me politikanët, me diplomatët e lartë, varët edhe nga zyrtarët e tjerë, nga puna e përditshme që bëhet, varët nga puna e ekspertëve e shumë të tjerë.

Pjesa tjetër e takimit ndërministror është mbajtur me dyer të mbyllura, ku pritet të nxirren rekomandimet lidhur me paraqitjen e Kosovës në takimet ndërkombëtare. Po ashtu, pritet të diskutohet edhe për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare të sportit, pasi që, lista prej 27 organizatave, e dorëzuar nga ndërmjetësi Cooper, nuk përfshin asnjë organizatë sportive. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakNesër në Maqedoni protestojnë shqiptarët, të shtunën maqedonasit
Artikulli vijuesPutin anulon vizitën në SHBA