New York Times: Mos fajësoni “Vehabizmin” për terrorizmin


NYT-LogoNga Mohammed Alyahya | New York Times

Fjala “Vehabizëm” është bërë gogol në Perëndim dhe shihet si përgjegjëse për radikalizimin e muslimanëve nëpër botë. E meqë Vehabizmi është një rrymë e Islamit që i ka fillimet në Gadishullin Arabik dhe është doktrina fetare dominuese në Arabinë Saudite, ai vend shpeshherë është parë si fajëtori kryesor i përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm.

Por, fajësimi i Vehabizmit dhe Arabisë Saudite për radikalizmin islamik është një pistë false dhe e rrezikshme. Ky shpjegim i thjeshtë na largon nga arsyet komplekse politike, ekonomike dhe psikologjike pse njerëzit i bashkohen grupeve terroriste. Kjo mënyrë e të vepruarit na pengon aftësinë tonë për ta luftuar terrorizmin në mënyrë të efektshme.

Vehabizmi në fakt është një sinonim i ngarkuar anti-saudit për Selefizmin, një rrymë puritane e Islamit që përkrah ndjekjen e “selefëve” apo paraardhësve, ndjekësve të parë të Profetit Muhamed. Selefizmi ka qenë historikisht apolitik dhe shumica dërrmuese e selefijve nuk janë të dhunshëm.

Shumica e militantëve islamistë nuk kanë asnjë lidhje me vehabizmin saudit. Talebanët, për shembull, janë Deobandi, një rrymë evangjeliste anti-imperialiste e Islamit që lindi si reagim ndaj kolonializmit britanik në Azinë jugore. Shumica e anëtarëve të Al-Kaedës ndjekin një rrymë radikale që ka dalë nga Vëllazëria Muslimane, një lëvizje që e përkufizon veten kryesisht në marrëdhënie kundërshtie me Perëndimin dhe vlerat e tij. Ndonëse disa terroristë e identifikojnë veten si selefij, sektet islame që janë ideologjikisht të kundërta me Selefizmi si Nakshibenditë, Sufijtë, Shiitët e shumë të tjerë, janë angazhuar në xhihad të dhunshëm në Irak, Afganistan dhe Siri.

E megjithatë, shumica e mediave perëndimore dhe shumë ekspertë paraqesin krejtësisht një pamje tjetër, duke ia hedhur fajin e terrorizmit ideologjisë vehabiste të dalë nga Arabia Saudite. Këto argumente të bëjnë të mendosh se terroristët nga Europa i bashkohen Shtetit Islamik duke u endur rrugëve të Parisit apo Brukselit e duke ngecur në ndonjë xhami të finacuar nga Saudia. Në këtë xhami, ata lexojnë vetëm një libër, “Librin e Teuhidit”, të Muhamed Ibn AbdulUahabit, dijetarit të shekulllit të 18-të, i cili themeloi Vehabizmin. Një javë më pas, mesazhi fundamentalist i librit i frymëzon ata që të udhetojnë drejt vijës së frontit në Siri apo të komplotojnë sulme terroriste në Europë.

Realiteti është shumë më i ndërlikuar. Shumica e autorëve të sulmeve terroriste në Europë kanë qenë kriminelë të vegjël, të cilët dihej se pinin alkool dhe merrnin drogë. Radikalizimi i tyre nuk ka shumë lidhje me ideologjinë. Thuhet se disa muslimanë europianë kanë blerë libra të tillë si “Islami për fillestarët” përpara se të nisnin rrugën për të marrë pjesë në xhihad në Siri. Ajo çfarë kanë të përbashkët të gjithë është besimi se bota muslimane dhe perëndimi kanë “ngecur” në një përplasje qytetërimesh të papajtueshme.

Po ashtu, është e pa saktë të dënohet Vehabizmi apo Selefizmi saudit për grupet xhihadiste që kanë dalë në botën arabe vitet e fundit. Tunizianët përbëjnë numrin më të madh të shtetasve të huaj në Shtetin Islamik. Shumica e rradhëve të grupit është nga Iraku. Sigurisht, Siria është vatër e xhihadistëve të të gjitha llojeve. E megjithatë, këto vende janë udhëhequr nga diktatorë sekularë, të cilët i kanë përzënë aktivitetet e misionarëve sauditë, ndërsa në rastin e Irakut dhe Sirisë, e kanë parë Arabinë Saudite si kundërshtare.

Nga ana tjetër, Arabia Saudite është angazhuar në aktivitete misionare në Indi, duke ndërtuar xhami, shkolla dhe qendra sociale. E megjithatë, zor se ka dalë ndonjë xhihadist nga popullsia indiane, e cila ka mbi 170 milion muslimanë.

Ringjallja e një forme të politizuar të Islamit radikal, i cili ka ndodhur në botën arabe që prej viteve 1970, nuk nxitet thjeshtë nga ideologjia, por nga dështimi i qeverive arabe për të plotësuar pritshmëritë e popullsive të tyre dhe nga shtypjet mizore që i kanë bërë kërkesave të tyre për përmirësim dhe një qeveri më transparente. Ashtu si tjetërsimi social dhe psikologjik që i ka nxitur disa muslimanë europianë që t’i bashkohen grupeve ekstremiste, këto shkaqe bazë duhet të adresohen në mënyrë që vërtetë të luftohet terrorizmi.

Nuk ka dyshim se ndonëse ndonjë rrymë e selefizmit është jo tolerante, mungesa e tolerancës nuk çon detyrimisht në terrorizëm. Intoleranca ideologjikë është me të drejtë një problem në vetvete, e cila përmban rreziqe dhe kërkon një trajtim të veçantë. Por ngatërrimi i këtij rreziku me shkaqet e ekstremizmit të dhunshëm mund të dobësojë efektivitetin e përpjekjeve serioze kundër terrorizmit.

Është pikërisht Arabia Saudite – vendi që akuzohet se promovon idetë që çojnë në ekstremizmin e dhunshëm – e cila ka përdorur me sukses fenë për të luftuar radikalizmin. Arabia Saudite e ka luftuar Al-Kaedën jo vetëm në mënyrë operative, por njëkohësisht edhe duke dënuar veprimet dhe retorikën terroriste. Dijetarët selefij kanë qenë të pazëvendësueshëm në suksesin e programeve rehabilituese për ata që janë dënuar si ndihmues apo nxitës të terrorizmit.

Në vitin 1990, Muftiu i Madh i Arabisë Saudite, Abdul Aziz ibn Baz, lëshoi një fetva që denonte sulmet vetëvrasëse. Muftiu i Madh aktual, Abdul Aziz bin Abdullah al-Sheikh, i cili është gjithashtu në vijën e parë kundër shkuarjes së sauditëve në grupet që luftojnë jashtë vendit dhe në ruajtjen e mësimeve tradicionale selefite, u ka bërë thirrje të gjithë muslimanëve që t’i binden autoritetit të udhëheqësve legjitim dhe t’i shmangen çdo lloj forme të aktivizmit politik.

Të fajësosh Vehabizmin apo Selefizmin për radikalizmin e dhunshëm nuk është vetëm një gabim intelektual dhe një padrejtësi ndaj Selefijve, por është një shtrembërim që pengon luftimin e radikalizmit të dhunshëm dhe kuptimin e shkaqeve të tij. Çdo ideologji fetare e përdorur nga radikalët është shpeshherë një maskë për të mbuluar probleme të tjera. Fajësimi apo shkatërrimi i një ideologjie si Selefizmi nuk do t’i japë fund radikalizmit. 

Autori është analist dhe komentator politik. Shkrimet e tij janë publikuar në media prestigjoze si Financial Times, the Guardian, Al-Monitor, Telegraph, Al-Arabiya, Huffington Post etj. Ai ka studjuar për shkenca politike në Universitetin e Pensilvanisë.

Observer.al

Artikulli paraprakNgushëllime krejt shqiptarëve të ndershëm..!
Artikulli vijuesKy është shqiptari që është pjesë e kabinetit të Erdoganit (Foto)