Praktika e manifestimit të pakënaqësisë të pushtetit me protesta kundër pushtetit është absurde. Kështu e komenton protestën e BDI-së kundër kryqit në Butel analisti Xhelal Neziri. Ai thotë se ky lloj i protestave është rast unik në botë.
“Është absurde dhe e palogjikshme që një parti që është brenda Qeverisë të protestojë jashtë Qeverisë. Një parti që është brenda institucioneve të protestojë jashtë institucioneve. Është rast i paparë ën demokracitë botërore. Është një shfaqje e organizuar që nxjerrë në pah dyfytyrësinë dhe hipokrizinë politike të BDI-së, parti që është e zgjedhur dhe e ka fituar legjitimitetin që të përfaqësojë interesin e shqiptarëve në institucione. Ndërkohë që protestat janë hapësirë e vetme e opozitës, e organizatave joqeveritare dhe grupimeve të ndryshme”, tha Xhelal Neziri, analist.
Për kreun e BFI-së Sulejman Rexhepi, me Kishën Ortodokse në Maqedoni udhëheq politika e vendit duke përmendur emrin e ish kryeministrit Gruevski.
“Atje ku shohim dhe konstatojmë se një subjekt politik me veprimet e tij tenton të arrijë diçka tjetër që është jashtë normave fetare, ne atje nuk jemi. Ky vendim nuk është vendim i komunës së Butelit, vendimi është i qendrës. Ai njeri që shkoi dhe tani nuk është më kryeministër, ai edhe më tutje dirigjon me këto kryqet. Autor i të gjithë kryqeve është Nikolla Gruevski. Dhe pikërisht për këtë, zëvendësi i tij për çështje ekonomike hodhi themelin në Butel”, u shpreh Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI-së.
Sipas profesorit të filozofisë së religjionit, Lubomir Cucullovskit, aktorët politik nëpërmjet këtyre veprimeve, tregojnë forcat e tyre nëpërmjet një loje, që për të është fëmijërore.
“Bëhet fjalë për papjekuri të njerëzve që janë në pozicione kyçe dhe duan fuqinë e tyre ta tregojnë përmes ndërtimit të objekteve të tilla. Gjë që nuk është shembullore dhe e hijshme për një njeri serioz që në atë mënyrë të sillet sikur ka ardhur në garë ku duhet të tregojë veten se kush është më i shpejt ose më i mirë”, tha Lubomir Cucullovski, profesor për alsatm.
Sjellja e pushtetit ndaj ndërtimit të kryqit në Butel është kritikuar edhe nga partitë opozitare dhe qytetarët, të cilët veprimet e këtilla i konsiderojnë si lojëra politike të iniciuara para zgjedhjeve.