Nga burgu i thërret boshnjakët që të protestojnë për të

Shefi Task-Forcës kundër korrupsionit në Prokurorinë Speciale të Kosovës, prokurori Nazmi Mustafi, i arrestuar muaj më parë nën dyshimin për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, përmes një letre të siguruar nga Telegrafi, ka kërkuar nga politikanëve dhe deputetëve boshnjakë në Kuvendin e Kosovës ta mbrojnë, siç ka thënë ai, nga torturimi që po bëhet duke e mbajtur pa fakte në paraburgim.

“Fillimisht ju përshëndes dhe kërkoj nga ju që të ndani pak kohë për mua duke lexuar këtë letër që po ua dërgoj. Nuk do t’ju kisha shkruar sikur gjërat të qëndronin ndryshe nga ajo që do t’ju them më poshtë”, thuhet në fillim të kësaj letre të prokurorit Mustafi dërguar politikanëve dhe deputetëve boshnjakë të Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Kjo që po ndodh është sulm politik ndaj meje dhe familjes sime, por edhe ndaj popullit boshnjak, sepse si profesionalistë jam duke i penguar dikujt. Këtë ua them me sinqeritet dhe e di se kujt jam duke i penguar”, shkruan Mustafi pa përmendur emra konkretë.
“Nuk kam qenë kurrë i korruptuar, por kam qenë punëtor i devotshëm, shembull. Ky është një presion i madh ndaj meje dhe familjes ime. Gjendja ime shëndetësore, por edhe e familjes sime është përkeqësuar. Siç e dini, motra ime është e sëmurë, po ashtu gjendja ime shëndetësore është përkeqësuar dhe për këtë e keni kopjen-dëshmi mjekësore të cilën e ka avokati im. Megjithëkëtë vazhdojnë të më mbajnë në paraburgim”.
“Andaj, ju lutem, bashkohuni përpara Ambasadës amerikane dhe përpara EULEX-it dhe më mbroni nga terrori i mëtutjeshëm, pa fakte, që po bëhet ndaj meje dhe familjes sime. Merrni shembull kur një serb arrestohet në veri të Mitrovicës, protestojnë të gjithë, sic është rasti i ‘kontejnerit’, dhe serbi i arrestuar lirohet menjëherë. Vallë për ne boshnjakët nuk ka drejtësi?”, shkruan Mustafi.
“Ju lumet organizohuni, mblidhni nënshkrime nga qytetarët, nëse duhet organizoni edhe protesta, apo kërkoni mbrojtje për mua nga Ambasada amerikane apo EULEX-i. Mos harroni se në kuadër të ligjit, i kam ndihmuar mjaft popullit tim, këtë e dinë shumë veta, përfshi edhe ju – përfaqësues të boshnjakëve në parlamentin e Kosovës. Nuk kërkoj nga ju të përziheni në çështje gjyqësore, por kërkoni drejtësi. Pse më mbajnë të sëmurë dhe pa fakte në paraburgim? Nga çka frikësohen? Gjithçka është e montuar. Andaj, edhe njëherë ju lutem përdoreni autoritetin tuaj dhe më ndihmoni, sepse që nga 2 prilli i këtij viti po mbahem padrejtësisht në paraburgim”./BS/kohaislame

Artikulli paraprakIzraeli pas virusit të sofistikuar kompiuterik
Artikulli vijuesKy është kandidati i PD-së për president të Shqipërisë!