Presidenti Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës zyrtare në Këshillin e Evropës dhe institucionet e tij, u takua sot me Sekretarin e Përgjithshëm të organizatës, z. Thorbjorn Jagland.
Presidenti Nishani shprehu që në fillim keqardhjen për viktimat e sulmit terrorist të mëngjesit të sotëm në Bruksel, si dhe dënoi me forcë këto akte barbare, duke shprehur solidaritetin me popullin dhe autoritetet belge.
Presidenti Nishani shprehu gjithashtu mirënjohjen për rolin dhe kontributin e rëndësishëm që Këshilli i Evropës në drejtim të promovimit të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës në të gjithë kontinentin evropian, si dhe për ndihmën dhe asistencën e vazhdueshme që Këshilli i Evropës i ka ofruar Shqipërisë ndër vite, duke mbështetur reformat e ndërmarra me synim përmirësimin e standardeve në tre shtyllat e organizatës.
Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm mes Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës, veçanërisht në periudhën e fundit të lidhur me reformën në drejtësi, ku Komisioni i Venecias ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm.
Duke vlerësuar këshillimin ligjor nga Komisioni i Venecias, presidenti theksoi se “opinioni përfundimtar për amendimet kushtetuese do të ndihmojnë klasën politike shqiptare për të vijuar me përkushtim reformën në drejtësi”.
Presidenti Nishani e siguroi Sekretarin e Përgjithshëm Jagland për vullnetin dhe angazhimin e institucioneve shqiptare për të vijuar bashkëpunimin me Këshillin e Evropës, tashmë të formalizuar në dokumentet dy vjeçare programatike të bashkëpunimit.
Presidenti i Republikës i kushtoi një vëmendje të veçantë dhe afrimit të Kosovës me Këshillin e Evropës, duke vlerësuar intensifikimin e kontakteve të drejtpërdrejta me autoritetet kosovare.
Kreu i Shtetit theksoi se “afrimi i mëtejshëm i Kosovës me Këshillin e Evropës, do t’i kontribuojë përparimit dhe konsolidimit demokratik të Kosovës, si dhe stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit të Ballkanit”.
Duke iu referuar zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, presidenti Nishani theksoi faktin se sot ky rajon është kthyer në rajon mundësish dhe bashkëpunimi, ku Shqipëria pa dyshim vijon me konsekuencë të kontribuojë për fqinjësinë e mirë, bashkëpunimin dhe prosperitetin e rajonit.