Nisin hetimet ndaj kryetarit të Istogut

Pas një emisioni të “Drejtësia në Kosovë” kanë nisur hetimet ndaj Haki Rugovës.

Prokuroria e Gjakovës ka nisur hetimet ndaj kryetarit të Istogut Haki Rugova.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Selimaj.

“Kemi marrë një kallëzim penal nga Prokuroria e Pejës që ka të bëjë me Haki Rugovën që lidhet me një çështje të konfliktit të interesit”, tha shkurt Selimaj përmes telefonit.

Kallëzimin penal ndaj Haki Rugovës e ka deponuar në prokurori Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) nën dyshimin e arsyeshëm për veprën penale konflikt interesi sipas nenit 424 të Kodit Penal të Kosovës.

Në kallëzimin penal të kësaj agjencie shpjegohen dyshimet ndaj kryetarit të Istogut.

“Haki Rugova dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës sipas aktivitetit të prokurimit ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”, thuhet në kallëzim.

Aty më tutje tregohet se tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës, në vlerë prej 289,119.85 euro, kështu duke mundësuar interes financiar për të [Haki Rugovën] dhe personin juridik që ka të bëjë me të”.

Sipas Kallëzimit të Agjencisë Kundër Korrupsion informacionet kjo agjenci i kishte marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews’ kundër Haki Rugova për shkak të mundësisë së veprës penale: konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të agjencisë.

Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore të Pejës por ajo është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë nga Prokuroria e Pejës për të qenë një hetim i pavarur me arsyetimin se prokurori i rastit në Pejë, Haxhi Sinani njihet personalisht me të dyshuarin dhe është në raporte shoqërore me të njëjtin.

Artikulli paraprakBugajski: Nevojitet strategji urgjente e Uashingtonit për Ballkanin
Artikulli vijuesDeputeti i CDU-së: Shfuqizimi i Speciales mund të çojë deri në ngrirjen e integrimit të Kosovës në BE