Një shqiptar nga Kosova është shpërblyer nga rrjeti social Instagram me plot 25 mijë dollarë pasi arriti të gjejë mangësi tek ky rrjet social.
Benjamin Gecaj është nga fshati Llaushë, i komunës së Skenderajt dhe ndjek studimet e vitit të parë në Shkenca Kompjuterike në kolegjin privat përcjell Magazina.al.
Ai është studenti i vetëm shqiptar nga miliona përdorues të Instagramit që arriti të përmirësojë gabimet e kësaj platforme, prandaj edhe do shpërblehet me 25 mijë dollarë.
Benjamini ka theksuar se Instagram është platformë që ka tipare dalluese, por gjithsesi sipas tij nuk ka qenë e vështirë që të gjejë mangësi në sigurinë e përdoruesve.
“Për disa muaj rresht kam testuar mangësitë dhe gabimet e Instagramit dhe kam raportuar tek kompania, për këtë arsye ata më aprovuan testimet si dhe më kanë shpërblyer me një shumë të konsiderueshme të të hollave që pres t’i marr në ditët në vazhdim”-tregoi Gecaj. Ai shpjegoi gjithashtu edhe mënyrën e realizimit të kësaj pune, shtoi se ka arritur që me llogari false të mbyllë shumë llogari të përdoruesve.