Njohja nga Egjipti: Në rrugë e sipër…

Në ditën e 5-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në një takim të dërguarën e posaçme të presidentit Mohamed Morsi zëvendëspresidenten e Egjiptit, Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy.

“Sot kisha kënaqësinë e veçantë të prisja në ditën e 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të dërguarën e posaçme të presidentit të Egjiptit, presidentit Morsi, zëvendëspresidenten El Sharkawy. Dëshiroj të falënderoj për vizitën, dhe të shpreh kënaqësinë e Qeverisë së Kosovës, popullit të Kosovës për mysafirin e veçantë dhe të dërguarën e veçantë të presidentit Morsi, sot, në 5-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

“Mund të them lirisht se nga vizita e fundit që kam zhvilluar në Egjipt, nga takimi që kam zhvilluar me presidentin Morsi, është një angazhim aktiv nga Kajro, në mbështetje të fuqishme të Republikës së Kosovës nga Egjipti. Sepse, ndajmë vlerat e angazhimeve dhe përkushtimeve të betejave që kemi zhvilluar si popuj për liri, për dinjitet njerëzor dhe drejtësi. Prandaj, e dërguara e posaçme presidentit Morsi, zëvendëspresidentja El Sharkawy sjell mesazhin për institucionet e Kosovës, për popullin e Kosovës, mesazhin e konfirmimit nga presidenti Morsi se njohja nga Egjipti për Republikën e Kosovës është në rrugë e sipër”.

Ndërsa, Zëvendëspresidentja e Republikës së Egjiptit, Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy, pas takimit me Kryeministrin Thaç theksoi se “jam shumë e gëzuar që për herë të dytë po vij në Kosovë”.

“Jam e kënaqur që po e gjej mirëseardhjen sërish në këtë tokë të lirisë, të rezistencës dhe të luftës për dinjitet.

Kosova për Egjiptin është simbol i lirisë, dhe tash ne të dy vendet jemi duke ndërtuar shtete të reja dhe demokratike, të bazuara në drejtësi dhe liri.

Ky është një moment i rëndësishëm historik për të dy kombet. E falënderoj kryeministrin Thaçi për mikpritjen e ngrohtë, që kam pranuar.

Egjipti që nga koha e revolucionit është duke u përpjekur që të ndjek politikën e hapjes së dyerve për Kosovën. Kemi pasur shumë vizita të ndërsjella, dhe më e rëndësishmja deri më tani ishte vizita e kryeministrit Thaçi në Kajro gjatë punimeve të Konferencës Islamike.

Ishte një hap i madh për të forcuar marrëdhëniet tona në të ardhmen. Egjipti mbështet hyrjen e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, si në Bankën Botërore, në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ne jemi në rrugë të ndërtimit të marrëdhënieve pozitive dhe të mirëkuptimit. Kështu që, jam shumë e nderuar që jam këtu, dhe të them se Egjipti është në rrugë për të njohur Kosovën.

Jam e sigurt se ky do të jetë një moment i rëndësishëm për të dy vendet, për të ndërtuar marrëdhënieve të mira në shumë fusha.

Jam e sigurt se e ardhmja do të sjellë më shumë prosperitet për të dy vendet”.kohaislame

Artikulli paraprakHackerat shqiptarë festojnë ndryshe 5-vjetorin e pavarësisë
Artikulli vijuesKlotz: Kosova opium për popullin serb