Norma e ulur e TVSH-së, nga 1 korriku

Ligji, i cili parasheh uljen e normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), për disa produkte nga 16 për qind, sa është aktualisht, në 8 për qind, mund të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të Administratës Tatimore të Kosovës.
Nahit Sharku, zëvendësdrejtor në Administratën Tatimore të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ndryshimet në këtë ligj kanë përfunduar dhe janë dërguar në Qeveri, ku edhe janë miratuar, ndërkohë që presin edhe miratimin në Kuvend.
“Nëse të gjitha procedurat ligjore shkojnë ashtu siç ka parashikuar Qeveria, atëherë ky ligj duhet të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti”, bën të ditur Sharku.
Sharku sqaron për Radion Evropa e Lirë se ka një reduktim të normës së TVSH-së nga 16 për qind sa është tani, në 8 për qind për produktet bazë që përbëjnë shportën e konsumatorit.
“Këto janë: buka, vaji, kripa, qumështi, orizi, vezët, pastaj është pjesa e librave dhe gazetave që trajtohen në një kategori të veçantë. Në kuadër të 8 për qindëshit janë barnat, produktet farmaceutike, aparatet, pajisjet mjekësore”, shpjegon Sharku.
Në listën e normës së ulur të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 16 për qind në 8 për qind, tregon Sharku, do të hyjnë edhe shërbimet publike, që është uji, energjia elektrike, ngrohja dhe mbledhja e mbeturinave.
“Përveç kësaj, Ligji parasheh edhe një listë rezervë që ministri ka të drejtë më vonë, varësisht nga zhvillimet ekonomike, të zgjerojë (listën) apo edhe ta ngushtojë, nëse mund të vijë deri te një vendim tjetër”, tregon Sharku.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, është tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallra dhe shërbime. Në Kosovë, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, zbatohet prej 1 korrikut të vitit 2001.
Ekspertët e çështjeve ekonomike, ndërkohë, e kanë vlerësuar pozitivisht përshkallëzimi e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Ata kanë theksuar se ulja e TVSH-së për produktet ushqimore elementare do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes sociale, për një kategori të qytetarëve.
Në anën tjetër, disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë theksojnë se kjo ulje e normës së TVSH-së, do t’i ndihmonte ata. Siç shprehet, Ilmi Sinani, qytetar, çmimet janë shumë të shtrenjta dhe në vazhdimësi në rritje.
“Po çmimet janë të larta shumë, plus kur iu shtohet edhe TVSH-ja 16 për qind është goxha një shumë e madhe, ndërkohë që pagat i kemi të ulëta”, shton ai.
Derisa për Samiun, një pensionist nga Prishtina, thotë se ulja e TVSH-së,është një punë e mirë që po bëhet.
“Ky përshkallëzim na ndihmon neve pensionistëve, pastaj familjeve me asistencë sociale, të varfërve në përgjithësi, se për ata që kanë të ardhura të mira, nuk e vërejnë farë sa është TVSH-ja”, thotë Samiu.
Deri më tani, në Kosovë, të liruar nga TVSH-ja janë: importimet e gjërave personale të udhëtarit, importi i mallrave turistike, të dyja këto të rregulluara nga dispozitat e doganave, shërbimet spitalore dhe kujdesi mjekësor, e të tjera.
 
Artikulli paraprakPse Islami nuk ka nevojë për reformim
Artikulli vijues15 kura natyrale që shërojnë shumë sëmundje